Vendimi për studentët, bursat e munguara të janarit do jepen në korrik

Vendimi për studentët, bursat e munguara të janarit do jepen në korrik
Zëvendësimi i orëve mësimore është kushti kryesor për përfitimin e burës  së muajit janar.  Ky është vendimi që kanë marrë pjesa dërrmuese e fakulteteve publike për bursat që studentët e fakulteteve publike duhet të merrnin për muajin janar të këtij viti. Si shkak i protestës së nisur që në dhjetor të vitit të shkuar, fakultetet bëjnë me dije se bursat e janarit do të jepen në vlerën e përcaktuar nga qeveria (10,000 lekë), ndërkohë që duhet të përmbushet kriteri i përfitimit që ka të bëjë me zhvillimin e procesit mësimor që i korrespondon kësaj periudhe

Duhet të zëvendësojnë mësimin dhe më pas të përfitojnë bursën. Është ky vendimi që kanë marrë pjesa dërrmuese e fakulteteve publike për bursat që studentët e fakulteteve publike duhet të merrnin për muajin janar të këtij viti. Si shkak i protestës së nisur që në dhjetor të vitit të shkuar, fakultetet bëjnë me dije se bursat e janarit do të jepen në vlerën e përcaktuar nga qeveria (10,000 lekë), ndërkohë që duhet të përmbushet kriteri i përfitimit që ka të bëjë me zhvillimin e procesit mësimor që i korrespondon kësaj periudhe. Duke qenë se ditët e protestës do të zëvendësohen përgjatë fundjavave, si dhe muajit korrik, është vendosur që bursat të jepen pas zëvendësimit të ditëve të munguara.

Konkretisht, Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Tiranës bën me dije se: “Edhe për muajin janar 2019, vlera e bursës që do të përfitojnë studentët është 10,000 lekë. Për shkak të bojkotit dhe protestave nga data 6 dhjetor e vitit të shkuar, deri në  21 janar të 2019-s, frekuentimi i mësimit që është determinues në dhënien ose jo të bursës për studentin,me vendim të brendshëm të fakultetit është lënë për zëvendësim për periudhën në muajin korrik. Pra diferenca e pagesës së pa kryer për shkak të mësimit të pa realizuar gjatë muajit janar do të kalohet në muajin korrik”.

Në të njëjtën formë do të veprojnë edhe fakultetet e tjera publike. Aktualisht po vijohet me ndarjen e bursave për muajt shkurt dhe mars.

Sipas kushteve të përcaktuara në vendimin e qeverisë në lidhje me kriteret përfituese, fakultetet po detajojnë listat e studentëve të cilët duhet të paraqiten pranë bankave të nivelit të dytë për të marrë pagesat përkatëse. Gjithashtu bëhet e ditur se plani i ndarjes së bursave do të vijojë normalisht edhe përgjatë muajve në vijim.

Bursat për kategoritë në nevojë

Sipas kushteve të përcaktuara më herët nga qeveria, krahas studentëve me rezultate të larta, studentët që plotësojnë kriterin ekonomik, si dhe studentët që klasifikohen si kategori në nevojë. Konkretisht, studentë në nevojë konsiderohen: studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike, bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, (të cilit në rastin e bursave do të përfitojnë të dy), studentët, persona me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.

Si kategori në nevojë do të trajtohen edhe studentët që i kanë të dy prindërit me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.

Pjesë e kësaj kategorie janë edhe të gjithë studentët që i kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton, studentët, të tretët në radhën e fëmijëve e lart, të cilët vijnë nga familje me tre fëmijë e më shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë.

Përfitojnë edhe studentët që kanë përfituar statusin e jetimit deri në moshën 25 vjeç, studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, deri në moshën 25 vjeç, studentët që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore, deri në moshën 25 vjeç, si dhe studentët që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.

Bursat e ekselencës

Sa i takon ekselencës, në vendimin e miratuar më herët nga qeveria saktësohet se do të përfitojnë bursë përgjatë këtij viti të gjithë studentët e pranuar në vitin e parë akademik, për çdo program studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, me notë mesatare vjetore mbi 9 nga sistemi i arsimit të mesëm të lartë, të përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë edhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore.

Lista e studentëve që plotësojnë kriterin e notës mesatare është hartuar tashmë nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe u është dërguar institucioneve publike të arsimit të lartë. Gjithashtu, përfitojnë bursë në masën e përcaktuar edhe studentët e regjistruar në çdo program studimi, në vitet pas të parit, me kriterin e notës mesatare mbi 9, të përllogaritur nga institucionet e arsimit të lartë, vetëm për periudhën që ndjekin studimet në këto programe studimi dhe për kohëzgjatjen normale të programit të studimit.

 

Studentët e humbasin të drejtën e përfitimit të bursës, kur konstatohet se:

Janë ndarë nga trungu familjar.

Familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private,

Vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi.

Shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.