Nga 1 korriku, tarifat e zbutura roaming me rajonin

Nga 1 korriku, tarifat e zbutura roaming me rajonin
Duke filluar nga 1 korriku i këtij viti, Shqipëria do të aplikojë tarifa më të zbutura telefonike roaming me vendet e rajonit. Kjo qëndron në bazë të një dokumenti që është përgatitur nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Sipas tij, nga kjo datë do nisë ulja e përshkallëzuar e tarifave roaming me vendet e rajonit, deri në heqjen përfundimtare të tyre brenda dy vitesh. Konkretisht, sipas tij, duke filluar nga 1 korriku i këtij viti, tarifa maksimale për thirrjet dalëse në roaming, përfshi TVSH-në do të jetë 28.5 lekë për minutë, për thirrjet hyrëse 6 lekë për minutë, për mesazhet e shkruara 9 lekë për njësi, ndërsa për internetin 26.37 lekë për megabyte.

Ndërsa, nga 1 korriku 2020, deri në 30 qershor 2021, tarifa për thirrjet hyrëse në roaming do të ulet në rreth 3.75 lekë për minutë, ndërsa tarifa për shërbimet e tjera do të qëndrojë e njëjtë si në fazën e parë. Nga ana tjetër, 1 korriku 2021 të gjitha tarifat shtesë do të hiqen dhe përdoruesit shqiptarë që përdorin roaming në vendet e rajonit do të paguajnë çmime të njëjta si në Shqipëri.

Sipas dokumentit në fjalë, gjatë periudhës tranzitore, operatorët do të jenë të lirë të ofrojnë paketa ofertë në roaming, me kushtin që konsumi i plotë i sasisë së lejuar të mos çojë në tarifë për njësi më të lartë se tarifat standarde tavan.

Kujtojmë sakaq se marrëveshja për uljen e përshkallëzuar, deri në heqjen totale të tarifave roaming u nënshkrua në fillim të muajit prill në samitin dixhital të Beogradit, mes vendeve si Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina.