Apendesit apo dhimbje barku, simptomat që bëjnë dallimin

Apendesit apo dhimbje barku, simptomat që bëjnë dallimin
Apendesiti ndodh kur apendiksi që është një shtojcë e cila i bashkëngjitet zorrës, përshkohet nga inflamacioni. Mund të jetë një rrezik për jetën nëse pëlcet, por zakonisht mjekët e heqin në mënyrë kirurgjikale, para se kjo të ndodhë

Sonila Isaku

Nëse keni dhimbje të forta barku, humbni urinë, keni temperaturë dhe të vjella, atëherë me shumë mundësi vuani nga apendesiti. Kjo është sëmundje që, kryesisht, prek një numër të lartë personash dhe mbi 80% detyrohet të operohen për të shpëtuar nga dhimbjet. Apendesiti ndodh kur apendiksi që është një shtojcë e cila i bashkëngjitet zorrës, përshkohet nga inflamacioni. Mund të jetë një rrezik për jetën nëse pëlcet, por zakonisht mjekët e heqin në mënyrë kirurgjikale, para se kjo të ndodhë. Kjo është një sëmundje e zakonshme dhe shumë njerëz nuk kanë simptomat klasike. Gjithsesi, ne po ju parashtrojmë disa nga simptomat më të zakonshmet të apendesitit.

Të vjella, të përziera dhe humbje oreksi

Ju nuk do të keni të vjella të menjëhershme. Që prej dy ditësh, mund të keni prerje oreksi, të përziera apo të vjella si të ishte një sëmundje stomaku. Nëse kjo gjendje përmirësohet pas një dite apo pak më vonë, ju ndoshta jeni mirë. Por nëse vazhdon të përkeqësohet, veçanërisht nëse keni dhimbje në anë të djathtë të barkut, keni nevojë për kujdes mjekësor. Nëse keni të vjella për më shumë se 12 orë, apo diarre më shumë se dy ditë, ju duhet të kontaktoni mjekun.

Dhimbje të kërthizës

Dhimbja e apendesitit, shpesh, ndodh në fund të barkut në anën e djathtë. Shenja e parë, gjithsesi, është dhimbja e sikletshme pranë kërthizës e cila, më vonë, zhvendoset më poshtë. Disa njerëz, si fëmijët apo gratë shtatzëna, mund të kenë dhimbje në pjesë të ndryshme të abdomenit të tyre. Dhimbjet do të përkeqësohen nëse ju lëvizni barkun, kolliteni, teshtini apo tronditeni – për shembull, gjatë një udhëtimi me makinë.

Dhimbje që përkeqësohet shpejt

Pasi dhimbjet fillojnë në pjesën e poshtme të barkut, ato mund të bëhen shumë intensive. Shumë pacientë e përshkruajnë atë “si një dhimbje që s’e kanë ndier kurrë më parë.” Dhimbjet janë mjaftueshëm të forta, sa të zgjojnë dikë që është duke fjetur. Pasi ato shfaqen, fillojnë të përkeqësohen në mënyrë të shpejtë.

Temperaturë të ulët dhe të dridhura të lehta

Simptomat e apendesitit mund t’i ngjajnë dhimbjeve të stomakut, duke përfshirë temperaturë të ulët trupi, ethe e të dridhura. Në qoftë se keni dhimbje stomaku dhe temperaturë rreth 37.5 gradë celsius, ndoshta nuk duhet të shqetësoheni, por nëse temperatura shkon në 39 gradë celsius dhe dhimbjet janë aq të forta sa nuk mund të qëndroni drejt, ndoshta është apendesiti juaj.

Kapsllëk ose diarre

Ashtu si shumë simptoma të tjera, këto ndoshta nuk janë të rënda dhe janë të zakonshme, nëse keni pasur dhimbje barku. Por nëse keni diarre, veçanërisht nëse vëreni prani të madhe mukusi në të, e shoqëruar kjo me dhimbje në fund të barkut, djathtas, shkoni tek mjeku.

