Luftoi përkrah Mujo Ulqinakut në 7 prill 1939, pse u la mënjanë figura e Stefan Maliko Gogës

Luftoi përkrah Mujo Ulqinakut në 7 prill 1939, pse u la mënjanë figura e Stefan Maliko Gogës
INTERVISTA/ Flet shkrimtari Pandeli Koçi: Prill 1939-prill 2019, 80 vjet nga qëndresa antifashiste, shqiptarët duhet të vlerësojnë figurën e luftëtarit që u akuzua më pas nga komunistët si agjent i italianëve

Pardje u mbushën plot 80 vjet nga dita e zezë kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë në mënyrën më të paturpshme dhe barbare, për të realizuar ëndrrën e saj sa utopike, aq dhe absurde: Ringjalljen e Perandorisë Romake në shekullin XX. Shqipëria e vogël, e varfër, e copëtuar dhe e porsadalë nga pushtimi shumëshekullor osman nga dy luftëra ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore u gjet e papërgatitur përballë sulmit të pabesë të "aleatit" të madh që synonte ta "shpëtonte" nga pavarësia e saj. Por sidoqoftë, shqiptarët luftuan dhe i dhanë vendit të tyre heronjtë e 7 prillit 1939, ata që i pritën pushtuesit përtej detit me armë brigjeve të Adriatikut, të tillë si Mujo Ulqinaku apo Stefan Maliko Goga. Pikërisht, rreth këtij të fundit flet në këtë intervistë të posaçme për “Albanian Free Press”, shkrimtari Pandeli Koçi. Sipas tij, Stefan Maliko, ky simbol heroik i asaj dite të zezë për Shqipërinë, “bashkë me Mujo Ulqinakun, që e kishte epror dhe shok të hershëm, edhe pse nuk morën ndonjë urdhër nga lart, hapën depot e armëve dhe ua shpërndanë qytetarëve të Durrësit që ishin turrur të dëshpëruar dhe të revoltuar si asnjëherë nga lajmi kobzi i sulmit që pritej”. Duke shtuar gjithashtu se Stefani ishte nga të parët që u aktivizua në veprimtaritë ilegale dhe në Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Por edhe i pari që e ngriti lart, te pushtetarët e rinj pas Çlirimit të vendit, figurën heroike të Mujo Ulqinakut...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 

Figura e një luftëtari të rrallë si Stefan Maliko, i cili njihet si bashkëluftëtar i Mujo Ulqinakut në 7 prill 1939 ka mbetur disi e harruar nga historia. Si dhe kur e keni njohur atë? Cili ishte në të vërtetë Stefan Maliko?

Po. Unë kam pasur lidhje familjare me Stefanin. Ai ishte martuar me Vanon, një nga vajzat e xhaxhait tim, Koço Koçit, dhe unë e kam njohur që i vogël. I ati i Stefanit kishte ardhur në Durrës nga fshati Prongji i Gjirokastrës, për të punuar si murator. Stefani mbaroi shkëlqyeshëm shkollën dhe hyri në marinë, së pari si marinar i thjeshtë, pastaj u bë nënoficer. Në udhëtimet e shërbimit Durrës-Vlorë-Sarandë-Korfuz- Shëngjin-Ulqin kishte zënë shokë e miq. Kurse në Vlorë ai bujtte te hoteli i babait tim, Mihalit, me të cilin zuri miqësi dhe shkëmbenin haptas opinionet e tyre politike. Që i vogël unë shkoja me gëzim nga Vlora në Durrës, ku Stefani dhe fëmijët tij më prisnin me shumë dashuri, si djalë i familjes. Kam qenë në gjimnaz, kur i kam çuar romanin "Lufta e paqja" të Leon Tolstoit në italisht. Më vonë, ai më tha: "Ky roman nuk është vetëm vepër artistike, por dhe filozofike e psikologjike". Detarët lexojnë dhe Stefani kishte përvojë jete e horizont të gjerë kulturor. Ishte i sjellshëm. Nuk e ngrinte kurrë zërin. Por të tillë, të përkushtuar  në punë e studime, të dashur dhe të edukuar i ka edhe fëmijët. Kur e takoje dhe flisje me Stefanin, nuk të shkonte në mendje se kishe përpara një nga “kokëkrisurit”, që edhe pse e njihnin mirë forcën e kuçedrës fashiste, u "ngujuan" atje në breg të detit për t'i treguar vetes dhe botës se liria është vetë njeriu. Ai nuk fliste për veten. Me këmbënguljen time, më tregonte vetëm pak gjëra nga akti i tij.

