PAQARTËSIA E NJË PROTESTE PËRBALLË DËSHTIMIT TË QEVERISË – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

PAQARTËSIA E NJË PROTESTE PËRBALLË DËSHTIMIT TË QEVERISË – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Edhe pas protestës së 9-të të opozitës, përsëri Edi Rama nuk iku. Për rreth katër orë opozita e mbushi bulevardin “Dëshmorët e kombit”, premtoi dhe kërkoi largimin e Edi Ramës, por ajo që la pas është se pas dy muajsh mund të themi se protestat janë bërë mëse normale dhe nuk po sjellin rezultat. Nga ana tjetër, kemi një mazhorancë që ndonëse e ka komoditetin e një milion votave dhe të numrave në parlament si askush tjetër në histori, e megjithatë duket e çoroditur, arrogante dhe me raporte ndërkombëtarë që e kanë dërrmuar rëndë moralin e asaj. Po përse kemi një situatë që as opozita nuk po arrin atë që kërkon dhe as qeveria nuk po mbron dot atë që bën?

OPOZITA

Nga i gjithë ai manifestim, mund të themi se opozita ende nuk e ka gjetur mekanizmin për të ndikuar në vënien në vështirësi të mazhorancës. Nisja e aksionit politik me një vendim ekstrem duke lënë mandatet ka sjellë një situatë që çfarëdo të bëjë ajo, nuk mund të jetë më shumë se sa ky veprim. Vërtetë protestat kanë patur pjesëmarrje masive, vërtetë kanë tërhequr vëmendje në Shqipëri dhe në botë saqë po transmetohen live nga media ndërkombëtare, vërtetë janë poli i jetës sociale në vend, por deri më sot nuk kanë sjellë vështirësi në qeverisje.

Edi Rama vijon të jetë kryeministër pa sforco edhe pse Lulzim Basha për 9 herë me radhë kërkoi pjesëmarrje në protestë i bindur se do ta largojë atë, por që në fakt nuk ia ka arritur. Opozita nuk ka sjellë besim te pjesa gri e popullatës që votojnë herë majtas dhe herë djathtas dhe pikërisht këtu duhet parë efekti i protestave. Ndërkohë, problemi numër dy i opozitës është se ajo nuk e ka aleat faktorin ndërkombëtar. Edhe pse disa raporte ndërkombëtare e kanë dërrmuar rëndë qeverinë, sidomos ai i Departamentit të Shtetit, diplomacia amerikane ka deklaruar hapur se është kundër djegies së mandateve, se vendi i opozitës është në parlament dhe se zgjedhjet lokale do mbahen në 30 qershor. Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit Matthew Palmer e tha qartë, shkoqur dhe troç këtë gjë dhe se kreu i opozitës Lulzim Basha vazhdon ti bishtnojë deklaratave të tij. Brenda këtij grushti që diplomacia amerikane i dha opozitës është edhe reforma në drejtësi. Ironia është se opozita vazhdon të sulmojë fort këtë reformë, ndërsa SHBA vijon ta mbrojë me shumë forcë realizimin e saj. E pra, të jesh në rrugë duke protestuar dhe të mos kesh në krah faktorin ndërkombëtar sidomos atë amerikan, është një minus jo i vogël. Opozita duhet ta ketë të qartë se nuk mund të arrijë kurrë një fitore politike nëse nuk do ketë mbështetjen e SHBA-së. Se çfarë do të ndryshojë këtë nuk e dimë edhe pse shkak se ka djegur të gjitha etapat, por fakti që pas dy muajsh bilanci është 9 protesta dhe asnjë ndryshim kjo nuk jep shumë optimizëm.

