Erion Veliaj: Do nisim rikonstruksionin e Bulevardit “Zogu I” dhe të fasadave

Erion Veliaj: Do nisim rikonstruksionin e Bulevardit “Zogu I” dhe të fasadave
Bashkia e Tiranës do të nisë transformimin e Bulevardit “Zogu I” duke i dhënë jo vetëm një pamje të re, por edhe një impuls ekonomik gjithë kësaj zone.

Në nisjen e punimeve për shkollën e re “Jeronim De Rada”, në Njësinë Nr 9 në kryeqytet, Kryebashkiaku Erion Veliaj bëri të ditur se do të nisë puna për rikonstruksionin e Bulevardit “Zogu I” dhe për rehabilitimin e fasadave në të dy anët e saj.

“Lajmi i mirë për Njësinë nr. 9 është që ne do të fillojmë në pak ditë të gjithë rikonstruksionin e Bulevardit “Zogu I”.

Do të bëhet jo vetëm nëntoka, por do të bëhet të gjitha fasadat, të gjitha piacat e vogla, kështu që besoj janë fatlumë ata që jetojnë mes “Zogu I” dhe rrugës “Fortuzi”, me një bulevard të ri, dhe me një shkollë të re”, deklaroi Veliaj.

Më herët prillin që shkoi, Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin për Bulevardin “Zogu i Parë”. Bëhet fjalë për një fond prej 708.3 milionë lekësh të reja. Specifikimet teknike të tenderit të sapo shpallur, shfaqin projekt për një zonë të tjetërsuar, me ndërhyrje në stola betoni, shatërvan, fasada me dekorime guri, vendqëndrime biçikletash etj.

Bulevardi “Zogu i Parë” fillon nga ish-Stacioni i Trenit deri në Sheshin Skënderbej. Projekti parashikon rehabilitim të plotë në të gjithë gjatësinë e bulevardit. Tenderi do të qëndrojë i hapur deri në datën 11 prill të këtij viti. Ndërkohë që afati për të mbyllur plotësisht punimet është 18 muaj nga nënshkrimi i kontratës.

loading...
loading...