Sejko: Ristrukturimi i bankave, do të nxitet konkurrenca e ritmi i kreditimit

Sejko: Ristrukturimi i bankave, do të nxitet konkurrenca e ritmi i kreditimit
Gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko paraqiti masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për të garantuar një sektor bankar të qëndrueshëm, likuid dhe të mirëkapitalizuar në vendin tonë.

Aktualisht, ky sektor përshkoi një fazë ristrukturimi, me futjen e aktorëve të rinj dhe bashkimin e disa bankave. Por për Guvernatorin, këto ndryshime janë kryer në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të ushtrojë një mbikëqyrje të kujdesshme për një veprimtari të shëndetshme bankare.

Sipas tij, ristrukturimi i sektorit bankar është zhvillim pozitiv, i cili pritet të ndihmojë në rritjen e konkurrencës dhe krijimin e kushteve të nevojshme për nxitjen e ritmit të kreditimit në vend. Në fund, Sejko tha para ekspertëve të FMN-së dhe BB-së se rritja ekonomike e vendit ka vazhduar trendin pozitiv të saj, mbështetur dhe nga politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë.

“Ruajtja e nivelit të inflacionit në 3% mbetet objektivi kryesor dhe sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, inflacioni pritet të kthehet në objektiv brenda vitit 2020”, tha gjithashtu Sejko.