Sot gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë: Kukësi humbet Valdet Ramën, fati i Tiranës vendoset në Gjirokastër

Sot gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë: Kukësi humbet Valdet Ramën, fati i Tiranës vendoset në Gjirokastër
Trofeu i kupës dhe shansi i artë për Europën kanë shtuar ambiciet e secilës prej katër ekipeve pjesëmarrëse në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, që të fitojnë trofeun e dytë për nga rëndësia në vend. Sot do të luhen ndeshjet e para, Kukësi-Skënderbeu dhe Luftëtari-Tirana (ora 16:00).

Për Tiranën dhe Luftëtarin, që diskutojnë po ashtu mbijetesën, madje ndeshja e ardhshme e kampionatit rezervon një përplasje direkte mes tyre, trofeu i kupës konsiderohet një mrekulli.

Verilindorët e drejtuar nga Ernest Gjoka kërkojnë  ndihmën e tifozëve në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, me Skënderbeun, në Kamëz.

Presidenti Safet Gjici vendosi para këtij takimi  që në tribunën qendrore hyrja për tifozët të jetë falas.

Nga ana tjetër trajneri Ernest Gjoka nuk do të ketë në dispozicion për këtë ndeshje  dy lojtarë të rëndësishëm, Valdet Rama dhe Edis Maliqi.

Të dy lojtarët të dëmtuar, me shumë mundësi ata rrezikojnë të humbin pjesën e mbetur të të gjithë sezonit.

Valdet Rama është dëmtuar rëndë në menisk dhe pret t’i duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale për të rikuperuar dëmtimin.

Gjoka duhet të llogarisë ndaj Skënderbeut edhe mungesën e mbrojtësit Gëzim Krasniqi, ndërsa trajneri shpreson në rikuperimin e Ylli Shameti.