OPINIONI I SHQIPTARËVE MBI VETTINGUN - ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA

OPINIONI I SHQIPTARËVE MBI VETTINGUN - ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Javën e shkuar qarkulloi një lajm në shumë portale shqiptare online, ku thuhej se një sondazh i financuar nga fondacioni Soros kishte gjetur që “63% e shqiptarëve nuk kanë besim se Vettingu do ta pastrojë drejtësinë nga të korruptuarit dhe të paaftët”.

Duke kërkuar në internet për burimin e këtij lajmi, gjeta se Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në kuadër të një financimi nga Fondacioni Soros për monitorimin e reformës në drejtësi, kishte zhvilluar një sondazh online në faqen e vet të internetit (e cila vizitohet nga fare pak shqiptarë). Dhe nga 450 vizitorë që kishin plotësuar anketën online, 63% nuk kishin besim se Vettingu do ta pastrojë drejtësinë nga të korruptuarit dhe të paaftët”.

Kuptohet që në këtë rast nuk mund të thuhet kurrë se kemi të bëjmë me 63% të popullsisë shqiptare.

Për të marrë opinionin e popullsisë duhet përzgjedhur një kampion krejt i rastësishëm, me të anketuar nga të gjitha krahinat, grupmoshat dhe sinoret elektorale. Vizitorët e paktë të faqes së internetit të një OJQ-je nuk përbëjnë një kampion përfaqësues të popullsisë shqiptare.

Meqenëse më rastisi para ca ditësh të bëj sondazhin e përmuajshëm politik për një revistë shqiptare, shtova në të një pyetje për Vettingun.

Dhe ja ç’më rezultoi:

Rreth 52% mendojnë se Vettingu po e pastron drejtësinë nga të gjithë të korruptuarit dhe të paaftët. Rreth 34% nuk mendojnë kështu, ndërsa rreth 13% u përgjigjën “S’e di” (shihni grafikun 1).

Kampioni përbëhej nga 2100 banorë të rritur të të gjitha krahinave dhe maksimumi i marzhit të gabimit për këtë pyetje ishte +/-2.3%.

Ekstrapolimi i përqindjeve të mësipërme na lejon të bëjmë edhe një analizë politike të këtyre rezultateve (shihni grafikun 2)

Bazuar në ekstrapolimin e rezultateve, rezulton se numri i përafërt i banorëve të rritur që mendojnë se Vettingu nuk po tregohet efektiv (720 mijë) përputhet pak a shumë me numrin e atyre që votuan parvjet për partitë kryesore opozitare.

Gjë që tregon tërthorazi, se sulmet e partive opozitare ndaj Vettingut kanë ngjitur në elektoratin e tyre.

Ndërkohë, numri i banorëve të rritur që mendojnë se Vetingu po rezulton efektiv (1.1 milionë) është shumë më i madh se numri i atyre që votuan parvjet për PS-në (765 mijë). Gjë që tregon se tek Vettingu kanë besim edhe shumë mospjesëmarrës në zgjedhje.

Ky artikull u shkrua ekskluzivisht për “Albanian Free Press” dhe afp.al. ndalohet rreptësisht ripublikimi nga çdo media tjetër. Në rast kundravajtjeje, do të publikohen shkelësit

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press