Plani sekret i BE-së për një Grexit katastrofik, si u maskua me emrin e Shqipërisë

Plani sekret i BE-së për një Grexit katastrofik, si u maskua me emrin e Shqipërisë
Një libër i ri, The Last Bluff (Blofi i Fundit) i Viktoria Dendrinou dhe Eleni Varvitsioti, raporton përgatitjet zyrtare që u morën nga Greqia në lidhje me situatën e vështirë që kaloi

Plani top-sekret u hartua në vitin 2012, përpara se Greqia të zhytej në situatën katastrofike të viteve në vijim. Këtij plani iu vu një emërtim i koduar “Pranimi i Kroacisë në Bashkimin Europian”, për të larguar çdo dyshim nga skenari që paralajmëronte fundin e shtetit më në jug të Kroacisë, shkruan Bloomberg. Edhe dyshimet më të vogla se ai që i referohej Greqisë, do ta çonin këtë të fundit në një krizë të thellë, do të trondisnin tregjet e saj financiare dhe besimin në vetë euron.

Në fillim të qershorit të 2015, një raund i ri negociatash duket se po e çonin Greqinë drejt një rruge pa krye. Situata u qartësua më 13 korrik të 2015, kur BE-ja dhe Greqia ranë dakord mbi paketën e tretë të shpëtimit. E megjithatë, përgatitjet e BE-së për katastrofën e mundshme të Greqisë vazhduan. Një ekip i vogël prej 10 ekonomistësh dhe avokatësh të BE-së u mblodhën në katin e 15-të të ndërtesës Charlemagne, të Komisionit Europian në Bruksel, për të diskutuar mbi një plan B, në rast të dështimit të negociatave apo në rast se Greqia nuk u përmbahej rregullave të paketës së tretë të shpëtimit.

Arsyet për mbajtjen në fshehtësi edhe të këtij plani ishin të njëjta me ato të vitit 2012. Por ky plan duhej të riemërohej sepse Kroacia ishte bërë tashmë pjesë e BE-së. Plani i ri prej 157 faqesh u kodua nën emërtimin “Plani dhe Analiza e Kontigjencës së Shqipërisë, dështimi i shtetit 2015”, vetëm për të minimizuar katastrofën ekonomike dhe humanitare me të cilën do të përballej Greqia në rast të daljes nga BE-ja dhe Eurozona.

Kapitulli i dytë, “Menaxhimi i Largimit”, u përqendrua në kostot e larta të një Grexit të mundshëm. Në atë periudhë, Greqia i kishte marrë borxh 342 miliardë euro (387 miliardë dollarë amerikanë) Fondit të Stabilitetit Financiar Europian, Bankës Qendrore Europiane, Bankës Europiane të Investimeve, qeverive dhe bankave të tjera të Eurozonës. Një program përllogariti me hollësi edhe ekspozimin e secilit shtet të Eurozonës ndaj situatës në fjalë. Në rastin e Italisë, vlera arrinte në 63 miliardë euro ose 4.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për Gjermaninë, vlera ishte edhe më e madhe, rreth 92.8 miliardë euro, ose 3.4% e PBB-së së saj, njëkohësisht edhe vlera më e lartë në terma absolutë. Por ishte Sllovenia ajo që kishte ekspozimin më të madh në përqindje të PBB-së së saj, ajo arriti në 1.7 miliardë euro, dhe rreth 6.7% e PBB-së.

Me shumë rëndësi, si në rastin e dështimit të shtetit grek ashtu edhe në rastin e Grexit, është mbështetja e bankave greke nëpërmjet Asistencës Emergjente të Likuiditetit (ELA), të miratuar nga BQE-ja. Por për të marrë këto hua, bankat duhej të vendosnin kolateral, kryesisht obligacione të garantuara nga shteti grek. Sipas Planit B, në rast se Greqia nuk do të tregohej korrekte ndaj një kreditori dhe nuk do t’ia paguante borxhin e marrë, p.sh. ndaj BQE-së, do të ishte e pamundur për Këshillin Qeverisës të BQE-së të vazhdonte të pranonte obligacionet e qeverisë greke si kolateral adekuat, ndaj ajo do të detyrohej që të merrte likuiditetin që u kishte dhënë bankave të shtetit grek nëpërmjet ELA-s. Por nëse do të ndodhte, kjo situatë do të shkaktonte shumë shpejt një sërë ngjarjesh të tjera, ku bankat jolikuide do ta kishin të pamundur të paguanin menjëherë, e për pasojë do të falimentonin.

