Turistët në Shqipëri rrinë mesatarisht 4-5 ditë, shpenzojnë 52 euro në secilën

Turistët në Shqipëri rrinë mesatarisht 4-5 ditë, shpenzojnë 52 euro në secilën
“Pikat kufitare që presin fluksin më të madh të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë janë: Morina 35%, Muriqani 12% dhe Rinasi 12 %. Hyrjet e të huajve nga rajoni i Evropës zënë pjesën më të madhe të totalit të tyre me nivelin prej 89,5%, duke u rritur 13,2% vetëm gjatë vitit të kaluar, 2018”, cilëson BSH-ja.

Thuajse 4-5 ditë. Duke shpenzuar rreth 52 euro për secilën. Ky është fluksi mesatar i qëndrimit dhe i kostos që një turist i huaj ka patur gjatë vitit të kaluar, teksa ka ardhur të vizitojë Shqipërinë. Këto janë shifrat që Banka e Shqipërisë ka dhënë zyrtarisht për turizmin, ku në total gjatë pesë viteve të fundit, sipas saj në vendin tonë kanë hyrë plot 23.6 milionë të huaj.

“Vetëm gjatë vitit 2018, hyrjet e shtetasve të huaj janë 15,8% më shumë se viti 2017”, sqaron gjithashtu BSH-ja. Duke bërë më tej edhe një ndarje të turistëve sa i përket kohës së qëndrimit të tyre në territorin shqiptar.

“Ndërsa numri i vizitorëve ditorë për periudhën e viteve 2014-2018 ka qenë rreth 1.7 milionë, ai ka ardhur duke u dyfishuar gjatë vitit 2018, krahasuar me vitin e mëparshëm 2017”, cilësojnë ekspertët. Në këtë mënyrë, ata japin idenë se vendi ynë po konsiderohet gjithmonë e më shumë si një destinacion i preferuar për të huajt, qofshin këta edhe vizitorë të vetëm një dite, pa fjetur këtu. Sikundër, shtojnë faktin se gjatë viteve të fundit janë shtuar shumë edhe të huajt që akomodohen për disa ditë me radhë në Shqipëri.

“Në periudhën e viteve 2014-2018, numri i vizitorëve të huaj ku përfshihen ata që qëndrojnë të paktën një natë në hotel apo në struktura akomoduese të tjera, tek të afërmit, shtëpitë e tyre, etj) është rreth 21 milionë duke u rritur me nivelin prej 10,7% gjatë 2018-tës”, është shpjegimi konkret që japin rreth kësaj ekspertët e BSH-së. Pasuar edhe nga shifra më të detajuara, si ajo që turistët e huaj të cilët kanë preferuar vjet qëndrimin në hotelet e Shqipërisë kanë qenë 76% e totalit. Kurse ata që kanë ardhur me makina private rezultojnë të kenë qenë rreth 81% e totalit.