Ndëshkohet Kavaja pas dhunës, Ballshi “përqafon” Superioren

Ndëshkohet Kavaja pas dhunës, Ballshi “përqafon” Superioren
Pas Vllaznisë së Shkodrës, edhe Bylis i Ballshit falë fitores 3-0 në tavolinë ndaj Besës, pret rikthimin në Kategorinë Superiore 

Nga Aranit Muraçi

Duhej një ndeshje me incidente, e ndërprerë për shkak të dhunës, që të përcaktohej edhe skuadra e dytë që do të ngjitet në elitën e futbollit shqiptar. Disiplina mori në shqyrtim incidentet e Kavajës, duke e dënuar këtë të fundit ashpër, ndërkohë përfitoi Bylis, që ishte në fakt në epërsi 1-0, kur ndeshja u ndërpre dhe tashmë pret t’i bashkohet skuadrave elitare sezonin tjetër. Asnjë shqyrtim apo vendim nga ndeshjet e Superiores, përveç refuzimit të sulmuesit të Tiranës, Ngoo.

Tirana

Komisioni i Disiplinës dhe i Etikës në FSHF nuk mori parasysh kërkesën e futbollistit të Tiranës,  Michael Ayodeji Ngoo, si të pa bazuar, duke rrëzuar pretendimin e tij për faljen e dënimit. Ngoo u pezullua me pesë ndeshja nga Disiplina, pas incidenteve të krijuara në ndeshjen ndaj Laçit, kur edhe ai u konfrontua me presidentin Pashk Laska, në dhomat e zhveshjes. Pavarësisht vendimit të Disiplinës, Tirana ka vendosur të shlyejë gjobën, duke qenë se ai ka kaluar gjysmën e dënimit, çka do të thotë se Ngoo do të jetë i gatshëm këtë javë, kundër Kukësit. Sulmuesi anglez shihet po aq i nevojshëm për objektivin e Tiranës, për trofeun e kupës së Shqipërisë.

Besa

Bylis i Ballshit fitoi në tavolinë 3-0 ndeshjen vendimtare ndaj Besës së Kavajës. Ndeshja e luajtur në Kavajë u ndërpre nga gjyqatrwt 10 minuta para përfundimit, për shkak të hedhjes së sendeve të forta në drejtim të fushës nga tifozwt. Sakaq, pas vendimit tw Disiplinws, fitorja e siguruar në tavolinë e shkëputi Bylisin plot 6 pikë para vendit të dytë, kur mbeten edhe 4 javë nga mbyllja, ndërkohë që ballshiotët presin këtë javë Lushnjën. Disiplina dënoi ashpër edhe fushën e Besës, sikurse dënoi edhe disa lojtarë të Shënkollit, pas incidenteve me Veleçikun, apo lojtarw të skuadrave të tjera në dy kategoritë më poshtë, për incidente e dhunë fizike.

Vendimet e Disiplinës

Besa, për sjellje të spektatorëve dhe hedhje te sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes si dhe duke shkaktuar akte dhune, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, si dhe zhvillimin e 8 ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.

Zyrtari i Besa, Emiljano Bizhdili, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes,  dënohet me 8 ndeshje pezullim.

Lojtari i  Shënkollit, Emirjon Mirdita, për dhunë ndaj kundërshtarit, dënohet me 8 ndeshje pezullim.

Lojtari i Shënkollit, Klaudjo Pjetrushi, për goditje ndaj zyrtarit të ekipit kundërshtar, dënohet me 10 ndeshje pezullim.

Lojtari i Pogradecit, Anteo Osmanllari, për goditje ndaj kundërshtarit, dënohet me 8 ndeshje pezullim.

Lojtari i Tomorrit, Aldo Dervishi, për goditje ndaj kundërshtarit, dënohet me 8 ndeshje pezullim.

Lojtari i Skraparit, Sajmir Gega, për sulm ndaj tifozëve, dënohet me 5 ndeshje pezullim kurse lojtari tjetër i këtij ekipi Florjan Kopace, dënohet me 2 ndeshje pezullim.

 

Kategoria Superiore/Java e 30-të

20 prill

16:00 Kastrioti - Partizani             

16:00 Laçi - Skënderbeu

19:00 Tirana - Kukësi      

19:00 Flamurtari - Luftëtari         

19:00 Kamza - Teuta