 

Dhrahmia e re

Mënyra e vetme për ta shmangur situatën do të ishte gjetja e likuiditetit diku tjetër. Por, duke qenë pjesë e Eurozonës, bankat greke nuk kishin të njëjtat mundësi si në rastin e një sistemi monetar të pavarur. Ato do të mbeteshin pa likuiditet, sepse ai mund të sigurohej vetëm brenda sistemit të Eurozonës, i cili në atë pikë do t’i kishte përjashtuar. Kjo do të thoshte se vendit i mbetej një mundësi e vetme për t’i parandaluar bankat e tij nga falimentimi: Bankës së Greqisë i duhej të siguronte likuiditet në monedhë të re, kryesisht duke dalë nga Eurozona. Kjo nuk do të kërkonte menjëherë printimin e parave të reja.

Pjesa praktike mund të menaxhohej lehtësisht brenda disa orëve, duke i kërkuar Bankës Qendrore të ndryshojë sistemet e saj të teknologjisë së informacionit për të konvertuar euron në monedhë e re. Brenda disa orëve, Banka e Greqisë mund të konvertonte gjithçka. Kontratat sipas ligjit grek do të duhej të ndryshoheshin, ndërsa nëpunësit civilë dhe pensionistët do të duhej të paguheshin sipas monedhës së re. Kjo dhrahmi e re do të zhvlerësohej menjëherë kundrejt euros.

Por, që kalimi i euros në dhrahminë e re të bëhej realitet, Greqisë do t’i duhej të hartonte një legjislacion të ri, sipas të cilit dhrahmia e re do të bëhej monedha e vetme në vend dhe të gjitha depozitat në euro do të kalonin në dhrahmi. Ky nuk do të ishte ndërlikimi i vetëm në rastin e kalimit në një monedhë të re. “Nëse Greqia do të largohej nga Eurozona, gjëja e parë që do të ndodhte, do të ishte që monedha e re nuk do të kishte fare besueshmëri”, shprehet një zyrtar i përfshirë në këto diskutime. Askush nuk do të donte të kryente veprime me një monedhë e cila shumë shpejt do të zhvlerësohej, tha ai më tej.

Kjo do të nënkuptonte se monedha e re do të vazhdonte të humbte vlerën e saj ndaj euros, një rënie që do të nxiste inflacionin dhe, nga ana tjetër, dobësimi i mëtejshëm i monedhës do t’i bënte importet më të shtrenjta. Pikërisht, kjo do ta vështirësonte situatën e borxhit grek, pasi pjesa më e madhe e tij është në euro dhe zhvlerësimi i menjëhershëm prej 50% kundrejt euros do të nxiste menjëherë rritjen e raportit të borxhit ndaj PBB-së, i cili në qershor të 2015-s ishte në 180% të PBB-së. Ky raport ndërmjet borxhit dhe PBB-së do të dyfishohej menjëherë në 360% dhe madje shumë shpejt do të shkonte në 500% të PBB-së.

Sipas panit B, kjo do të thoshte se “ristrukturimi rrënjësor i borxhit do të ishte i nevojshëm”. E vetmja gjë e sigurt për një Grexit do të ishte se vendi do të kishte menjëherë nevojë për një tjetër paketë shpëtimi. Dhe kjo tingëllon absurde, sepse askush nuk do të donte të përballej me të gjitha problemet e theksuara më sipër, vetëm për të shmangur paketën e shpëtimit, dhe pastaj, në fund të shihej si e domosdoshme nevoja për një paketë tjetër shpetimi. “Por kjo është ironia e pastër e të gjithë kësaj situate”, u shpreh një tjetër zyrtar i përfshirë në këtë çështje. Pavarësisht se çfarë argumentesh do të jepeshin fillimisht për të shmangur shpëtimin, ato do të konsideroheshin si të domosdoshëm më pas.

