Lulzim Zeqja: Njeriu është më i vërtetë në vendin e tij

Lulzim Zeqja: Njeriu është më i vërtetë në vendin e tij
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press aktori i njohur i Teatrit Kombëtar, Lulzim Zeqja: “Nga Teatri Kombëtar do të ruaja fort imazhin dhe punën e jashtëzakonshme të të gjithë atyre brezave që kanë krijuar atë emër të madh që sot Teatri Kombëtar ka. Janë pikërisht ata njerëz që më kanë bërë mua të ëndërroj që të bëhem aktor ndaj edhe jam krenar që unë jam pjesë e këtij institucioni kaq të madh në Republikën e Shqipërisë.”

***

Shfaqja “Norm dhe Ahmed”, nga një tekst i Aleks Buzo, përkthyer nga Diana Çuli dhe me regji të Armand Borës, në mendimin tim, ishte nga shfaqjet më tronditëse në mesin e opinionit shqiptar në këtë vit. Një dialog mes dy meshkujve në një vend të largët si Australia, i shkruar në vitin e largët 1968. Në fakt ky vit ka qenë një vit i tallazeve të mëdha në botë, kur një shpirt revolucionar përshkoi rininë e shumë vendeve në dëshirën për liri e barazi, një revoltë ndaj sistemeve kudo në botë, një kohë që la jo pak gjurmë edhe me viktima e tragjedi, por që u quajt si një ndryshim epokash për ndërgjegjen e shumë kombeve. E si është e mundur që ky njeri me origjinë shqiptare të ketë shkruar një tekst kaq të fortë e kaq aktual edhe sot në një vend si Shqipëria? Ideja për të vënë në skenë një vepër kaq të fortë e të vështirë më duket gjeniale, veçanërisht në këtë periudhë amullie njerëzore e veçanërisht në një vend si Shqipëria që aq shumë lavde merr për bashkëjetesën fetare ndër shekuj, por që, nëse i hedh një sy reagimeve në rrjetet sociale dhe jo vetëm, ka brenda vetes racizëm, paragjykim, mungesë në tolerancë, dhunë ndaj grave, zhargone urrejtjeje. Urrejtja e ka vënë botën në rrezik! Ky ishte mesazhi i “Norm dhe Ahmed” dhe askush nuk mund të thotë që nuk është kështu. Roli i studentit pakistanez, djalit të edukuar thellë, të çiltër, dashamirës, të sinqertë e pashë të interpretuar nga Lulzim Zeqja, një nga aktorët brilantë të Teatrit Kombëtar. Kam pasur dëshirën me kohë që të bisedoja me të, por vendimi përpara intervistës unë të ndiqja nga afër këtë vepër paskësh qenë i duhuri. Pakistani, ky vend i madh e me histori, ka shpërndarë nëpër botë trurin e tij, studentë nga më të përgatiturit në botë. Por ja që racizmi ose paragjykimi nuk pyet. Një ish ushtarak profesionist australian, në emër të ngjyrës së lëkurës, supremacisë së induktuar nga kultura e urrejtjes, por edhe injoranca e brendshme dhe e fshehur pas të qenit shtetas të një vendi të zhvilluar lufton me veten e tij, me bindjet e tija, përpiqet edhe të kuptojë, por në fund urrejtja fiton mbi të. Fundi i veprës është i kobshëm, urrejtja mbijeton dhe fiton, Ahmedi vritet në pabesi, sepse urrejtja është edhe e pabesë. Roli i Ahmedit është shumë specifik, duhet me shumë mjeshtëri të bësh bashkë një burrë të ditur dhe një burrë të mirë, një burrë të pjekur dhe një ëndërrimtar. Sarkazëm ka herë pas here, por mbi të gjitha ka një edukatë dhe mirësjellje çarmatosëse. Lulzim Zeqja ja ka arritur qëllimit. Në fakt shumë i rezervuar, shumë modest, shumë introvers, aktori Lulzim Zeqja e quan veten një njeri që vazhdon të realizojë ëndrrën e të qenit aktor. Por ka guximin të thotë se po, ne shqiptarët jemi rrënjët e tija, të mirë sa më s’ka, por jemi edhe ne racistë dhe paragjykues. Biseda me të, një kafe kryeqytetase, ku fjalët ishin pak e të sakta, është një dialog me një artist që aq të vështirë e ka të flasë për veten, por që prej vitesh ka një prodhimtari rolesh të goditura, si pak të tjerë.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 “Norm dhe Ahmed” solli përpara publikut shqiptar një vepër të vitit 1968, por çuditërisht aktuale edhe sot. Si ishte ky interpretim, nga ana e ngarkesës emocionale?

