Ambasadori spanjoll kërkon që kriza politike në Shqipëri të zgjidhet me dialog

Ambasadori spanjoll kërkon që kriza politike në Shqipëri të zgjidhet me dialog
Ambasadori spanjoll, Vicente Canelles Montero ka folur nga Korça për situatën politike në vend, duke kërkuar që zgjidhja e saj të vijë përmes dialogut mes palëve e jo nga ndërkombëtaret. Gjendja e krijuar, sipas tij, po ndikon në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.

“Është e vërtetë që situata politike në Shqipëri është e tensionuar, por nuk janë ambasadorët e huaj ata që mund të vendosin sesi mund të kapërcehet kjo gjë”.

Ambasadori Vicente Canelles Montero solli shembullin e Spanjës kur bëri thirrje për dialog.

“Vetëm shqiptarët mund të vendosin, sigurisht duke respektuar ligjin, shtetin e së drejtës. Jeni ju ata që duhet të vendosni sesi mund të dilni nga ky moment i vështirë. Në Spanjë kur kemi hasur momente të tilla të vështira ato janë zgjidhur me dialog dhe me të gjitha palët politike, të cilat janë treguar të gatshme për të hequr dorë nga disa këndvështrime fillestare dhe për të gjetur një pikë dakordësimi mes tyre. Për mendimin tim, ne të huajt jemi këtu vetëm për të vëzhguar situatën dhe për të shpresuar për më të mirën dhe nuk besoj se ambasadorët duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit. Këto janë vështirësi që duhet t`i zgjidhni. Është një vështirësi dhe shpresojmë që do të zgjidhet shpejt.”

Ambasadori bëri apel për gjetjen e një zgjidhje sa më parë duke paralajmëruar se një situatë kaq e vështirë komplikon rrugëtimin drejt BE

“Duhet të gjendet një zgjidhje dhe pa kaluar shumë kohë madje. Spanja ka qenë gjithmonë pozitive sa i takon perspektivës së Shqipërisë për në BE dhe vazhdojmë të jemi me këtë qëndrim, por Shqipëria duhet fillimisht të zgjidhë problemet e saj sepse një situatë kaq e vështirë komplikon rrugëtimin drejt BE por shpresojmë që kur të vijë momenti i duhur zgjidhja do të jetë e përshtatshme.”

Komentet, ambasadori spanjoll i bëri nga Korça ku ishte i pranishëm në natën e dytë të “Mik Festival”.

loading...
loading...