“Është Festa Kombëtare e Francës. Për idealet e 14 korrikut 1789, i është mirënjohës mbarë njerëzimi”

“Është Festa Kombëtare e Francës. Për idealet e 14 korrikut 1789, i është mirënjohës mbarë njerëzimi”
Nga Albin Kurti

“ Është Festa Kombëtare e Francës, 14 korriku. 230 vite më parë njerëzit e thjeshtë të Francës morën guximin të bëheshin qytetarë e të bashkoheshin kundër pushtetarëve absolutistë dhe aristokratëve që pasuroheshin pa punuar e pa kontribuar në shoqëri, ndërsa populli varfërohej. Në pasditen e 14 korrikut 1789, u sulmua, thye dhe çlirua Bastille që ishte njëkohësisht edhe kazamati i të burgosurve politikë por edhe kështjella e pushtetit monarkik.

Qindra filozofë, shkrimtarë, shkencëtarë ndër më të shquarit kanë shkruar për atë datë që ishte vendimtare për Revolucionin Francez. Ky i fundit lindi jo vetëm Republikën e Francës, vend mbështetës i Kosovës me ushtri e diplomaci, por mbi të gjitha shkaktoi nisjen e një dallge botërore e cila rrëzoi shumë absolutizma dhe i la pa legjitimitet ato që mbetën. Shpërndarja e idealeve radikale liberale solli zgjimin e kombeve, çlirimin prej perandorive, demokracinë si ideal, të drejtat njerëzore e qytetare si ligj, dhe vetëvendosjen, vetëqeverisjen e fillimin e procesit të dekolonizimit, i cili vazhdoi deri në ditët e sotme.

Idealet e republikës qytetare, liria, barazia e solidariteti mes njerëzve edhe sot frymëzojnë subjektet emancipuese e progresiste anembanë botës. Na frymëzojnë edhe ne, që përpiqemi të ndezim një shkëndijë përparimi për kombin, shoqërinë e vendin tonë.

Duke mbajtur ndërmend këto ideale, për të cilat Francës i është mirënjohës mbarë njerëzimi, dëshiroj t’i uroj ambasadorit francez në Kosovë dhe gjithë popullit e institucioneve franceze, gëzuar Festën Kombëtare!”

 

loading...
loading...