Vepra është shkruar në vitin 1968 dhe kjo është shumë e vërtetë por kjo vepër është më aktuale se kurrë. Të flas me sinqeritet, është nga të paktat vepra që punohet me shumë dëshirë edhe plot pasion pasi autori është me origjinë shqiptare. Ai ka një gjuhë shumë lakonike dhe një dialog shumë të vërtetë. Personazhet, sipas meje, janë të skalitura shumë mirë. “Norm dhe Ahmed” ka qenë një punë shumë emocionuese sepse në çastin që morëm në duar veprën për ta punuar, ndodhi tragjedia e kobshme në Zelandën e Re. Një neo-zelandez që vret në Xhami 50 besimtarë myslimanë. Ndërkohë roli im kishte një qaje mjaft reale me momentin historik. Për çdo natë që kam interpretuar rolin, unë kam kujtuar atë video të tmerrshme të aktit barbar kur u vranë ata 50 persona të pafajshëm, pra pa diskutim që kam përjetuar emocione shumë të forta teksa interpretoja Ahmedin.

Si e shikon Ahmed-in dhe sa Ahmed ka brenda teje?

Ahmedi është njeri i pasioneve, i ëndrrave, i pastërtisë, i idealeve, i sinqeritetit, njeri antikonformist, njeri i dashurive të mëdha. Të gjitha këto epitete janë shumë të lexueshme tek ky student pakistanez që ka ardhur të studiojë në Australi. Është kaq bukur të luash një rol me këto karakteristika dhe është bukur që një aktor të luajë një rol si Ahmedi. Do të desha shumë që në jetë të isha një Ahmed!

Një vepër komplekse që ngre disa dukuri të shoqërive në botë. A hasen këto dukuri edhe në Shqipëri, kaq larg realitetit australian?

Edhe pse Australia është larg, unë besoj se fatkeqësisht edhe Shqipëria është raciste dhe ksenofobe. Mendoj që edhe pse fshihen dhe herë pas here nuk e ndjejnë këtë aspekt, shqiptarët, sipas mendimit tim, janë paragjykues për shumë gjëra, që nga veshja, mjekra, ngjyra, etnia, drejtimi seksuale, përkatësia partiake etj. Të gjitha këto, për mendimin tim, e bëjnë racial, ksenofob. Mendoj për këtë që kjo pjesë është më aktuale se kurrë në Shqipëri. Një nga mesazhet më të forta të kësaj vepre është pikërisht mosparagjykimi për nga gjuha, raca, feja, ngjyra.

Si arriti një djalë nga Tirana si ti, të kuptojë se donte të bëhej aktor?

Pas mbarimit të 8-vjeçares tek “Shkolla e Kuqe”, unë vazhdova një arsim të mesëm ekonomik, por pikërisht aty nisën edhe angazhimet e mia të para ose u shfaq një talent ende i papërpunuar, një pasion. Nga televizori, nga filmat që shihja dhe i riinterpretoja me qejf, por dhe nga fakti që merrja pjesë në trupën e aktrimit që kishte shkolla, fitova stimuj, që më bënë të ëndërroja këtë profesion. Pikërisht prej këtyre stimujve vendosa të shkoja në Akademinë e Arteve dhe në vitin 1997 vendosa të konkurroja për të hyrë në shkollën e aktrimit. Aktrimi më jepte liri, ndaj e zgjodha. Nuk e dija se çfarë do të ndodhte më pas, por doja ta provoja. Konkurrova dhe për fat e fitova.

