PROTESTA E SOTME/ Basha “karikon” të vetët: Asnjë hap prapa. Policia: Shmangni dhunën, kemi informacione shqetësuese

PROTESTA E SOTME/ Basha “karikon” të vetët: Asnjë hap prapa. Policia: Shmangni dhunën, kemi informacione shqetësuese
Protesta e paralajmëruar e opozitës në orën 19.00 është bërë objekt prononcimesh paraditen e sotme si nga PD dhe Policia e Shtetit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ka “karikuar” mbështetësit e opozitës  në atë që ka cilësuar “fitore e sigurt”.

“Bashkimi, pjesëmarrja dhe vendosmëria për ta çuar këtë betejë drejt fitores së sigurtë, është investimi më krenar për fëmijët, për të ardhmen e tyre dhe të çdo shqiptari. Të rinj e të reja, studentë dhe profesionistë, pedagogë, artistë, intelektualë, mjekë infermierë dhe mësues, sipërmarrës të ndershëm dhe fermerë, pensionistë dhe të papunë, familjarë, prindër dhe bij e bija të shqiptarëve, mirësevini sonte në bashkimin popullor dhe qytetar në orën 19 në Tiranë. Asnjë hap pas!” shkruan Basha.

Ndërkohë, Policia e Shtetit, në mënyrë të pazakontë, ka dalë me një deklaratë përpara zhvillimit të protestës.

Zv/drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, than se efektivët blu kanë marrë të gjitha masat për të garantuar lirinë demokratike të tubimit dhe kërkoi bashkëpunimin e organizatorëve “për të shmangur dhunën gjatë saj”.

“Për shkak të informacioneve shqetësuese që Policia disponon, në vazhdën e protestave të shkuara të të njëjtave subjekte politike, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit”, tha Hajnaj.

“Po ashtu, nisur nga ngjarja e rëndë e protestës së kaluar ku protestues të dhunshëm goditën me shufra metalike protestues paqësorë, u bëjmë thirrje organizatorëve të largojnë nga turma njerëz me maska apo me mjete të forta në duar, duke ia dorëzuar menjëherë Policisë. Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim se mes të ndaluarve në protestat e shkuara ka individë me precedentë të rëndë penale, siç ishte rasti i njërit prej dhunuesve të dy protestuesve paqësorë, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge”.

Zyrtarja e lartë e Policisë së Shtetit gjithashtu solli në vëmendje të organizatorëve se përdorimi i mjeteve piroteknike është jo vetëm i paligjshëm, po edhe tejet i rrezikshëm për shëndetin e jetën e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve.

“Policia e Shtetit do t’i qëndrojë strikt parimit demokratik të proporcionalitetit dhe është e përgatitur të reagojë në proporcion të plotë, me çdo akt dhune. Po ashtu u kërkojmë qytetarëve të Tiranës, që nuk janë të interesuar për protestën, të shmangin lëvizjen në perimetrin e protestës së sotme, e cila do të jetë nën monitorimin e plotë të Policisë”,tha Hajnaj.

Sipas të dhënave paraprake, në terren do të jenë këtë radhë rreth 1700 efektivë policie, një prezencë e shtuar në krahasim me protestat e mëparshme.

Gjithashtu, në institucione të rëndësisë së veçantë si Parlamenti dhe Ministria e Brendshme, do të ketë të instaluara kamera me rezolucion të lartë dhe gardhe metalike. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

loading...
loading...