Korçë, Vllaznia fiton finalen “e ringjalljes” së volejbollit

Korçë, Vllaznia fiton finalen “e ringjalljes” së volejbollit
Partizani shpalle kampion i Shqipërisë me dy ekipet e volejbollit, për ferma e meshkuj. Në Korçë, për të reja vajzat shkodrane ngrenë trofeun, në një finale emocionuese për këtë sport  

Nga Aranit Muraçi

Paraqitjet e suksesshme gjatë dy viteve të fundit të ekipeve tona kombëtare të Volejbollit, për femra dhe meshkuj, nuk duhen konsideruar si të rastësishme. Një nga sportet më popullore dhe më të suksesshme në vendin tonë, pas një periudhe të gjatë letargjie, duket se është rizgjuar dhe është rikthyer. Në Shqipëri volejbolli ka pasur kampionë çdo vit, për të rritur, por ato kanë mbetur në “hije”. Madje ka pasur sezone, kur garat e këtij sporti që në vendet e tjera që na rrethojnë sa vjen e zhvillohet, çuditërisht është vënë në pikëpyetje për mungesë fondesh. Për vite me radhë Volejbolli i të rinjve e të rejave as është përmendur fare. Një erë re, duket se po fryn edhe për volejbollin, që i dha Shqipërisë sa e sa kampionë ndër vite. Ky sezon përveç rivalitetit që nxori Partizanin kampion për femrave dhe meshkuj, solli edhe një finale interesante për vajzat e reja të volejbollit, mes Vllaznisë e Skënderbeut, duke zgjeruar hartën e së ardhmes së këtij sporti. Vllaznia shpallet për herë të katërt kampione, por finalen e diskutoi me një tjetër me plot tradita, si Korça.

E ardhmja në Shkodër e Korçë

Pasioni mbetet. Është rikthyer vëmendja ndaj një sporti të harruar dhe bashkë me të edhe suksesi. Vajzat shkodrane të volejbollit për të reja, falë një sezoni të shkëlqyer janë shpallur kampione të Shqipërisë. Ato triumfuan në ndeshjen e dytë “Play-off”, ndaj Skënderbeut të Korçës, dhe kjo finale zbulon edhe faktin se një tjetër qytet i madh po rikthen traditën e një sporti të dashur për shqiptarët, volejbollit.  Vllaznia u kurorëzua dje kampione e Shqipërisë në volejboll për të reja. Skuadra shkodrane fitoi 3-1 në Korçë ndaj Skënderbeut (25-21, 25-19, 21-25, 26-24) në finalen e dytë “Play-off”, për këtë kategori, duke u shpallur kampione e vendit për të reja. Javën e kaluar skuadra e drejtuar nga trajnerët Ana Gjelaj dhe Ferdinad Bardeli e pati  fituar 3-0 ndeshjen e parë në Shkodër. Një triumf i merituar i ekipit shkodran, që konfirmohet si skuadra më e mirë e këtij sezoni për të reja dhe i jep perspektivë qytetit me tradita të larta sportive, për një të ardhme më të mirë në volejboll, një prej sporteve që dikur bënte krenar çdo qytetar shkodran dhe sportdashës shqiptar.

E tashmja i përket Partizanit

Dy ekipet profesioniste të Partizanit, për të rritur,  në volejbollin shqiptar, për meshkuj e femra, mbyllën një sezon të shkëlqyer, duke u kurorëzuar me titullin kampion. Edhe Federata Europiane e Volejbollit i ka uruar përmes një mesazhi, të dyja ekipet e Partizanit, për ferma dhe meshkuj, që sapo fituan titullin kampion në Shqipëri. Ishte ekipi i volejbollit të femrave të Partizanit që fitoi ndeshjet “Play-off”, ndaj Tiranës dhe ngriti trofeun kampion. Në fundjavë, për meshkuj po ekipi i Partizanit u shpall kampion për meshkuj, falë fitores ndaj Vllaznisë në Shkodër. Madje kjo fitore u sigurua pas 38 vite pritje. Skuadra kryeqytetase e mbylli me 3 ndeshje çështjen e titullit të kampiones së Shqipërisë në volejboll për meshkuj, duke shënuar dy fitore në Shkodër dhe një në Tiranë. Suksesi i tyre u shoqërua edhe me interesin e madh të tifozëve shkodranë.

 

Thirrja e vazhdueshme

Ata që e lidhën jetën e tyre me këtë sport, ata që përfaqësojnë sot Shqipërinë, pavarësisht nëse luajnë brenda dhe jashtë e vendit, të gjithë njëzëri, në kontaktet për “Albanian Free Press” janë shprehur se për të rikthyer lavdinë e dikurshme të këtij sporti kërkohet vëmendja e shtetit. Organizimi si dikur nëpër shkolla, pak më tepër investime në infrastrukturë, dhe vëmendja që kërkojnë ekipet profesioniste, janë parë edhe lëvizjet më minimale për një vizion tjetër karshi volejbollit.