 

Çfarë të ka treguar ai për 7 prillin e 1939-ës?

7 prilli mbeti lavdia dhe drama e Stefanit. Kur u mor vesh se flota dhe ushtria italiane u nisën për të pushtuar Shqipërinë, Stefani, bashkë me Mujo Ulqinakun, që e kishte epror dhe shok të hershëm, edhe pse nuk morën ndonjë urdhër nga lart, hapën depot e armëve dhe ua shpërndanë qytetarëve  të Durrësit që ishin turrur të dëshpëruar dhe të revoltuar si asnjëherë nga lajmi kobzi i sulmit që pritej. Shumë vite më vonë, këta qytetarë shkonin te Stefani për të marrë vërtetim, se ai u kishte shpërndarë armë dhe municion më 6 e 7 prill, për të marrë 1000 lekëshin e luftës. Dhe paradoksi është që vetë Stefanit ky pension plus nuk iu dha kurrë.

Atë mëngjes të 7 prillit 2019, sulmi fashist nga deti  dhe qielli mbi portet e Shqipërisë ishte i pabarabartë; shqiptarët qëndruan burrërisht derisa u vranë e u plagosën dhe iu mbaruan municionet. Stefani hapte zjarr me mitralozin e tij "brenda", ndërsa Mujo Ulqinaku, rreth njëqind metra më në jug pranë Tores, gjuante me mitralozin e tij dhe jepte urdhra. Në librin "Mujo Ulqinaku" (1975, faqe 183) të Moikom Zeqos, shkruhet: "Hamit Dollani u vra dhe mitralozi i tij heshti. Pas pak u plagos rëndë Stefani dhe humbi ndjenjat. Kështu që heshti dhe mitralozi i tij". Për saktësi, siç më ka treguar vetë Stefani, ky u plagos përpara se të vritej Mujoja.

Këtu nuk është vendi për të përshkruar luftën, aq më tepët që kjo është detyrë e historianëve, por dua të vë në dukje faktin se pasi u pushtua Durrësi, italianët e çuan Stefanin për mjekim në Brindizi. Në anije kishte edhe shumë ushtarë të plagosur italianë. Krahas barbarisë fashiste ishte e pandarë edhe demagogjia e hipokrizia e pushtuesve. Në spital mjekët i thanë Stefanit se krahun e majtë duhet t'ia prisnin që në rrëzë, përndryshe do t'i bëhej gangrenë, por ai nuk pranoi. Meqenëse plumbi i kishte mbetur në damar nuk ia hoqën. E pati në krah atë plumb gjithë jetën deri në varr. Nuk pranoi të qëndronte në Itali, po ashtu, me krahun e fashuar u kthye në Durrës.

 

Ç'qëndrim mbajti ai gjatë Luftës?

"Ai mbeti invalidi i parë i Luftës për liri", e ka quajtur Xh. Lluri, një bashkëluftëtar i tij. Stefani ishte nga të parët që u aktivizua në veprimtaritë ilegale dhe në Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Gjithashtu, ai ishte i pari që e ngriti lart, te pushtetarët e rinj pas Çlirimit të vendit, figurën heroike të Mujo Ulqinakut. Ishte e paçmueshme edhe ndihmesa e tij në organizimin e flotës sonë detare në ato vite. Ai u emërua komandant  i distriktit detar të Durrësit dhe komandanti i parë i Kapitenerisë së Përgjithshme.

 

Ç'mund të na thoni për incidentin që i ka ndodhur Stefanit në detin Adriatik?

Atdhetaria e lartë e këtij luftëtari u shfaq qartë me gjithë përmasat e saj në një ngjarje tjetër dramatike. Duke lundruar me shërbim nga Vlora për në Durrës u këput kavoja e dragaminës dhe Stefani me 11 marinarë të rinj mbetën në det të hapur në mëshirë të dallgëve. Pas ca ditësh, rrymat i nxorën në afërsi të Barit në Itali. Në Shqipëri i quajtën të humbur, sepse nuk kishte asnjë informacion për fatin e tyre. Vetëm me ndërhyrjen e Ambasadës sonë në Bullgari u mor vesh se ishin gjallë në Itali. Stefani, bashkë me marinarët, me gjithë propagandën dhe presionin e autoriteteve italiane që ata të qëndronin atje si të arratisur politikë (duhet të kemi parasysh se kishte nisur Lufta e Ftohtë), nuk pranuan dhe vetëm pas disa muajsh u lejuan të ktheheshin në atdhe, ku u pritën me nderime dhe u dekoruan.