Unë që në fillim besoja tek arti dhe për fat, më qëlluan profesorë të mirë dhe profesionistë të zotë, si Mario Ashiku apo Altin Basha. Në vitin 1998, me Bashën si regjisor, mora pjesë si figurant në “Shtrëngatën” e Shekspirit. Pjesa u përfshi në një festival të rinjsh në Sofje dhe prej Altinit, që më angazhoi aty, pata rastin të shihja dhe të njihesha me trupa shumë të mira aktorësh. Kuptova që teatri është i jashtëzakonshëm. Altini vinte nga Anglia dhe sillte një mentalitet krejt tjetër dhe me eksperiencën e tij, kursin tonë të asaj kohe e rriti shumë në cilësi dhe vizion. Që në fakultet kemi realizuar disa shfaqje, duke marrë pjesë në shumë festivale.

Që në vitin 2001, vit i diplomimit tuaj, karriera juaj si aktor nuk ka pasur ndalesa, fatmirësisht jeni nga aktorët më të kërkuar nga regjisorët. Karaktere shumë të ndryshme keni interpretuar, ka qenë e vështirë të mbani këto ritme?

Është e vërtetë që në vitin 2001, pas diplomimit tim në Akademinë e Arteve, unë kam pasur fatin të punoj në teatër, në kinema, televizion. Po ashtu është e vërtetë që kam qenë mjaft “i përkëdhelur” nga regjisorët, si në teatër po ashtu edhe në film e me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pjesë e jetës time artistike në gjithë këto vite. E gjithë kjo vjen nga pasioni dhe dëshira ime për këtë profesion por sigurisht që duhet shumë përkushtim dhe dashuri brenda së tërës.

Çfarë do ruaje brenda vetes nga Teatri Kombëtar dhe çfarë jo?

Nga Teatri Kombëtar do të ruaja fort imazhin dhe punën e jashtëzakonshme të të gjithë atyre brezave që kanë krijuar atë emër të madh që sot Teatri Kombëtar ka. Janë pikërisht ata njerëz që më kanë bërë mua të ëndërroj që të bëhem aktor ndaj edhe jam krenar që unë jam pjesë e këtij institucioni kaq të madh në Republikën e Shqipërisë.

Kur të propozojnë një rol, cilat janë detajet e para me të cilat merresh dhe me kë e diskuton atë?

Kur marr në duar një rol, gjëja e parë që bëj është që të lexoj shtruar dramën, komedinë, skenarin dhe po më pëlqeu, unë them menjëherë po dhe nuk e diskutoj me askënd. Më pëlqen vetëm impulsi dhe impakti që krijon vepra me mua.

Në vitet e kaluara në Itali, cilat janë disa ndryshime thelbësore që gjete dhe çfarë bagazhi solle me vete?

Në Itali kam kaluar një nga periudhat më të mira të miat, pas studimeve në Akademinë e Arteve. Gjithçka ishte e re, e ndryshme, e hapur, sfiduese. Kam punuar për dy vite në teatrin “Politeama” në Pisa dhe më pas xhirova me RAI-n në serialin e njohur “La Squadra”. Kjo u pasua me të tjera xhirime për shtëpinë e filmit “Fandango” në filmin “L’orizzonte degli eventi” me regji të Daniele Vicari, ku isha kooprotagonist me Valerio Mastrandrea. Me këtë film ishim pjesëmarrës në Festivalin ndërkombëtar të Filmit në Kanë. Mund të them me bindje se në absolut ka qenë eksperienca më e mirë për mua, si në rrafshin jetësor, ashtu edhe në atë profesional, një bagazh i vyer për një 23 vjeçar si unë atëherë.

