Shantazhi si institucion!

Shantazhi si institucion!
Nga Juela Meçani

Një ngjarje e rëndë në një provincë të Shqipërisë, vetëflijimi i një vajze adoleshente pas shantazhit dhe kërcënimeve të një të riu që kërkonte para, ndryshe do të publikonte video a foto, bëri të pluskojë në sipërfaqe një llum që deri dje ishte aty, por fshihej mirë nën errësirën e ujit të ndotur. Një akt edhe më i rëndë se bulizmi, shantazhi tashmë në këtë vend është kthyer në një institucion që po pret koka e që po përdoret paralel me paranë. Kjo kulturë e tmerrshme e kërcënimit, e shantazhit, e presionit, nuk ka ardhur nga asgjëja.

Të rinjtë e sotëm po rriten e mëkohen me këtë institucion e këtu ka dorë edhe politika. Dokumentet e vjetër kanë hedhur dritë mbi shantazhin e vazhdueshëm të ushtruar nga hetuesia mbi njerëzit e thjeshtë, në vitet e diktaturës. Gjithashtu nuk janë të pakta rastet kur shantazhi përdorej mes udhëheqësve komunistë për pushtet ose vetë ata ishin të shantazhuar nga shërbimet e huaja të spiunazhit. Por edhe ndërrimi i sistemeve nuk solli një ndryshim në këtë aspekt. Politika shqiptare, në jo pak raste, ndërtoi themelet mbi shantazhin, herë të shfaqur hapur e herë me kode e kjo vazhdon me më shumë intensitet deri më sot. Dosja e zezë, çanta e zezë, stilolapsi i zi, celulari i zi, kamera e zezë, çimkat me zë e pa zë, letra me vulë e pa vulë, tendera, media. Një vorbull e rëndë shantazhuese që mban në këmbë personazhe “të frikshëm”, intriga të thurura me art, për pushtet e para’. E si mundet që në këtë klimë frike, presioni psikologjik, shantazhi institucional, të rinjtë e sotëm të kenë një kulturë të paqme e të kthjellët perëndimore?

Që në hapat e para të jetës prindi u drejton gishtin e u thotë se “kur të shkoj në shtëpi, ta tregoj unë qejfin ty”, motra u thotë “më jep lekë se ndryshe do i tregoj babit”, shoqja i thotë se “do rrëfejë të gjitha sekretet” që dikur ngjizte miqësia që më pas u prish, mësuesja shantazhon se nëse nuk paguhet ose “nuk ndiqen kurset” notën e mirë ta harrojnë e kështu me radhë vijnë ndër vite shantazhet në jetën e një të riu. Në një liri në falsitet, në një demokraci pa demokraci, të rinjtë shqiptarë rriten me idenë se kështu funksionon, se shantazhi qenka normalitet, se shteti nuk ekziston e se vetë përdor shantazh kur i duhet, se ligji nuk godet sepse vetë përdoret për shantazh e gatuan shantazh.

Presioni, fizik ose psikologjik qoftë, u rri shqiptarëve si ajo shpata e Demokleut mbi kokë ndaj tashmë jemi qenie me frikë në zemër, që ruajmë shpinën orë e minutë, kemi panik edhe nga hija jonë. Agresiviteti shoqëror i puqur me injorancën, me dëshirën për pasurim të shpejtë, me një edukim skandaloz familjar, me një rreth shoqëror si një tufë ujqërish, në grupe si çetnikë, gati për sulm, është i lidhur ngushtë me shantazhin që në Shqipëri po merr tashmë jetë njerëzish, po ha koka, duke mos u mjaftuar më vetëm me shkatërrimin e jetës së atyre që jetojnë me frikë si hallkë e dobët e shoqërisë.

Ngjarja e rëndë që tregoi se shumë të tilla kishte në atë qytet, por që ishin fshehur deri më tani, në të gjithë dimensionin e saj fatal, le të jetë një alarm i madh për shoqërinë shqiptare, kaq e etur për gjak e skandale, vuajariste, përgjuese, përtallëse, zhargonale, spiune deri në momentin që nuk i troket në derë të saj.

Të miturit në shumicën e rasteve nuk tregojnë e nuk rrëfejnë se çfarë i mundon, nuk kanë besim tek shkolla e cila po i vret aq sa po i mëson, nuk kanë më besim tek miqësia e cila po e pret në besë, nuk kanë besim tek shteti, burim i pashtershëm shantazhesh për pushtet. Kjo mungesë besimi po e vret rininë shqiptare ndaj i vetmi sinjal që duhet të jepet është një rritje e shumëfishtë e dënimit për një shantazhues, pa kushte, pa interpretime, pa asnjë lehtësim. Një shantazhues është arsenik. Helmon pa lënë gjurmë të dukshme me sy të lirë. Nëse del në sipërfaqe, duhet goditur, njësoj me një killer.