Traktati i Varshavës: “Baza e Vlorës, si u akumuluan problemet mes shqiptarëve dhe sovjetikëve”

Traktati i Varshavës: “Baza e Vlorës, si u akumuluan problemet mes shqiptarëve dhe sovjetikëve”
HISTORI/ “Albanian Free Press” publikon dokumente autentike nga arkivat e Traktatit të Varshavës të vitit, rreth krisjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik

***

“Në të tilla raste, me dashje apo pa dashje, lind pyetja: Pse veprohet në këtë mënyrë, pse janë akumuluar gjithë këto probleme? Është krejtësisht e qartë, se kjo nuk është mënyra e duhur për zgjidhjen e problemeve në interes të bashkëpunimit e rritjes së gatishmërisë luftarake të Bazës Ushtarake të Vlorës”. Ky është një konstatim i bërë nga Traktati i Vashavës, në vitin e largët 1961, teksa merrte përsipër të analizonte prishjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik. Fjala është konkretisht për dokumentin e cilësuar si top-sekret, “Parallely history Project”, që përfshinte procesverbale, analizat dhe informacione të asaj periudhe. Sipas tij, mes detarëve shqiptarë dhe oficerëve sovjetikë të Bazës së Vlorës ka patur marrëdhënie të acaruara...

Përkthyer nga: Myfit Qorduka

Nga Ditari Luftarak, formuluari datë 28.03.1961

“Më 24 shkurt 1961, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, Mehmet Shehu priti përfaqësuesin e Komandës së Bashkuar të Traktatiti të Varshavës, Gjeneral-kolonelin A.M.Andrejev, me kërkesë të P.N.Pospjellovit, kryetar i delegacionit të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në Kongresin e 4-t të PPSH. Ai ngriti një seri çështjesh, në lidhje me marrëdhëniet midis efektivave shqiptare dhe atyre sovjetike në Bazën Detare të Vlorës, të cilat gjoja janë bërë pengesë për çështjet e gatishmërisë luftarake të kësaj baze.

Në lidhje me këtë, më 28 shkurt 1961, përfaqësuesi i Komandës së Bashkuar i drejtoi një letër Kryetarit të Këshillit të Ministrave të RPSH, ku përcillet informacioni: “...mbi marrëdhëniet jonormale” ndërmjet efektivit shqiptar dhe atij sovjetik, në bazën e sipërtreguar.

Kryetari i Këshillit të Ministrave i kushtoi vëmendje të veçantë pretendimeve të shfaqura, të parashtruara gojarisht ose në informacionin e 28 shkurtit. Është me vend të theksojmë se shteti shqiptar, në masën e duhur e vlerëson rëndësinë e Bazës Detare të Vlorës për mbrojtjen e përgjithshme të vendeve të Traktatit të Varshavës, po kështu për gjithë kampin socialist. Dhe po ashtu, tregohet i vëmendshëm dhe serioz ndaj çdo gjëje që lidhet me bazën.

Të udhëhequr nga ky koncept, si dhe me qëllimin për të mos krijuar paqartësi, që mund të sillnin keqkuptime të dëmshme, Shehu dha garanci se do të merrte masat e nevojshme, për ndjekjen e të gjitha çështjeve që ngriti Gjeneral Kolonel A.M.Andrejev.

Nuk mund të mos theksojmë se çështjet e ngritura, për nga natyra e rëndësia e tyre mund të ishin zgjidhur nga komandat respektive të Bazës së Vlorës (shqiptare dhe sovjetike) siç ishte vepruar edhe raste më parë, aq më tepër, pa njoftuar dhe pa i shtruar ato para ministrit të Mbrojtjes, Gjeneral Kolonel Beqir Ballukut.

...Në të tilla raste, me dashje apo pa dashje, lind pyetja: Pse veprohet në këtë mënyrë, pse janë akumuluar gjithë këto probleme? Është krejtësisht e qartë, se kjo nuk është mënyra e duhur për zgjidhjen e problemeve në interes të bashkëpunimit e rritjes së gatishmërisë luftarake të Bazës Ushtarake të Vlorës.

Pavarësisht nga rruga dhe mënyra e problemeve të ngritura, të akumuluara për një kohë të gjatë, ato u studiuan me vëmendjen e duhur dhe u panë me dritën e fakteve konkrete që dolën gjatë shqyrtimit të tyre dhe doli se vërtetësia e ngjarjeve nuk i përgjigjet shtrimit që i kishte bërë përfaqësuesi i Komandës së Përgjithshme. Konkretisht, vërtetësia e problemeve të ndara sipas karakterit të tyre, radhitet si më poshtë:

- Problemet që lidhen me bashkëpunimin në mbajtjen e rregullit e disiplinës.

