Foto dhe dokumente të paekspozuara më parë të Moisiut, vijnë në Shqipëri

Foto dhe dokumente të paekspozuara më parë të Moisiut, vijnë në Shqipëri
AKTIVITETI

Janë mbledhur në arkivat austriake

Në COD - Qendra për Dialog dhe Bashkëqeverisje u hap këto ditë ekspozita “Aleksandër Moisiu, njeriu dhe artisti”. Në të janë ekspozuar foto dhe dokumente të panjohura më parë, mbledhur në arkivat austriake nga studiuesi Pjetër Logoreci gjatë një periudhe kërkimore 7-vjeçare. Kjo ekspozitë u realizua nga COD në bashkëpunim me Fondacionin "Moisiu".

Janë 44 foto të printuara në kanavacë, që tregojnë disa nga momentet më të rëndësishme të jetës së Moisiut si: fëmijëria, familja, dokumentet e rëndësishëm të jetës së aktorit, si dhe pamje nga rolet e tij në film e teatër. Bëhen publike për herë të parë foto me imazhe të objekteve personale të aktorit si: stampa e dorës, flokët origjinalë, maska e vdekjes, spaletat e ushtarakut, kurora e aktorit më të mirë të Evropës, si dhe disa foto nga ceremonia mortore e Aleksandër Moisiut në Vjenë.

Ekspozita sjell foto me objektet personale të aktorit, pronë e Muzeut Kombëtar të Teatrit Austriak, shumë nga të cilat së bashku me dokumente shkresore apo korrespondencën e tij personale, janë dhuruar në vitin 1958 nga bashkëshortja e tij Johanna Terwin.

Në vitin 1971, këtij koleksioni iu shtua dhe trashëgimia dokumentare që kishte mbledhur për Aleksandrin, admiruesja e tij, Maria Dobrozensky.

Përveç këtyre objekteve, në Fondin Moisiu, ka dhe shumë vepra të tjera, si të shkruara, ashtu dhe nga arti pamor të cilat mungojnë këtu, sepse u përkasin koleksioneve private. Përveçse i jashtëzakonshëm profesionalisht, ai ishte i jashtëzakonshëm dhe si njeri. Ai nuk shmangu apo refuzoi asnjëherë ftesat për takime që i dërgoi komuniteti shqiptar.