“Apokalipsi” godet veriun e Greqisë, humbin jetën 6 turistë, mbi 100 të plagosur (Foto)

“Apokalipsi” godet veriun e Greqisë, humbin jetën 6 turistë, mbi 100 të plagosur (Foto)
Skena apokaliptike, si nëpër filma, pemë që shkuleshin dhe shtylla që rrëzoheshin, tronditën pjesën veriore të Greqisë. Raportohet se të paktën 6 turistë humbën jetën.

Forca shkatërrimtare e stuhisë u shpërnda në zonën turistike të Halkidikit brenda një afati kohor prej vetëm 20 minutash.

Gjashtë shtetas të huaj, mes tyre dy fëmijë, humbën jetën si pasojë e stuhive dhe më shumë se 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas erërave të forta, shiut, breshrit dhe stuhive që goditën Greqinë e veriut në orët e vona të së mërkurës.

Pamjet televizive tregonin erërat e forta që goditën një restorant në gadishullin Halkidiki, një rajon i popullarizuar me turistë gjatë verës.

Rrugët në qytetet e zonës ishin të mbushura me pemë të shkulura dhe motoçikleta e makina të përmbysura.

“Është hera e parë në karrierën time 25 vjeçare që kam përjetuar diçka të tillë”, tha Athansios Kaltsas, drejtor i Qendrës Mjekësore Nea Moudania.

Shumë të plagosur u trajtuan pas dëmtimeve, i tha ai televizionit grek.

“Ishte kaq e papritur dhe kaq befasuese për të gjithë”, shtoi ai.

Kaltsas tha se pacientët i përkisnin moshës prej 8 muajsh deri mbi 70 vjeç. Disa kishin pësuan lëndime në kokë nga pemët dhe sendet e tjera që binin.

Dy turistë çekë të moshuar u vranë nga erërat e forta dhe ujërat e rrëmbyeshëm që zhdukën rimorkion e tyre të udhëtimit, tha policia.

Diku në këtë rajon, një grua dhe një djalë 8 vjeçar, të dy shtetas rumunë, humbën jetën  pasi një çati u rrëzua në një restorant në Nea Plagia. Një burrë dhe një djalë i ri, të dy rusë, vdiqën pasi një pemë u rrëzua pranë hotelit të tyre, në qytetin bregdetar të Potidesë, theksuan autoritetet.

Moti i tillë i rëndë është i pazakontë në Greqi, pasi vera është zakonisht e nxehtë dhe e thatë. Meteorologu Klearxos Marousakis përshkroi kushtet si "jashtëzakonisht të pazakonta" për këtë periudhë të vitit.

Meteorologët parashikojnë se do të vazhdojë të bjerë shi në këtë zonë deri në orën 9 të së enjtes.

Autoritetet deklaruan në Halkidiki gjendje të jashtëzakonshme ndërsa ministri i ri i mbrojtjes i Greqisë do të vizitojë sot zonën e përfshirë nga përmbytjet.

Temperaturat e larta në kontakt me një valë të ftohtë të ardhur nga Oqeani Atlantik besohet nga specialistët se kanë krijuar një korridor shtrëngatash që nisën nga Spanja dhe goditën thuajse të gjitha vendet e Mesdheut, përfshirë edhe Shqipërinë.

loading...
loading...