Në lidhje me alarmin që u dha më 23 janar 1961, në Shtabin e FLD-së dhe ishullin e Sazanit, në garnizonin aty, ishulli ziente dhe gjithë instruktorët sovjetikë të anijeve ishin tashmë në postet e tyre. Vetëm këshilltari A.A. Zavgarodnij nuk u paraqit. Quhet thyerje e disiplinës ushtarake e mungesë vigjilence, e bashkë me të, edhe mungesë respekti për Komandën e Flotës së RPSH.

- Është e vërtetë se më 23 janar dhe 19 shkurt 1961, në Kanalin e Otrantos janë zbuluar anije të huaja, por nuk është i vërtetë pretendimi se instruktorët sovjetikë s’qenë informuar për këtë. Në rastin e parë, kapitenët P.P.Kulik dhe V.Z. Çujkov morën pjesë në analizën e situatës detare në mëngjesin e 23 janarit, bashkë me komandantin e Flotës së RPSH dhe shefin e Shtabit të Flotës.

Në rastin e dytë, grupi i anijeve të huaja në ngushticën e Otrantos është zbuluar fiks natën e 19 për 20 shkurt, ndërsa këshilltarët sovjetikë janë njoftuar për këtë mëngjesin e 20 shkurtit, në atë ditë që Zbulimi i Ushtrisë dha njoftimin se anijet e lartpërmendura i përkisnin forcave të NATO-s, që kryenin një lundrim mësimor në këtë rajon. Për këtë janë njoftuar kapitenët P.P.Kulik dhe V.Z.Çujkov. Pra, është e nevojshme të theksojmë se në lidhje me lëvizje të tilla të anijeve të huaja të zhvilluara në kufijtë e manovrave të NATO-s, Komanda e Flotës së RPSH, deri në dhjetor 1960, rregullisht është informuar nga Sevastopuli nëpërmjet shtabit sovjetik të Nëndetëseve të Bazës së Vlorës, si dhe nëpërmjet mjeteve që disponon vetë ky shtab. Njëkohësisht, duke filluar nga koha e treguar, të dhënat sovjetike janë ndërprerë.

- Nuk është e qartë sesi mund të pengohet përgatitja e inspektorëve sovjetikë (siç thuhet në informacionin e 28 shkurtit) dhe dëshira e komandantëve të nëndetëseve, që daljet në det të përdoreshin si nga ekuipazhi shqiptar dhe ai sovjetik.

- Në bazë të marrëveshjes, nga data 3 maj 1959, ekuipazhet sovjetike asistojnë në cilësinë e instruktorëve në anijet shqiptare.

- Veprimi i kryer në nëndetësen 270, nuk konfirmon atë që më 8 shkurt 1961 toger Aleko Pojani ka refuzuar inspektorin sovjetik të zhvillojë mësim dhe ka penguar instruktorët e tjerë sovjetikë, të zënë vendet e tyre në nëndetëse. Kontrolli i zhvilluar nuk konfirmon gjithashtu se ekuipazhi shqiptar i nëndetëses 296 nuk ka marrë pjesë në mësimet e datave 7 dhe 14 shkurt 1961…

- Nga verifikimi i bërë, nuk u vërtetua se në nëndetësen 270 është prishur rregulli, nuk ishin mbyllur kapakët e prapmë të aparateve të silurave. Përveç kësaj, instruktorët sovjetikë, asnjëherë nuk kanë informuar komandën shqiptare të grupit të nëndetëseve për të tilla raste…

- Është e vërtetë që më 29 dhjetor 1960 ndihmës-komandanti i Gjuajtësit 500, Kamber Dinollari i është drejtuar ekuipazhit të anijes italiane në gjuhën ruse, sepse anija e lartpërmendur nuk iu përgjigj gjuajtësit në sinjalet ndërkombëtare. Njëkohësisht, këtu nuk ka asnjë nxjerrje sekreti, sepse oficeri (shqiptar) për t’u marrë vesh me ekuipazhin e huaj përdori një nga gjuhët ndërkombëtare, që është dhe gjuha ruse. Rasti i përmendur më 28 shkurt, me kujdesin për ruajtjen e sekretit ushtarak, konkretisht për ruajtjen e fshehtësisë së prezencës ruse në Bazën e Vlorës, është e domosdoshme të llogaritet me thyerjen e rëndë të detarëve sovjetikë, që në kundërshtim me marrëveshjen që ekziston midis dy vendeve tona, mbajnë shiritat e kapelave të marinarëve me mbishkrim në gjuhën ruse “Flota Ushtarake Detare e Detit të Zi”, ose “Flota Ushtarake Detare e Balltikut”.

- Vonesa e komandantit të Nëndetëses 296 më 11 dhe 17 shkurt ishte me vend, të tilla raste të vonesave ka pasur dhe nga instruktorët rusë... Është e vërtetë gjithashtu, që nuk është respektuar afati i çmanjetizimit të anijeve ose të metat që tregohen në informacionet e 28 shkurtit dhe rasti i 30 dhjetorit 1960.

- Është e vërtetë që më 13 shkurt 1961 komandanti i nëndetëses nr.270 nuk ka lejuar grupin e punëtorëve civilë sovjetikë të remontit të hyjnë natën në nëndetëse në mungesë të efektivit të saj. Kjo i përgjigjet plotësisht instruksionit ekzistues dhe udhëzimeve që ndalojnë remontin kur mungon ekuipazhi i saj.

- Rasti  i pirjes së duhanit  në vende të ndaluara në bazën lundruese “Tomori” ka ndodhur nga pala shqiptare. Po kështu, edhe nga ushtarët sovjetikë për të cilët komanda e grupit të nëndetëseve shqiptare i ka tërhequr vëmendjen efektivit të bazës lundruese dhe ka marrë masat përkatëse lidhur me to.

 

Sqarimi i problemeve të mëparshme

Tregon se disa raste të prishjes së rregullit e të disiplinës kanë ndodhur si nga pala shqiptare, ashtu dhe nga pala sovjetike, në lidhje me të cilat janë marrë masat përkatëse. Të tilla mangësi kanë ndodhur jo vetëm në muajt dhjetor 1960- janar e shkurt 1961, siç shkruan me të padrejtë përfaqësuesi i Komandës së Bashkuar të Traktatit të Varshavës, por kanë ndodhur dhe më parë, si në vitin 1960 dhe në vitet e mëparshme...

Sa më sipër, mund të sjellim si shembuj të thyerjeve nga të dyja palët rastet e mëposhtme:

- 5 janar 1961 në bordin e bazës lundruese “Tomori” oficeri dezhurn shqiptar kapi detarët sovjetikë që pinin duhan në vende të ndaluara. Ai u tërhoqi vëmendjen, e pas kësaj, ata u larguan.

- 2 shkurt 1961 në bazën lundruese “Tomori” nga ekuipazhi sovjetik është hequr ventilatori kryesor i makinës kryesore, ku si rezultat u dëmtua rëndë pajisja luftarake…

Mosmarrëveshjet lidhur me koordinimin e veprimeve dhe respektimin e kompetencave në bazën e rregullit ekzistues.

- Në informimin reciprok midis shërbimit operativ të grupit të nëndetëseve shqiptare dhe shërbimit Operativ të komandës sovjetike të Brigadës së Nëndetëseve ka patur mangësi, raste të thyerjes së rregullave nga të dyja palët.

Njëkohësisht është i papranueshëm pretendimi i datës 28 shkurt që shërbimi Operativ i Nëndetëseve shqiptare  për lëvizjen e anijeve në Pashaliman duhet t’i marrë leje shërbimit operativ të komandës sovjetike. Mbi bazën e instruksionit, përgjegjësinë për organizimin dhe drejtimin e lëvizjeve në Pashaliman e ka komanda shqiptare. Dhe në qoftë se do të ketë raste të çrregullimeve, atëherë përgjegjësia do të bjerë mbi shtabin sovjetik të nëndetëseve, si rezultat i mosrespektimit  nga ana e tyre të planit të përbashkët të lëvizjeve ose nga mosnjoftimi i efektivit të tyre në det për lëvizjet e jashtme.

- Është e vërtetë që më 26 shkurt 1961 në kohën e daljes nga moli të anijes çisternë (e ujit) nga manovrimi i keq, në kushte të këqia hidrometeorologjike, preku lehtë nëndetësen 270 që ndodhej afër dhe shkaktoi një gropëzim të lehtë në trupin e saj. Ndodhin çrregullime të mëdha. Po sjellim disa shembuj:

1- Nëndetëset nr. 276 dhe 282, kanë lëvizur nga vendbazimi respektivisht më 19 dhe 23 janar 1961.

Transportuesi sovjetik “Sejma” pa leje, kaloi nga bordi i bazës lundruese 519 më 23.1.1961. Kështu, gjatë muajit janar kanë ndodhur 12 raste të tilla, ndërsa anijet e njësisë sovjetike që kanë lëvizur me urdhër direkt të operativit të komandës sovjetike nuk i janë përgjigjur sinjalit të grupit shqiptar.

Nga ana tjetër, duhet theksuar që përplasja e anijeve nga manovra të pamenduara kanë ndodhur nga pala sovjetike, bile shumë të theksuara. Kështu ishte për shembull, rasti i Katerit nr.146, i cili u mbyt në kiç të bazës lundruese “Katelnikov” dhe rasti me nëndetësen nr. 374, e cila u përplas me shkëmbinjtë e ishullit Sazan.

