PD zbardh dokumentet e skandalit: Në Vaun e Dejës është votuar me fletë të falsifikuara

PD zbardh dokumentet e skandalit: Në Vaun e Dejës është votuar me fletë të falsifikuara
“Komisioni Qendror i Vjedhjeve”, nën urdhrat e Ramës, është përfshirë nga skandali në skandal, duke denoncuar tre skandalet më të mëdha sipas tij ku KQZ është kapur në flagrancë:

– Falsifikoi dhe manipuloi pjesëmarrjen në votime për llogari të propagandës së Edi Ramës.

-Falsifikoi rezultatin e votimeve në Bashkinë Elbasan sipas urdhrave të Taulant Ballës për të fshehur se për Elbasanin kishte më shumë vota për kandidatin se sa fletë votimi në kuti.

-Ka lejuar që në Vaun e Dejës të kryhet votim me fletë të falsifikuara dhe që nuk i dihet origjina e tyre.

Sipas tij, rasti i Vaut të Dejës është një skandal i ri, për të cilin publikoi disa dokumente me anë të së cilave pretendon se vërtetohet akuza.

Ai tha se dokumenti i doganës tregon se fletët e votimit kanë qenë në doganë në orën 07.58 të së dielës, ndërsa votimet kanë nisur në orën 07.00

Bardhi deklaroi se duke qenë se materialet zgjedhore u dogjën, KQZ vendosi në 28 qershor nxjerrjen jashtë përdorimit të të gjitha fletëve të votimit, rreth 40 mijë të tilla, të të gjitha materialeve të tjera zgjedhore, përfshire lista, vula etj.

Ai nënvizoi se në orën 07:00 të 30 qershorit, u deklarua se edhe me angazhimin personal të deputetit Tom Doshi, person në listën e zeze të SHBA, sipas tij, gjithçka ishte në rregull, fletët kishin ardhur, materialet zgjedhore gjithashtu, dhe kishte nisur procesi i votimit në të gjitha Qendrat e Votimit e Bashkisë së Vaut të Dejës.

“E gjitha është një gënjeshtër. Është mashtrim publik me pasoja të rënda i KQZ. Sipas dokumenteve zyrtare rezulton se fletët e votimit në orën 07.58 min të datës 30 Qershor kanë qenë ende në Doganën e Hanit të Hotit. Ky është dokumenti që provon se në orën 8 të mëngjesit të datës 30 Qershor fletët e votimit ishin ende në doganë”, u shpreh Bardhi, duke publikuar dokumentin.

Për këtë arsye ai ngriti këto pyetje:

-Nëse në orën 08.00 të mëngjesit fletët e votimit ishin ende në doganë, çdo shqiptar pyet sot me çfarë fletësh votimi nisi procesi i votimit në orën 07.00?

-Sa zgjati procedura e dërgimit të tyre në KQZ, marrjes së tyre në dorëzim nga KQZ, nisjes për në KZAZ, shpërndarjes në çdo QV?

Ai e vijoi deklaratën e tij duke thënë se i gjithë dokumentacioni zyrtar mbi këtë çështje, fakton një skandal të jashtëzakonshëm, një proces privat dhe kriminal të kryer nga KQZ në bashkëpunim me KZAZ e Vaut të Dejës, për të cilën Prokuroria duhet të kishte nisur menjëherë hetimet penale.

loading...
loading...