HISTORI/ Zbarkimi i Aleatëve në Normandi: Mitet dhe të vërtetat për D-Day

HISTORI/ Zbarkimi i Aleatëve në Normandi: Mitet dhe të vërtetat për D-Day
Përvjetorët, janë momente të dobishme për t’u ndalur dhe reflektuar. Por për 75-vjetorin e D-Day, zbarkimin e trupave aleate në Normandi në Francën e Veriut, si dhe fushatën që e pasoi deri në çlirimin e vendit dhe me pas gjithë Evropës, është njëherazi një mundësi për të analizuar në detaje të shkuarën dhe ngritur pyetjen: sa gjëra prej atyre që mendojmë se i dimë si të vërteta, janë vërtetë të tilla, dhe sa janë realisht mite dhe legjenda?

Miti nr.1: D-Day, ishte një operacion i organizuar kryesisht nga SHBA-ja

E vërteta: Shumë njerëz e barazojnë ditën e zbarkimit në Normandi, me masakrën që ndodhin në Omaha – emri i koduar që amerikanët i vunë 5 plazheve ku zbarkuan forcat Aleate, si dhe parashutistët amerikanë. Por, pavarësisht serialeve televizivë dhe filmave artistikë, D-Day nuk ishte një operacion i dominuar nga amerikanët.

Ajo ishte një ndërmarrje e përbashkët e Aleatëve, dhe de facto udhëheqjen e kishte Britania.

Është e vërtetë që zyrtari, komandati i atij mega-operacioni ishte gjenerali amerikan Duajt Ajzenhauer. Por zëvendësi i tij, marshalli Artur Teder, ishte britanik, ashtu si 3 drejtues të tjerë të shtabit. Plani për Operacionin “Overlord” – emri i koduar i D-Day – u hartua kryessht nga gjenerali britanik Bernard Montgomeri, komandanti i forcave tokësore. Marina Mbretërore e Britanisë së Madhe, kishte përgjegjësi për Operacionin “Neptun”. Nga 1213 anijet luftarake që morën pjesë në operacion, 200 ishin amerikane dhe 892 ishin britanike. Nga 4126 mjete të zbarkimit që u përdorën, 805 ishin amerikane, dhe 3261 britanike.

Miti nr.2: Forcat amerikane ishin të keq-përgatitura

E vërteta: Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja kishte ushtrinë më të fortë në botë. Dhe fushata 77-ditore në Normandi, ishte thelbësore në këtë aspekt. Veriu i Francës, ishte një tabllo e fleksibilitetit taktik dhe operacional të amerikanëve.

Në fillim të fushatës, amerikanët hasën vështirësi duke luftuar në zonën plot shkurre të bregdetit të Normandisë. Ata nuk ishin stërvitur për terrene të atilla. Ata kishin supozuar se gjermanët do të tërhiqeshin, pas një zbarkimi të suksesshëm të Aleatëve.

Ndërkohë, për gjermanët ai terren ofronte një maskim shumë të mirë, për të ngritur prita përmes mortajave dhe mitralozave. Terreni ishte aq problematik, sa që edhe tanket amerikanë 30-tonësh të tipit “Sherman” nuk mundën të depërtonin.

Më pas, një rreshter amerikan propozoi që para tankut të instalohej një pajisje që e kishte marrë me vete, për t’u përdorur kundër pengesave gjermane në plazhe. Gjenerali amerikan Omar Bradli, u impresionua: brenda 15-ditësh, pajisja u përdor nga 60 për qind e të gjithë tankeve amerikanë në Normandi.

Miti nr.3: Aleatët u bllokuan në Normandi.

E vërteta: Sipas vlerësimeve paraprake, Aleatët kishin parashikuar të depërtonin të paktën 27 km në brendësi të tokës gjatë 17 ditëve të para, bazuar edhe në normën e tërheqjes së gjermanëve në Afrikën Veriore, apo dhe në Itali. Por, udhëheqësi nazist Adolf Hitler dha urdhër që të luftohej sa më pranë brigjeve franceze, dhe të mos lëshohej asnjë centimeter tokë.

Në letër dukej sikur Aleatët nuk po përparonin dhe aq shumë, por në fakt strategjia gjermane funksionoi në avantazh të Aleatëve, pasi këta e sulmuan armikun me predha që lëshoheshin nga anijet ne det.

