RRUGA E MIUT - KOMENT NGA FRROK ÇUPI

RRUGA E MIUT - KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Po u kthye njeriu, aq më tepër politikani, në mi, domethënë të bëjë të njëjtën rrugë të mbyllur, atëherë na mori lumi.

Ai shkon e vjen, sa herë të duash brenda ditës, por në të njëjtën rrugë; ndoshta nga copa e djathit- në fole. Këtë jetë ka edhe njeriu po të kthehet në ‘mi’, ose në një rrugë si në një epokë- në epokën tjetër...

Po na shfaqen parasysh sjelljet instinktive të ‘rrugës së miut’, jo veç te disa njerëz që ‘nuk ke çfarë u kërkon’, por te burrat e shtetit.

Shtetarë në rrugën e mbyllur:

1.Opozita është kthyer në zakonin e vjetër të kërkimit të pushtetit: o me dhunë, o me lypje. Opozita (PD-lSI) ka dalë nga sistemi kushtetues me qëllim që të arrijë të paktën në ‘një copë djathi’, d.m.th. te pushteti patjetër. Njëra rrugë është kthimi në celulë dhune për të marrë pushtetin ‘me zjarr e me hekur’; gjë që e ka praktikuar dy a tre herë më parë. Rruga e dytë është dalja nga sistemi, me qëllim që të bëjë rolin e ‘viktimës’. Tani po ndez zjarre, dhunon njerëz dhe zgjon perëndimorë me qëllim që ta dëgjojë maxhoranca. Kur e dëgjon qeveria, do të thotë se ‘do t’i japë pak pushtet në tavolinë’. Kjo ka ndodhur në maj 2017 dhe opozitës nuk i doli keq. Të paktën mori pak ‘ushqim’ më shumë se sa meritonte. Ky është sindromi i zonjës Makbeth: ‘Për të shlyer papastërtinë morale, ruan pastërti ekstreme fizike - edhe derën e hap me doreza’ në duar...

  1. Zyrtarë të lartë të mazhorancës janë kthyer në epokën e miut që ‘nuk gjen më ushqim’ në vendin e caktuar... Zyrtarë që sapo largohen nga posti, ministra, zëvendës-ministra, deputetë, sapo janë larguar kanë ngritur zërin se ‘aty pashë ferrin’. Reporterët dhe opozitarët sulen te vendi i ‘krimit’ sikur ‘kanë zbuluar ‘misterin e fundit’. Në fakt ky është kthim aty ku sapo kishin qenë. Zyrtarë mercenarë janë përsëritur në të gjithë kohët, madje edhe në diktaturë, kur anëtarë të politbyrosë u mbyllën në burgje por u shpallën ‘heronj të lirisë’. Mazhoranca ka fiksim përdorimin e pushtetit për korrupsion, ashtu sikurse edhe opozita- ardhjen në pushtet, po për korrupsion. E shëmtuar, por si rruga e mbyllur e miut, për copën e djathit.... Nuk përfillen njerëz mendjendritur dhe vizionarë.
  2. Kryeministri shqiptar i Kosovës, Haradinaj di vetëm rrugën e mbyllur ‘Serbi- Serbi!’. As edhe rrugën pak më të gjatë Kosovë-Serbi nuk e pranon; aq më pak rrugën e hapësirave të qytetërimit perëndimor. Meqë një herë tha se ‘taksën për Serbinë nuk e heq’, ka ngecur këtu, pavarësisht se dëmtohen interesat e Kosovës. Betimi se ‘nuk e ha bukën e serbit’, e bën një ‘burrë bese’, por jo burrë shteti. Rruga i është mbyllur që para viteve ’99, kur edhe qiellin e pengonte Serbia. Shumë pacientë të Frojdit mbajnë mend vetëm përpjekjet e tyre për të dëbuar kujtimet e ankthshme... Për dritë-shkurtrit, po të mos kishte Serbi, nuk do të kishte as Kosovë..., po të mos kishte ‘dushmanë’ nuk do të kishte as shqiptarë...Tani është epokë tjetër; duket hapur rrugë dhe zhvilluar kombi.
  3. Media është kthyer në dhomën e mbyllur: lajme të rreme, kultura zero, kërcënime alias prokurorësh dhe tentativë për të kontrolluar pushtetet e tjerë. Në fakt këtë pozitë e ka shijuar media disa vite të shkuara, kur edhe listën e deputetëve dhe anëtarët e qeverisë, i caktonte dikush në një media a në dy. Ishte mësuar të përkëdhelej dhe të skllavërohej, njëkohësisht... Media po bën rrugën që ka mësuar dikur: po të mos e përkëdhelësh, nxin ekranet. Filozofi gjerman Shopenhauer thoshte për kategorinë se ‘skllavit, po i fërkove kokën, të zbuloi b...’.
  4. Kriminelë, banditë, abuzues..., sapo shikojnë se politika nuk është mirë, dalin nga strofka për te ‘djathi’..., si miu. Sapo politika ra në ‘krizë’, u shtua numri i krimeve të rënda; sulmohen individët dhe banesat, shantazhohen vajzat dhe të dobëtit, aktivizohen rrugët e drogës, te dera e pallatit dikush pret që të kërkon xhepat... Është dobësuar forca e shtetit dhe është rritur guximi i ‘miut’. Pesëdhjetë banorë të paligjshëm të ‘Astirit’ po tundin vendin; opozita përkrah atë që bëri kur ishte në pushtet dhe i instaloi ata në tokën e botës. Fenomeni ‘miu’ kërkon më shumë: Kërkon që të mos kryhen investimet e mëdha të shtetit, të mos ndërtohet rruga as teatri, as biblioteka, as universiteti; të mos qytetërohet qyteti dhe të mos modernizohet shteti...

Këtu është e tëra: Që kombi të vërtitet rreth vetes. Megjithatë kombi nuk mund të mbyllet në ‘rrugën e miut’.

Ky artikull u shkrua ekskluzivisht për “Albanian Free Press” dhe afp.al. ndalohet rreptësisht ripublikimi nga çdo media tjetër. Në rast kundravajtjeje, do të publikohen shkelësit

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press