Kuvendi, apel RTSH-së: Negociatat me BE-në, sa më shumë programe për integrimin

Kuvendi, apel RTSH-së: Negociatat me BE-në, sa më shumë programe për integrimin
Organi legjislativ i ka drejtuar zyrtarisht disa porosi institucionit  mediatik publik në vend, të cilat ai duhet t’i zbatojë gjatë këtij viti

Në kuadrin e çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian, radio dhe televizioni publik shqiptar duhet të transmetojnë sa më shumë programe mbi proceset integruese të vendit. Një apel të tillë i drejton RTSH-së, Kuvendi përmes një rezolute të posaçme.

Ndërsa i ka caktuar gjithashtu edhe disa “porosi” të tjera që institucioni mediatik publik duhet të realizojë patjetër brenda këtij viti. Ku njëra prej tyre është edhe ajo që t’i përdorë “të përdorë të ardhurat e realizuara, kryesisht për prodhimin e programeve cilësore dhe rritjen e larmishmërisë së tyre”.

Madje Kuvendi shkon edhe më tej duke i kërkuar RTSH-së që t’u japë përparësi programeve të përgatitura nga prodhuesit e pavarur dhe jo vetëm nga ata që ka në “borderonë e rrogave”, duke e rritur fondin që është rezervuar për ta.

“Të ketë në vëmendje zhvillimin e mëtejshëm të RTSH-së, për të siguruar mbështetjen e domosdoshme financiare, që garanton autonominë institucionale dhe pavarësinë editoriale”, është një tjetër apel që legjislativi i jep këtij institucioni mediatik.

“Si dhe të synojë financimin e domosdoshëm, për të bërë të mundur kryerjen e shërbimit publik në fushën e medias audio-vizive nga RTSH-ja”, thuhet gjithashtu në këtë rezolutë. Gjithsesi, ajo nuk i kërkon llogari RTSH-së sesi i ka shpenzuar të ardhurat që ai ka siguruar gjatë vitit të kaluar, ku një pjesë e mirë e tyre janë nga taksa e detyrueshme që publiku shqiptar paguan pikërisht për të marrë shërbimin e tij.

E megjithatë, nuk harron t’i risjellë në vëmendje se radio-televizioni publik duhet t’i mirëmenaxhojë asetet që ka në dispozicion, pa krijuar hapësira për keqpërdorim apo abuzim të përdorimit të tyre. Duke përfunduar me detyrimin se duhet që të bëhet publikimi i vendimeve dhe materialeve të miratuara nga Këshilli Drejtues dhe organet e këshillat e tjerë të RTSH-së.

“Kjo, në funksion të transparencës dhe informimit, duke respektuar kufizimet e legjislacionit të fushës për mbrojtjen e të dhënave konfidenciale”, përfundon rezoluta e Kuvendit, drejtuar radio-televizionit publik shtetëror.