MAZHORANCA

Nga ana e saj mazhoranca tregon një çoroditje në përpjesëtim të drejtë me atë të opozitës. Ato që tha diplomati Mathew Plamer nuk duhet të merreshin kurrsesi si një mbështetje për punën e mirë të qeverisë. Vërtetë qeveria është legjitime, e ardhur me zgjedhje, në një parlament legjitim dhe që vetëm me votë mund të ndryshojë pushteti. Por kjo mazhorancë duhet të rrijë me kokë ulur përpara shqiptarëve për shumë e shumë arsye. Mjafton të përdorim dy raporte të fundit: Ai i pari i Departamentit të Shtetit që e tregon me gisht Shqipërinë si vend ku prodhohet kanabisi dhe furnizohet Evropa si dhe tranzit i drogërave të forta dhe se vendi ynë është parajsë e pastrimit të parave. Raporti i dytë është ai i instituti suedez “Health Consumer Powerhouse”, sipas të cilit Shqipëria është në vend të fundit në Evropë për shërbimin shëndetësor. Mjafton këto dy raporte që qeveria, Edi Rama dhe mbrojtësit e kësaj qeverie të tregohen shumë herë më të përulur, të mos tregohen arrogantë, të tregojnë maturi dhe më shumë se kaq të kenë aftësinë të zgjidhin këtë krizë politike. Por në realitete nuk po ndodh kështu. Kryeministri Rama, kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla dhe ata pak që kanë dëshirë dhe flasin në mbrojtje të kësaj mazhorance, tregojnë sikur shqiptarët po jetojnë parajsën. Pyetja e madhe është: A ka më turp për një qeveri me këto dy raporte? Themi këto dy raporte, për të mos renditur shumë e shumë probleme të tjera dhe premtimin e madh 6 vjet më parë se me Rilindjen Shqipëria do rilindte. Kjo tregon për një bjerrje të qeverisjes, një dështim në shumë sektorë, një lëshim të punës së saj dhe sado që propaganda të jetë më lart se sa puna, përsëri dukja e defekteve është e madhe. Grabiten për herë të dytë rreth 10 milionë Euro në Aeroportin e Rinasit dhe PS quan arritje se policia reagoi në kohë rekord. Hajde logjikë hajde! Kulmi i kulmeve të raporteve të kësaj mazhorance me median është që në këtë situatë, kryeministri pati kohën, kurajën dhe impenjimin të debatojë me një ikonë të medias shqiptaro-amerikane Elez Biberajn. Kritikave të Biberaj me fakte për qeverinë, Rama iu përgjigj me kritikën ndaj Elez Biberajt sipas të cilës ai nuk ndan dot faktet nga opinioni. Epo ky është kulmi! Një kulm që tregon shumë për Ramën dhe vetë mazhorancën.

OPOZITA DHE MAZHORANCA

E megjithatë sido që të jetë dhe sido të vijë, zgjidhja e kësaj krize që po kalon vendi është vetëm me marrëveshje. Ambasadori italian Alberto Cutilio ishte i pari diplomat që bëri thirrje për dialog mes palëve. Por edhe pse dukej sikur injoroi opozitën dhe mbështeti qeverinë edhe Palmer në takimet e tij tha diçka që kaloi sikur nuk u vu re. Ai artikuloi fjalën krizë dhe sado që mazhoranca ta quajë “situatë politike”, jemi në krizë që ç’ke me të dhe kjo tashmë është e certifikuar edhe nga SHBA. Prandaj, është mëse e nevojshme dhe në interes të shqiptarëve që mes mazhoracës dhe opozitës, mes Edi Ramës dhe Luzim Bashës duhet një dialog për të zgjidhur këtë krizë. Dhe që të arrihet kjo palët duhet të takohen, të flasin dhe të arrijnë një marrëveshje. Dhe natyrisht që të arrijnë këtë duhet të lëshojnë dhe të fitojnë. Duhet të tregohen të sinqertë dhe të besojnë te njëri-tjetri. Deklarimet e Bashës se nuk ka marrëveshje, apo ato të Ramës se qeveria vijon e qetë punën, tregon se Rama dhe Basha, dy liderët e brezit të dytë të politikës shqiptare të tranzicionit, pas Nanos dhe Berishës, po e kthejnë vendin prapa. Ata nuk po arrijnë as ato që Nano dhe Berisha arritën edhe pse ishin në kohë të tjera. Historia do ta vërtetojë se Rama dhe Basha kishin shansin për të ndikuar në përparimin e Shqipërisë por në fakt na kanë kthyer kaq vjet prapa në një politikë kaq konfliktuale, për interesa personale dhe që janë të gatshëm t’i vënë zjarrin Shqipërisë vetëm e vetëm të mbajnë karrigen apo për ta fituar karrigen. Shqiptarët nuk e meritojnë kurrë këtë situatë.

Ky artikull u shkrua ekskluzivisht për “Albanian Free Press” dhe afp.al. ndalohet rreptësisht ripublikimi nga çdo media tjetër. Në rast kundravajtjeje, do të publikohen shkelësit

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press