NË MOSHËN E KRIZËS - KOMENT NGA FRROK ÇUPI

NË MOSHËN E KRIZËS - KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Politika është si gruaja, njësoj si qenia njerëzore; fazat e moshës e venë para të papriturave.

Ndërsa politika e ka më të lehtë se vetë njeriu: Politika e shikon veten në krizë dhe tërhiqet, shkon në punën e saj; njeriu nuk ka shumë gjë në dorë... Por kjo ndodh në shoqëritë dhe politikën e përparuar të kombeve perëndimorë.

Në vendin tonë po vuajmë moshën e partive të opozitës: PD dhe LSI e kanë mbyllur ciklin e jetës, por nuk kthehen në jetë humane.

Partia Demokratike humbi para popullit vetëm tre muaj pasi fitoi zgjedhjet e 22 marsit 1992; në korrik të atij viti humbi zgjedhjet vendore, por nuk u tërhoq. Po të kishte njohur që atëherë veten PD, sot nuk do të kishim më këto kriza politike; madje nuk do të kishte as LSI, që në fund të fundit mund të themi se është veç një ‘sekt majtist’, por nuk u bë kurrë parti ‘politike’.

Dy partitë e opozitës, pas mbylljes së ‘moshës’ hynë në rrugën e përdorimit të mjeteve jo- politike. Sot mund të themi se janë kthyer në ‘grupime militare’. Që nga momenti kur ndjenë ‘moshën e kapërcyer’ PD dhe LSI kanë dalë në rrugë dhe po ushtrojnë dhunë te të tjerët, imponohen, ndotin fjalorin, bllokojnë rrugët, braktisin parlamentin, njoftojnë vdekjen e kundërshtarit, thërrasin militantë që të sulmojnë sheshet dhe të trembin njerëzit.

...Sot të dy partitë ‘opozitare’ kanë njoftuar se kanë krijuar ‘programin e qeverisë tranzitore’ edhe pse nuk janë as ‘politike’, as ‘ligjvënëse’ dhe as ‘shtetformuese’. Bllokimi i rrugëve është hapi i dytë i ditës... Pastaj kanë paralajmëruar akte të tjera force, deri në ditën e zgjedhjeve në 30 qershor kur kanë paralajmëruar ‘terror për të mos lejuar zgjedhje’, djegie kutish, rrëmbim njerëzish, zhduke gjurmësh të votimeve.

Dy partitë nuk mund të kthehen më në ‘politike’; nga parti politike në parti militare edhe është e kalueshme, siç po ndodh. Ndërsa nga ‘militare’ në politike - kjo është një punë e vdekur. FARK i Kolumbisë që ushtroi dhunë që nga viti 1964 - nuk u kthye kurrë në ‘politike’, edhe pse u thërrit në bisedime për armëpushim në vitin 2016. Rast tjetër nuk ka bota.

Para ‘pamundësisë’ për kthimin politik, të dy partitë po luajnë me absurdin dhe me rrezikun e paqes njerëzore.

Shikoni çfarë po ndodh, thjesht dhe ftohtë (të ftohta janë në qëllimet e tyre edhe dy partitë PD dhe LSI, paçka pse duken emocionale dhe pa kuptim).

1.

Po ndodh kërcënimi i tyre ‘o na bëni pjesë të qeverisë, o u dogjëm shtëpinë!’. Partitë dolën nga Parlamenti me shpresë se mazhoranca dhe kancelaritë e Perëndimit do të tremben dhe do t’u thonë ‘Hajdeni këtu, rrini të qetë, por merrni çfarë të doni’. Opozita i ka shitur deri më sot aksionet e militantëve duke vjelë përfitime për liderët dhe të afërmit. A do të shesë kësaj here? Kjo është çështja. LSI ka jetuar dhe jeton vetëm mbi interesa financiare dhe influencë interesash politike; PD kërkon kthimin e eksperiencës së saj të dhunshme.

2.

Të dyja partitë, tashmë të dala jashtë kohës, nuk e kanë objektiv qeverinë, as rrëzimin e saj, as zgjedhjet e ndershme. Ato e dinë se as janë të besueshme dhe as të gatshme që të qeverisin vendin. Kërcënimin dhe dhunën i përdorin në dy drejtime të tjerë: E para ndaj popullit; e dyta, ndaj Perëndimit...

Popullit i kërkojnë ‘doni të hapim rrugën? Atëherë detyroni qeverinë të na japë shpërblimin!’. Ndërsa Perëndimit i kërkojnë që ‘të zgjohet’ dhe të frikësohet për prishjen e stabilitetit në rajon...

Por as njëra, as tjetra nuk po ndodh. Lëvizja e opozitës ka rënë në sterilitet; Perëndimi nuk po e përmend opozitën e dalë nga politika, as po shqetësohet, as po gëzohet.

3.

Të dy partitë, PD dhe LSI, ndodhen përballë reformave për modernizimin e shtetit - gjë që nuk e pranojnë. Nuk pranohet Reforma në Drejtësi, Teatri i ri, rrugët e gjëra, formalizimi i ekonomisë dhe i financave... Jo thjesht nuk e pranojnë, por nuk mund të mbijetojnë në atmosferë moderne. Shumë njerëz po thonë se disa liderë do të shkojnë para Drejtësisë, prandaj ‘kanë frikë’. Edhe sikur të mos ndodhë kjo, lidershipi i dy partive nuk mund të përballojë klimën e shtetit modern; nuk ka nevojë për ‘burgje’, të dyja asfiksohen në klimë moderne.

... A mund të kthehet në jetë qenia pa dëshirën e Zotit dhe të njeriut?

Ky artikull u shkrua ekskluzivisht për “Albanian Free Press” dhe afp.al. ndalohet rreptësisht ripublikimi nga çdo media tjetër. Në rast kundravajtjeje, do të publikohen shkelësit

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press