- Nuk është e vërtetë që nëndetësja 296 është nxjerrë nga doku pa dijeninë e komandantit sovjetik të Brigadës. Për këtë disponohen dokumenta për marrjen e lejës nga ana e komandantit sovjetik. Komandanti shqiptar i dokut, gjithashtu nuk e ka kryer zhytjen e dokut më 3.2.1961 në mungesë të ekuipazhit të nëndetëses; e bëri manovrën duke e plotësuar me sasinë e nevojshme të ujit dhe në të vërtetë kjo nuk solli asnjë lloj avarie.

Në bazë të kapitullit të parë të marrëveshjes së 3 gushtit 1959, të vendosur nga dy qeveritë, RPSH  dhe qeverisë së BRSS, baza lundruese “Tomori” dhe anijet e tjera janë në varësi të komandës shqiptare. Në fuqinë e kësaj marrëveshje, kundëradmiral Abdi Mati, nuk është futur në kompetencat e komandantit sovjetik të Brigadës së Nëndetëseve, por komandanti i Brigatës S.G. Jogerov dhe kundëradmirali A.V. Sagrebiu ngatërrojnë kompetencat e tyre, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera, duke prishur me këtë dhe vetë marrëveshjen.

Kërkesa këmbëngulëse e kundëradmiralit Abdi Mati për kthimin e bazës në mol, se në rast moskthimi të pabazuar të gjitha komandat e nëndetëseve që jetojnë në bazën e saj do të mbeteshin pa ushqim e strehim gjatë mungesës së saj.

Midis të tjerave nuk është e qartë këmbëngulja e kundëradmiralëve sovjetikë se baza mbeti në radën e jashtme për shkaqe meteorologjike, kur atë ditë, ashtu siç parashikohej, ishte kohë e mirë dhe dhe jo siç parashkruhet nga përfqësuesi i Komandës së Përgjithshme në informacion.

- Në bazën lundruese “Tomori” ka mangësi lidhur me informimin reciprok midis efektivave të dy vendeve, si nga pala shqiptare, edhe nga komandantët instruktorë të bazës lundruese.

Është me vend të theksojmë që përmbajtja e informacionit të Komandës së Bashkuar e llogarit komandën shqiptare që ndodhet në bazën “Tomori” si nxënëse pa kurrfarë përgjegjësie dhe kompetence. Është jashtë çdo dyshimi se kjo sjellje është në kundërshtim me marrëveshjet respektive që i kanë kaluar RPSH-së  pronësinë mbi anijet e bazës ushtarake të Vlorës, kalim ky që është bërë në momentin e mbërritjes në Pashaliman faktikisht, si dhe me frymën e marrëveshjeve vëllazërore dhe respektit reciprok që duhet të ekzistojnë midis forcave të armatosura të vendeve socialiste. Këto marrëveshje i njohin komandës shqiptare të Bazës kompetenca të përcaktuara dhe mbi bazën e tyre janë hartuar instruksionet për shërbimet në gji.

Shfaqja e marëdhënieve të parregullta e ofenduese ndaj komandës dhe efektivit shqiptar  të Bazës së Vlorës kanë qenë jo të rralla dhe nga ana e detarëve dhe oficerëve sovjetikë të Bazës së Vlorës”.

 

KONSTATIM

“Rrugë e gabuar e marrëdhënieve”

“Kjo rrugë e gabuar e marrëdhënieve mes komandës shqiptare të grupit dhe mosbindjes së hierarkisë, vazhdon sot e gjithë ditën nga ana e efektivit sovjetik, duke mos parë atë që këshilltari sovjetik i Komandantit të Flotës dhe komandanti sovjetik i Brigadës së nëndetëseve,  i premtuan Komandantit të Flotës shqiptare në fund të vitit 1960, për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje jo normale. Kështu për shembull, komandanti sovjetik i nëndetëses 296, që futej në kuadrin e grupit shqiptar të Nëndetëseve,  më 4.12.1960, i ka thënë komandantit të grupit, Kapitenit të Rangut të tretë Dashamir Ohri: “Unë nuk e lëviz Nëndetësen nga vendi edhe me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes së RPSH. Unë zbatoj vetëm urdhrat e komandantit sovjetik të Nëndetëseve”.  Shembull tjetër, po në këtë drejtim, është rasti i Kundëradmiralit Jogorov, i cili më 15 nëntor 1960, duke iu drejtuar komandantit shqiptar të grupit të Nëndetëseve, gjithë urrejtje, i tha: “Nëndetëset nuk janë tuajat, prezenca në to e flamurit shqiptar dhe kalimi i tyre qeverisë së Republikës së Shqipërisë nga ana jonë, sipas dokumentave zyrtare në kohën e mbërritjes së anijeve në Bazën e Vlorës, quhet  vetëm akt politik formal nga ana jonë”.