Tashmë, Aleatët e kishin kuptuar se taktikat e gjermanëve – të cilat ishin shekullore- ishin të ngurta dhe të parashikueshme. Kundërsulmi, në një kohë që armiku ishte i hapërdarë në terren, ishte diçka që gjermanët e kishin në ADN-në e tyre, dhe kjo u demonstrua gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore.

Shumë shpejt, Aleatët e kuptuan se prirja ndaj kundërsulmit, nënkuptonte që me kalimin e kohës gjermanët do të dilnin në terren të hapur, dhe kësisoj mund të goditeshin më kollaj. Deri në fund të fushatës së Normandisë, gjermanët humbën gjithnjë e më shumë njerëz dhe makineri, ndersa 2 divizione u shkatërruan gati tërësisht.

Miti nr.4: Ushtarët gjermanë, ishin të stërvitur më mirë se aleatët

E vërteta: Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, njësitë më të mira gjermane, ishin në fakt më të forta se sa ato armike. Por në vitin 1944, raporti ishte përmbusur. Me pak përjashtime, si divizoni i tankeve Panzer, në ditën e zbarkimit në Normandi, shumica e njësive gjermane nuk ishin më të përgatitura sesa ato aleate.

Përkundrazi, disa njësi të trupave kishin plot 4 vite që përgatiteshin për atë fushatë. Ndryshe nga ata, shumë trupa gjermanë ishin mobilizuar vetëm prej disa javësh. Njësitë gjermane “ad hoc”, të njohura si ‘kampfgruppen’ (grupet e luftës), shiheshin tradicionalisht si shembuj të fleksibilitetit taktik.

Por ato kishin shumë mangësi në organizim, dhe ishin të dëshpëruara kur po vinte fundi i luftës. Paratrupat gjermane ”fallschirmjäger’, njiheshin si më të mirat mes forcave të tyre të armatosura. Por një veteran i intervistuar më vonë, pohoi se ata nuk kishin bërë asnjë stërvitje, përveç disa marshimeve si dhe një praktike në vendosjen e minave.

Miti nr.5: Trupat gjermane, kishin aftësi më të forta taktike

E vërteta: Vendosmëria e gjermanëve për të luftuar gjatë D-Day, ngatërrohet shpesh me aftësitë taktike. Dhe kjo është diçka e gabuar. Analogjia më e mirë, është me konfliktet e mëvonshme, si Afganistani apo edhe Vietnami, ku forcat perëndimore ishin më të stërvitura dhe kishin për pasojë aftësitë më të mira, por vuajtën shumë për të mposhtur një armik shumë më inferior.

Sikurse e kanë treguar talebanët në Afgansitan, është shumë e vështirë të mposhtësh tërësisht armikun tënd, në rast se ai nuk do të mposhtet. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë, është t’i vrasësh të gjithë. Për këtë arsye, u desh aq shumë kohë që gjermanët të mposhteshin në Normandi, dhe më pas pavarësisht mungesës së stërvitjes, ata ishin sërish shumë të rrezikshëm me shumë armë të fuqishme, dhe një vendosmëri të madhe për të vazhduar luftimin.

Kjo ndodhi për një varg arsyesh: indoktrinimi nazist, ndjenja e thellë e detyrës, dhe rreziku i ekzekutimit për dezertorët. Në Luftën e Parë Botërore, gjermanët ekzekutuan vetëm 48 persona për dezertim. Gjatë Luftës së Dytë, kjo shifër arriti 30 mijë.

Miti nr6: SHBA-ja dhe Britania, patën më pak humbje në Luftën e Dytë Botërore

E vërteta: Trupat Aleate në front, vuajtën shumë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Demokracitë, siç ishin Britania dhe SHBA-ja, u përpoqën ta arrijnë fitoren me sa më pak viktima që të ishte e mundur. Ato i`a dolën kryesisht me sukses, duke përdorur teknologjinë dhe makinerinë më të fundit, për të mbrojtur jetët e njerëzve, kudo që ata mundnin.

Megjithatë, fitoret në distanca të shkurtra duheshin arritur nga këmbësoria, njësitë e tankeve dhe artileria. Edhe pse teknologjia do të thoshte që Aleatët, kishin nevojë për më pak trupa se sa një gjeneratë më parë, ata që ishin në vijën e zjarrit, e kishin sërish shumë vështirë. Humbjet në rradhët e trupave të frontit, ishin shumë më të mëdha gjatë fushatës 77-ditore të Normandisë, se sa gjatë betejave të mëdha përgjatë Frontit Perëndimor gjatë Luftës së Parë Botërore./“CNN” – Bota.al

loading...
loading...