Vlorë, Partizani luan me fatet e Flamurtarit (Kalendari i javës së 32-të)

Vlorë, Partizani luan me fatet e Flamurtarit (Kalendari i javës së 32-të)
Si zgjidhje e krizës për vazhdimësinë administratori Sinan Idrizi kërkon vendin e tretë

Në pritje të titullit kampion, Partizanit i duhet matematikisht të sigurojë vendin e parë, kur mbeten edhe pesë javë nga mbyllja e garës. Ndeshja e radhës në Vlorë ndaj Flamurtarit për të besuarit e trajnerit Skënder Gega, ka rëndësinë e saj, pasi një fitore e mundshme do të realizonte ëndrrën e të kuqve që titullin ta festonin në një ndeshje të madhe derbi, si ajo  kundër Tiranës një javë më vonë.

Diferenca aktuale prej 10 pikësh, nëse Partizani merr maksimumin në Vlorë do të mbetet e pandryshuar me vendin e dytë, Kukësin, duke qenë se verilindorët këtë javë sigurojnë tre pikët në tavolinë, në përballjen e planifikuar me Kamzën. Llogaritë janë të qarta: Partizanit i duhen dy fitore radhazi, për t’u shpallur matematikisht kampion.

Por llogaritë e Partizanit ia prish ambicia e madhe e Flamurtarit, për të ruajtur me çdo kusht vendin e tretë. Të gjendur në një situatë të vështirë prej muajit janar, pjesa e mbetur e lojtarëve të Flamurtarit kanë mbajtur mbi supe krizën financiare, duke bërë mrekullinë, atë të ngjitjes në vend të tretë.

Futbollistët vlonjate kanë marrë premtimin se shlyerja e detyrimeve të prapambetura do të realizohet në rast të një objektivi të tillë, sikurse do të ketë edhe një plan ambicioz për Europën. Pikërisht përballë Flamurtarit, që kërkon medoemos për të  prerë një biletë në Europa League, Partizani luan me fatet e këtij ekipi, pas një sezoni të vështirë.

 

 

Kategoria Superiore

Java e 32-të/4 maj (ora 15:00)

Flamurtari - Partizani

Laçi - Kastrioti

Tirana - Skënderbeu

Teuta - Luftëtari

Kamza - Kukësi

 

Klasifikimi

Partizani               62

Kukësi                   52

Flamurtari           48

Teuta                    47

Skënderbeu       46

Laçi                         45

Luftëtari               39

Tirana                    37

Kastrioti               34

Kamza                   17