Debate në KQZ, rrëzohet kërkesa e PD dhe LSI për komisionerë në zgjedhjet e 30 qershorit

Debate në KQZ, rrëzohet kërkesa e PD dhe LSI për komisionerë në zgjedhjet e 30 qershorit
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të mund të kenë komisionerë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Vendimi është marrë mes shumë debatesh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me katër vota pro dhe një kundër.

Argumenti i anëtarëve të KQZ-së është se këto parti nuk janë regjistruar si subjekte për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Është një proces zgjedhor i mbushur me paligjshmëri, që në më shumë se gjysmën e bashkive ofron një kandidaturë të vetme. Eksponentë të mazhorancës kanë kërcënuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të mos regjistrojë komisionerët tanë. Ju paralajmëroj se nëse nuk udhëhiqeni nga ligji, do të ballafaqohet me forcën e ligjit dhe me përgjegjësi penale në rast të shpërdorimit të detyrës. Ligji është i qartë dhe nuk mund të bëhet objekt debate”, tha në mbledhje përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso.

Një deklaratë që është cilësuar si “shantazh” nga anëtari i KQZ-së, Denar Biba.

“Na shantazhove. Ishte e rëndë dhe e ulët”.

Gjithashtu PD denoncoi regjistrimin në zgjedhje të partisë “Bindja Demokratike” të kryesuar nga Astrit Patozi, si të kryer “me shkelje të rënda”.

Vendimi përfundimtar pritet të merret nga Gjykata e Tiranës, ku PD dhe LSI kanë të drejtë të ankimojnë vendimin e KQZ-së brenda pesë ditëve të ardhshme. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

loading...
loading...