*filmi "L'orizzonte degli eventi", me aktorin e njohur italian Valerio Mastrandrea

Por ti u ktheve këtu, je bërë ndonjëherë pishman?

Ndonjëherë, të të them të drejtën, kur mërzitem këtu me diçka që nuk ecën ose kur një projekt nuk shkon mirë si duhet, bëhem pishman. Por në të përgjithshmen këtu është vendi im, publiku im, gjuha ime, rrënjët e mia dhe familja ime. Në tërësi është më mirë që shpirtin dhe profesionin ta japësh e ta bësh për vendin tënd. Njeriu është më i vërtetë në vendin e tij.

Ke qenë pjesë e një gare që 21 vjeç në Kajro, sot që je 41 vjeç mendon se je pjesë e një “gare” me veten apo me të tjerët?

Gara bëhet në fillim me veten tënde e më pas me të tjerët. Kjo është e vërteta për mua. Profesioni i aktorit është një garë e bukur për të kuptuar dhe krijuar karaktere të ndryshme dhe kjo për mua quhet ‘gara për të bukurën’.

Pak filma por të saktë. Ka në horizonte ndonjë projekt tëndin në film e nëse jo, do ta mirëprisje?

Duke marrë parasysh filmat me metrazh të gjatë dhe ata me metrazh të shkurtër, nuk janë pak filma. Duke marrë parasysh situatën ku ndodhet kinematografia jonë sot, jam i kënaqur me aktivitetin tim në kinemanë shqiptare. Dua t’ju them që sapo kam mbaruar xhirimet për një film me metrazh të shkurtër, me regji të Erenik Beqirit, film i cili do të marrë pjesë në Festivalin e Filmit në Kanë, në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër, “short films”, në kompeticionin zyrtar. Është një film që është prodhuar pa ndihmën financiare të shtetit shqiptar dhe për këtë më vjen shumë keq. Për momentin, pas pak ditësh, nisem në Jug të Shqipërisë për të xhiruar një tjetër film të shkurtër me regji nga Elvis Lule dhe uroj shumë të shkojë mirë.

Lexova një konstatim interesant nga Kiço Londo për ty, ‘aktor që jeton me punën e tij’. Të kanë mbështetur më të vjetrit, ke pasur mirëkuptimin e kolegëve?

Me të vërtetë që Kiço Londo është nga regjisorët që më ka përkrahur dhe mbështetur më shumë, me të kam bërë dy shfaqje, “Playboy i trojeve tona” dhe “Romeo dhe Zhuljeta”, dy role që i kam shumë për zemër. E kam përmendur dhe më sipër, jam me fat që kam pasur përkrahjen e shumë artistëve të vjetër e të rinj.

Duke qenë si keni kaluar një eksperiencë të mirë jashtë, a mendon se duhet të ketë më hapje të teatrit tonë ndaj eksperiencave të huaja?

Patjetër që po, jo vetëm teatri, por edhe Akademia e Arteve dhe çdo formë tjetër arti duhet të jetë e hapur ndaj botës sepse ne jemi pjesë e saj. Duhet të kuptojmë, të bashkëpunojmë, të prodhojmë sëbashku për të qenë kështu më kompetitivë në treguan e madh. E them këtë sepse kinemaja, në një lloj forme, ka arritur të prodhojë produkte të huaja. Duhet të ketë bashkëpunime, duhet të ftohen regjisorë, aktorë, trupa të huaj në mënyrë që të ketë shkëmbime përvojash, të ketë zhvillime dhe teatri të mos jetë i përqendruar vetëm në Tiranë, pra mos të jetë i mbyllur. Ndërkohë u duhet dhënë më shumë kohë shfaqjeve, pasi kështu aktorët ndihmohen më shumë që t’i hyjnë rolit më tepër në thellësi.