Gazra dhe fryrje

Nëse ju hani pesë copa pice dhe i shoqëroni me birrë, kjo do të shkaktonte fryrje dhe dispepsi për çdokënd. Por në qoftë se shkoni të flini pasi keni ngrënë dhe keni ende fryrje, ose dhimbja është edhe më e keqe, ju duhet të keni kujdes. Gjithashtu, kini kujdes nëse keni ndjerë fryrje për më shumë se dy ditë, keni gazra të shoqëruara me dhimbje zorrësh, ose keni vështirësi në nxjerrjen e gazrave. Këto janë shenja të përgjithshme të apendesitit të shoqëruara edhe me shenjat e tjera si ethet apo dhimbjet në fund të barkut, djathtas.

Shtypje e dhimbshme

Nëse ju shtypni pjesën e poshtme të barkut, në anë të djathtë, dhe pastaj keni dhimbje teksa e lëshoni, kjo është një simptomë apendesiti. Mos e përsërisni më, nëse ju ndodh, pasi përkeqësoni gjendjen. Nëse keni edhe simptoma si ethe apo të vjella, shkoni tek mjeku.

Apendesit apo kapsllëk

Lëkura është e pajisur me sensorë që transmetojnë dhimbjen, p.sh., kur ju pickon një bletë, por nuk është e njëjta gjë me atë që ndodh me organet në brendësi të trupit. Gjendje të tilla si një shtatzëni ektopike, sëmundje e Chron-it, inflamacion pelvik apo kapsllëk, shfaqin simptoma të ngjashme me ato të apendesitit. Por mos i merrni me mend, vizitohuni tek një mjek. Ai mund t’ju bëjë një ultratingull ose analizë gjaku që mund të ndihmojë në zbulimin e diagnozës së apendesitit.

 

Simptomat e apendesitit

Dhimbje barku

Temperaturë

Përzierje

Të vjella

Humbja e urisë

Marrje mendsh

 

Box

Këshilla/ Mënyrat si të shmangni operacionin e apendesitit

 

Nëse keni dhimbje të forta barku, humbni urinë, keni temperaturë dhe të vjella, atëherë me shumë mundësi vuani nga apendesiti. Kjo është sëmundje që kryesisht prek një numër të lartë personash dhe mbi 80%, detyrohet të operohen për të shpëtuar nga dhimbjet. Por, nëse e kuptoni herët që vuani nga apendesiti, atëherë mund të mos keni nevojë për operacion. Mjekët kanë gjetur disa ilaçe, duke filluar nga antibiotikët të cilët largojnë dhimbjet dhe kurojnë në kohë apendesitin. Mjekët thonë se ky mjekim është shumë i rëndësishëm në fazat e para, për të larguar infeksionin nga apendesiti, duke përdorur disa antibiotikë në mënyrë masive. Pas antibiotikëve përdoret një kurë nga mjekët, e cila largon përfundimisht dhimbjet e tij dhe, mbi të gjitha, heq infeksionin.

“Apendesiti po shfaqet në shifra të larta. Fillimisht, nisin dhimbje të lehta që rrallëherë merren parasysh nga individët, më pas dhimbjet shtohen dhe atëherë shkojmë në spital. Ky në fakt është një gabim, pasi nëse shkojmë tek doktori që në momentin e parë kur nisin dhimbjet, kemi mundësi që të shmangim operacionin. Dhimbjet fillojnë në pjesën e sipërme të barkut dhe është një nga arsyet pse njerëzit nuk mendojnë se mund të jetë apendesiti. Më pas dhimbja zbret në fund të barkut dhe në fund, dhimbja shtohet në krahun e djathtë, aty ku kuptohet se është apendesiti. Më pas, pacienti ka urinë të shpeshtë dhe djegie në urinë ”, - thonë mjekët në Britaninë e Madhe. Moshat që preken më shumë nga dhimbjet e apendesitit janë moshat e reja dhe të mesme. Apendesiti shfaqet më rrallë tek të moshuarit dhe fëmijët. Në rastet kur apendesiti nuk kurohet, sjell infeksion në bark dhe vetëm operacionet mund të të shpëtojnë. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetit, vdekshmëria nga apendesiti është 1%.

loading...
loading...