 

Pse më pas u hesht dhe nuk u përmend ky luftëtar kuadër i vlefshëm, por u persekutua deri me rrëzimin e diktaturës?

Ai u godit rëndë dhe u hoq nga të gjitha funksionet dhe u çua të punonte punëtor krahu në bonifikimin e fushave të Kavajës për vite të tëra. Ai nuk u thirr asnjëherë në ceremonitë që zhvilloheshin në Durrës në përkujtim të rezistencës së popullit tonë më 7 prill 1939. Madje, kur ishte me një këmbë në varr, organet e diktaturës e mbajtën në Degën e Brendshme pesë ditë dhe i bënë shantazhe e presione, që të pranonte se ishte bërë agjent  i italianëve. Një akt i tillë e vrau shumë shpirtërisht këtë atdhetar të vërtetë. Dhe i gjithë ky persekutim konsekuent, vetëm pse gjoja nuk i kishte rrëfyer partisë se italianët i kishin akorduar një dekoratë (për efekte propagandistike) me rastin e "unifikimit" të ushtrisë shqiptare me atë italiane, dekoratë që siç më ka treguar vetë Stefani, nuk e mori kurrë.

 

Por si është vlerësuar ai sot?

Vetëm në nëntor të vitit 1997, Presidenti i Republikës i dha atij "Urdhrin e Artë të Shqiponjës". Dhe nëse sot, historianët duan të kenë një relike, një fakt material të padiskutueshëm të sulmit të 7 prillit dhe të qëndresës shqiptare, le të hapin varrin Stefan Maliko Gogës. Mes eshtrave të këtij luftëtari do të gjejnë edhe plumbin e armikut pushtues, që ai e mbajti në trup tërë jetën e tij të dallgëzuar. 70 vjet më pas, bash më 7 prill, në selinë e NATO-s në Bruksel po valëvitet flamuri shqiptar krahas flamurëve të anëtarëve të NATO-s dhe atij italian.

 

 

 

HISTORI

Si u pushtua Shqipëria nga Italia fashiste në 7 prill 1939?

Më 7 prill 1939, trupat italiane të Benito Musolinit, të drejtuara nga gjeneral Alfredo Guzzoni, sulmuan të gjitha portet e Shqipërisë, duke zbarkuar në VlorëDurrësShëngjin dhe Sarandë. Ku në Durrës, një forcë shqiptarësh vullnetarë, të kryesuar nga Mujo Ulqinaku, i rezistoi forcave italiane. Të armatosur me armë të lehta dhe tre mitralozë, mbrojtësit rezistuan disa orë. Por pas zbarkimit të një numri të madh të tankeve nga anijet, rezistenca u thye dhe brenda pesë orësh, italianët morën qytetin. Përpjekja italiane për zbarkim u përsërit katër herë dhe u zmbraps, megjithëse pala jonë luftonte me armatim dhe fuqi të mangët. Pas goditjeve me artileri të rëndë nga luftanijet italiane, u neutralizuan grykat e zjarrit dhe mbrojtja e portit u ça. Lufta u zhvendos nga porti në rrugët e qytetit, duke u kthyer në përleshje urbane me mbrojtësit që zinin pozicione në rrugë, rrugica e shtëpitë e Durrësit. Më tej, pasi hynë në të gjitha portet shqiptare, ditën e 8 prillit, trupat italiane hynë në Tiranë dhe morën gjitha ndërtesat qeveritare. Më tej, kolonat e ushtarëve italianë marshuan drejt Shkodrës, Fierit dhe Elbasanit. Madje, gjatë sulmit italian në Shkodër, turma sulmoi burgjet dhe liroi 200 të burgosur. Ahmet Zogu do të largohet nga territori shtetëror dy ditë pas pushtimit, kur u pa se fuqitë ndërkombëtare siç dhe kishin paralajmëruar nuk bënë as më të voglin reagim ndaj pushtimit, ndonëse Shqipëria ishte anëtare e organizatës “Lidhja e Kombeve”.