Ndoshta, jo menjëherë, sepse qeveria do të vazhdonte të mos ta pranonte, por shumë shpejt realiteti do ta detyronte atë, sepse kjo do të ishte e vetmja mënyrë për të stabilizuar monedhën dhe për të reduktuar inflacionin. Ndërsa kalimi elektronik në një monedhë të re mund të ndodhte brenda disa orësh, konvertimi në një monedhë të re fizike do të ishte më i ndërlikuar dhe do të kërkonte padyshim një kohë më të madhe për t’u realizuar. Ndryshimi do të paraqiste sfida të mëdha logjistike, veçanërisht duke marrë parasysh kapacitetin e kufizuar të administratës greke. Në një diagram me ngjyra, pjesë e Planit B, përshkruhej koha e nevojshme për aktivizimin e llojeve të ndryshme të monedhave të reja.

Për dy javët e para pas Grexit, asnjë shënim nuk ishte bërë në kolonën e Greqisë. Kjo nënkuptonte se aktiviteti ekonomik dhe financiar do të ndalej plotësisht gjatë kësaj periudhe kohe. Prej javës së dytë e deri në katër muajt në vijim, kontrollet emergjente të Bankës Qendrore mund të përdoreshin për transaksione, ndërsa nga katër deri në tetë muaj, mund të përdoreshin kartëmonedhat emergjente të përkohshme. Emetimi i kartëmonedhave të reja do të bëhej i mundur vetëm pas tetë ose nëntë muajsh.

Planet për sigurimin e kartëmonedhave emergjente u shoqëruan edhe me shumë probleme teknike. Për këtë arsye, për të shmangur vonesat e mëtejshme, një grup analistësh këshilluan përdorimin e eurove ekzistuese por duke u bërë atyre një vrimë në mes. Kjo shenjë do t’i brandonte ato si “eurot e reja”, deri në momentin që sistemi të ishte në gjendje të prodhonte kartëmonedhat e reja. Problemi i parë me të cilin u përball sugjerimi në fjalë ishte fakti se bankomatet nuk do t’i njihnin këto kartëmonedha të reja, për shkak të ndryshimit që ato kishin pësuar.

Një tjetër sugjerim ishte stampimi mbi kartëmonedhat ekzistuese, një formë për t’i dalluar ato nga eurot standarde. Por edhe kjo metodë nuk do të ishte e sigurt dhe të garantonte që ATM-të do të ishin në gjendje të dallonin kartëmonedhat e reja nga ato të vjetra, duke qenë se kodet e tyre të garancisë do të vijonin të mbeteshin të njëjtat. Përveç anës jopraktike, çdo plan si ai për shpimin e eurove apo ai për stampimin e tyre do të nënkuptonte një zhvlerësim de facto të euros, citohej më tej në planin B. Gjithashtu ai do të kishte edhe ndikim negativ në reputacionin global të euros dhe besueshmërinë e monedhës.

Një faktor tjetër që e ndërlikon kalimin në një monedhë kombëtare të re është edhe fakti i qarkullimit të sasive të mëdha të parave në ekonomi. Duke u frikësuar nga mbylljet e menjëhershme të bankave, shumë grekë do të vepronin duke i tërhequr paratë e tyre nga bankat dhe duke i mbajtur ato në shtëpi. Prandaj, vetëm javët e para do të ishin ndoshta të menaxhueshme, shprehen zyrtarët, sepse deri në fund të qershorit, qarkullimi i parasë kishte arritur në rreth 50 miliardë euro, ekuivalente me më shumë se një të tretën e totalit të depozitave dhe pesë herë më shumë se qarkullimi mesatar në Eurozonë. Përballë kësaj situate, hedhja në treg e një monedhe të re do të kërkonte më shumë kohë, sepse grekët do ta refuzonin konvertimin e euros në një monedhë të re më pak të vlerësuar.

