U kritikuan nga FMN për rimbursimin e TVSH, Tatimet: Do ta mbyllim brenda muajit!

U kritikuan nga FMN për rimbursimin e TVSH, Tatimet: Do ta mbyllim brenda muajit!
“Gjatë muajit maj parashikohet se do të rimbursohet 100% e fondit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar . Nga sot dhe deri në fund do të rimbursojmë 16 miliardë lekë”.

Kështu është shprehur dje drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Enton Duro, pas kritikës drejtuar administratës së tij nga misioni i radhës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, pikërisht për vonesa në rimbursimin e kësaj takse ndaj biznesit. Duro u mbrojt gjithashtu duke pohuar se krahasuar me vitin 2018, fondi për rimbursimin e TVSH-së është 32% më i lartë.

Më tej, ai sqaroi se grupet e fasonit të eksportuesve dhe grumbulluesve që preken nga kursi i këmbimit, por  që kanë një efekt të madh në ekonomi dhe në punësim do të synohet që t’u rimbursohet sa më parë TVSH-ja. Në këtë këndvështrim, ai bëri me dije se pas disa kompanive të mëdha, të cilëve TVSH-ja do t’u paguhet me këste, këta do të jenë ndër sektorët që do të trajtohen me prioritet. Në shifra, deri tani stoku i parimbursuar i TVSH-së arrin në 14.9 miliardë lekë, ku 10 miliardë u përkasin kompanive të mëdha dhe 4.9 të tjera fasonëve, etj.