SITUATË E QETË EKONOMIKE DHE FINANCIARE NË SHQIPËRI - ANALIZË NGA GENT SEJKO

SITUATË E QETË EKONOMIKE DHE FINANCIARE NË SHQIPËRI - ANALIZË NGA GENT SEJKO
Nga Gent Sejko

Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Pozicioni ciklik dhe ekuilibrat e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare kanë vijuar të përmirësohen. Zgjerimi i kërkesës agregate, i ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së konsumit dhe investimeve private, ka mundësuar ruajtjen e trendit pozitiv të rritjes ekonomike dhe shfrytëzimin gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese. Paralelisht me to, balancat e jashtme të ekonomisë kanë ardhur në përmirësim, borxhi i brendshëm është reduktuar dhe bilancet financiare të sektorit privat janë forcuar.

Rritja e punësimit dhe e pagave ka sjellë forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Megjithatë, norma e inflacionit mbetet ende nën objektiv, si pasojë e forcimit të kursit të këmbimit dhe e faktit se kërkesa agregate është ende e pamjaftueshme për të siguruar kthimin e inflacionit në objektiv.

Tregjet e brendshme financiare shfaqen të qeta dhe të përshtatshme për mbështetjen e rritjes ekonomike. Likuiditeti në sektorin bankar është i bollshëm, normat e interesit të kredive janë në nivele të ulëta dhe kursi i këmbimit paraqitet relativisht i qëndrueshëm. Po ashtu, kredia bankare ka shënuar përmirësim të ritmeve të rritjes dhe diversifikim gradual të strukturës të portofolit. Treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar – likuiditeti, kapitalizimi, përfitueshmëria – mbeten në nivele të larta, ndërsa treguesi i kredisë me probleme ka një trend të qartë rënës. Së bashku me konsolidimin në proces të sektorit bankar, ato i hapin rrugë një qëndrimi më aktiv të tij në kreditim.

Këto trende zhvillimi kanë pasqyruar: përmirësimin e ambientit të jashtëm; harmonizimin e konsolidimit fiskal me stimulin monetar dhe politikat e stabilizimit dhe zhvillimit të sektorit financiar, si dhe reformat strukturore të ndërmarra gjatë kësaj periudhe.

Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2018, ka vijuar e madje forcuar stimulin monetar, duke ulur më tej kostot e financimit dhe duke zbutur luhatjet e tregut valutor. Po ashtu, gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë ka punuar për zbatimin e planit të masave për reduktimin e kredive me probleme; ka ndërmarrë veprime konkrete për zbatimin e programit kombëtar për rritjen e përdorimit të lekut në jetën ekonomike dhe financiare të vendit; ka punuar për përmirësimin e kuadrit rregullator, të praktikave mbikëqyrëse të sektorit bankar dhe për forcimin e rrjeteve të sigurisë së sistemit financiar; si dhe, ka ushtruar më tej kompetencat e veta për zhvillimin e tregut financiar dhe të sistemeve të pagesave.

Perspektivat e zhvillimit të vendit mbeten pozitive. Në mungesë të goditjeve, ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në afatin e mesëm, duke nxitur rritjen e punësimit e të pagave, kthimin e inflacionit në objektiv dhe përmirësimin e mëtejshëm të ekuilibrave të përgjithshëm makroekonomikë.

Materializimi i këtyre parashikimeve dhe përmbushja e objektivave tona kërkon ruajtjen e kahut aktual të politikave ekonomike: stimulit monetar, konsolidimit fiskal dhe kujdesit ndaj stabilitetit financiar. Në veçanti, normalizimi i politikës monetare do të jetë i kujdesshëm dhe intensiteti i stimulit monetar do të përshtatet me balancën e presioneve inflacioniste.

Nga ana tjetër, balanca e rreziqeve paraqitet e zhvendosur dukshëm në kahun e poshtëm. Në veçanti, përkeqësimi i ndjeshëm i ambientit të huaj dhe tensioni i rritur politik në vend, mund të sjellin pasoja negative në ekonomi. Banka e Shqipërisë po monitoron me vëmendje zhvillimet e huaja, duke synuar të identifikojë reagimin e duhur dhe ta ndërmarrë në kohë atë. Po ashtu, ne gjykojmë se çdo përpjekje në funksion të qetësimit të situatës politike do të kontribuonte në ruajtjen e trendit pozitiv të zhvillimeve ekonomike.

Në çdo rast, reagimi i Bankës së Shqipërisë nëpërmjet instrumenteve të saj kryesore: politikës monetare dhe rregullimit e mbikëqyrjes bankare, do të jetë koherent me sfidat që kemi përpara dhe konsistent me përmbushjen e objektivave tona.

Në afatin e gjatë, Banka e Shqipërisë vijon të konstatojë se vendi ka nevojë për vazhdimin e reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë rritjen e produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë, përshpejtimin e ritmit të rritjes dhe të ritmit të konvergjencës me Bashkimin Evropian, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë së ekonomisë dhe sistemit financiar shqiptar.

Reformat strukturore duhet të vijojnë të jenë largpamëse, ambicioze dhe gjithëpërfshirëse. Ato duhet të ankorohen gjithnjë e më tepër në procesin e integrimit evropian dhe të synojnë një konsensus sa më të gjerë politik e social.

Brenda fushës së saj të ekspertizës, Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet një partner i angazhuar dhe serioz në çuarjen përpara të axhendës së zhvillimit të vendit.