Shqetësimi përfundimtar, veçanërisht për ekipin e BQE-së, lidhej me faktin nëse Greqia do të vendoste të përdorte burimet e saj dhe të prodhonte më shumë euro. Sipas zyrtarëve të përfshirë në këto bisedime, situata do të ishte absolutisht e pamundur sepse ajo do të përbënte një mashtrim dhe do të binte në kundërshtim me ligjin. Pasojat politike të këtij vendimi do të ishin të mëdha; ndoshta ai do të ndikonte në ndërprerjen e lidhjeve të Greqisë me ndonjë institucion që mund ta ndihmonte atë gjatë një kohe kaq të vështirë. Edhe nëse qeveria greke do ta merrte përsipër rrezikun, implikimet që ai do të shkaktonte në lidhje me qarkullimin e euros do të ishin të parëndësishme, përfunduan zyrtarët. Në çdo rast të mundshëm, BQE-ja kishte hartuar tashmë disa hapa kyçë për të garantuar se qeveria nuk do të përdorte rezervat e saj të tepërta të papërfunduara në euro në Bankën e Greqisë.

Së pari, një ekip i posaçëm i inspektimit të sigurisë do të shkonte në Greqi për të kontrolluar saktësinë e shifrave të raportuara duke “kryer kampionimin në 16 degët e Bankës së Greqisë ku mbahet kjo sasi e tepërt”. Së dyti, akreditimi i BQE-së, i cili është i nevojshëm për Bankën e Greqisë për të prodhuar kartëmonedha, do të pezullohej. Sipas hapit të tretë, parashikohej që BQE-ja të udhëzonte prodhuesit të ndalonin furnizimin ndaj Greqisë me rezerva të nevojshme për të prodhuar kartëmonedha të reja, ndërsa hapi i katërt përfshinte dërgimin e një ekipi të veçantë të inspektimit të BQE-së për të identifikuar dhe për të siguruar materialet e prodhuara në vend. Çdo stok i tepërt i gjetur, do të riatdhesohej në pjesën tjetër të Eurozonës.

Por teksa ekipi i hartimit të Planit B po punonte mbi detajet ligjore, financiare dhe teknike, një ekip i veçantë në Sekretariatin e Përgjithshëm të Komisionit Europian punoi mbi ndihmën humanitare. Dështimi do të bënte që njerëzit të binin nën kufirin e tyre të varfërisë dhe të mos kishin mundësi për të përmbushur nevojat e tyre më bazike, duke përfshirë këtu sigurimin e ushqimit dhe strehimin, duke shkaktuar kështu një krizë që nuk është parë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por lejimi që një anëtar i BE-së të duronte vuajtje të tilla ishte i pakonceptueshëm, sidomos në prag të një krize tjetër.

Emigracioni po stresonte edhe më tej Greqinë, me qeverinë që po luftonte për të menaxhuar fluksin e refugjatëve nga rajonet e shkatërruara nga lufta. Zyrtarët, duke pasur parasysh ashpërsinë e situatës në të cilën ndodhej Greqia dhe me atë që ajo do të përballej në rast të daljes nga Eurozona, llogaritën se rreth 20% e popullsisë, rreth 2 milionë njerëz, do të përballeshin menjëherë me një situatë dramatike. Kjo do të thoshte që komisioni kishte nevojë për krijimin e një rrjeti sigurie që do të mbulonte ushqimin, kontrollet mjekësore dhe madje edhe veshjet. Diskutime të shumta lindën edhe sa u takon spitaleve dhe mënyrës sesi ato do të vepronin në rast të mungesave të tyre me ilaçe.

Një tjetër problem ishte edhe mungesa e furnizimit me naftë. Edhe në rast se BE-ja do të mundësonte sigurimin e naftës, duhet të merren masa për t’u siguruar që grekët mund të paguanin për këto shërbime. Por, duke qenë se BE-ja nuk kishte dispozita për ndihmë humanitare ndaj një prej anëtarëve të saj, duhej gjetur një mënyrë me të cilën Greqia mund të merrte fonde, ndërsa organizatat joqeveritare në terren mund të ndihmonin me plotësimin e nevojave të saj themelore. Zyrtarët kuptuan se një ndryshim i vogël në legjislacionin e BE-së mund t’i mundësojë Greqisë të përdorë një shumë parash nga fondet strukturore dhe ato të investimeve të Bllokut. Mekanizmi për një ndihmë të tillë u gjet dhe çështja u zgjidh. /Përkthimi: Monitor

Dendrinou është gazetare për Bloomberg News. Varvitsioti shkruan për të përditshmen greke Kathimerini. Libri “Blofi i Fundit” u publikua në greqisht nga Papadopoulos Publishing.

loading...
loading...