Frikë se a do përfitojnë një pension? AMF: Po rriten pensionet vullnetare

Frikë se a do përfitojnë një pension? AMF: Po rriten pensionet vullnetare
“Tregu i pensioneve private vullnetare ka përvijuar tendenca të shpejta rritje nga viti në vit. Kjo si në drejtim të rritje së numrit të anëtarëve pjesëmarrës në fondet e pensionit, ashtu edhe për vlerën e aseteve neto në administrim të fondeve të pensioneve”.

Me një deklaratë të tillë ka dalë dje Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, teksa ka nxjerrë rezultatet e tregut të pensioneve private në vend. Duke treguar kështu se frika a do të përfitojnë ndonjë pension nga shteti në të ardhmen, qytetarët shqiptare duket se janë më të prirur që të pajtohen në një treg pensioni privat.

“Rritja e numrit të anëtarëve është trefishuar në krahasim me fillimet në vitin 2011. Por rritja më e ndjeshme shihet pas vitit 2014. Në fund të vitit 2018 numri i anëtarëve pjesëmarrës në fondet e pensionit është 25.298, pothuajse i trefishuar krahasuar me vitin 2014. Kjo tendencë rritje e pjesëmarrjes në fondet e pensioneve tregon një ndërgjegjësim më të lartë të publikut për potencialin që ofron ky treg”, cilësojnë ekspertët e AMF-së lidhur me një dukuri të tillë. Duke shtuar se paralelisht me këto ritme të larta rritje ka ecur edhe volumi i aseteve neto nën administrim.

“Analiza e të dhënave tregon edhe rritjen e totalit të aseteve neto të fondeve të pensionit. Vlera e aseteve neto ishte 2,289 milionë lekë në fund të vitit 2018 duke treguar një rritje prej 264% krahasuar me fundin e vitit 2014”, përfundon AMF.