BERZH-i përmend krizën politike: “Rrezik për ekonominë, edhe PPP”

BERZH-i përmend krizën politike: “Rrezik për ekonominë, edhe PPP”
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim i ka mbajtur të pandryshuar projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë, deri në nivelin e parashikuar prej 3.9%, si për këtë vit, ashtu edhe për atë të ardhshëm.“Në vitet 2019 dhe 2020, ekonomia shqiptare pritet që të zgjerohet me nivelin prej 3.9%, në të dyja vitet, një hap lehtë më i ngadaltë ky se në vitin 2018, me rritjen që nxitet kryesisht nga konsumi privat”, -thotë BERZH.

Gjithsesi, sipas këtij institucioni të rëndësishëm financiar, rreziqet për ekonominë mbeten, të lidhur kryesisht me ngadalësimin e partnerëve kryesorë ekonomik të vendit, Eurozona, si dhe rreziqet e brendshme.

Por ndër to, banka në fjalë përmend edhe krizën politike që  ka përfshirë vendin tonë, duke iu bashkuar kështu listës së institucioneve, të cilat paralajmërojnë për impaktin që kriza mund të ketë në ekonominë e vendit. Gjithmonë sipas BERZH-it, borxhi i lartë publik me detyrimet e prapambetura që rrjedhin nga skemat e Partneritetit Publik Privat është rreziku tjetër i brendshëm, veç krizës politike.

Madje, ekspertët e kësaj banke, shkojnë edhe më tej, duke pohuar se skemat e PPP-ve janë kontroverse. Sa i përket dëmit që vjen nga partnerët tregtarë, BERZH, ashtu si Komisioni Europian, i bashkohet institucioneve të tjera, si Moody`s, që ngrenë këtë shqetësim.