HIJET E 1997-ËS NË VITIN 2019, BASHA DHE RAMA – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

HIJET E 1997-ËS NË VITIN 2019, BASHA DHE RAMA – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Krijimi i grupit parlamentar opozitar, por me një PD që ka djegur mandatet dhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve më 30 qershor pa opozitën zyrtare, ka krijuar një situatë kaotike në Shqipëri. Nëse i besojmë thirrjeve të fundit të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Sali Berisha si dhe betimin e kreut të PD Lulzim Basha për t’i penguar këto zgjedhje, vendi po shkon në një përplasje civile si ajo në vitin 1997.

Pra, në 107 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, nisin të shfaqen hijet e trazirave të marsit vitit 1997, në atë vit të turpshëm që na rri si gungë në kurriz ne shqiptarëve. Në atë vit në të cilin humbën jetën 3500 persona dhe u plagosën 10 mijë të tjerë. Janë deklarata që të paktën nga ajo që shprehin, Shqipëria është afër asaj që ndodhi 22 vjet më parë shteti ra, u rrëmbyen armët, vendi u kthye në kaos total dhe që për të vendosur rendin, mbërritën në Shqipëri forcat shumëkombëshe.

I pari ishte lideri Sali Berisha që e shprehu këtë: “Vendi po shkon drejt një përplasje të sigurt. Se çfarë do të jetë të shohim. Vota e lirë, është vota e lirë. Që kur kombet kanë sakrifikuar për këtë, është e vlefshme. Fasadë nuk mund të jemi. Opozita e ka këtë betejë me çdo çmim për të rikthyer votën e lirë.

Dhe i dyti, kryetari i PD, Lulzim Basha që ndonëse në unison me paraardhësin e tij, deklarimin e bëri në një formë më të moderuar:

“Do pamundësojmë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë”.

Jemi në situatë deklarative dhe në horizont duket sikur nuk e shikojmë një gjë të tillë, por realisht këto dy deklarata janë të frikshme që prodhojnë frikë. E frikshme për situatën që po kalon vendi që është në krizë politike dhe e frikshme nëse kjo krizë politike kthehet në përplasje civile. Duket se mungesa e mbështetjes së faktorit ndërkombëtar i kanë bërë më inkandeshent Berishën dhe Bashën dhe kjo ka arsye, të paktën për ata. Nga njëra anë kemi dy deklarata që mbështesin vijimin e procesit juridik formal të situatës parlamentare duke e quajtur gafë të rëndë lënien e mandateve te opozitës dhe mosmarrjen pjesë në zgjedhjet lokale.

E para është e zëvendës/ambasadorja amerikane në Tiranë Leyla Moses-Ones, e cila pak ditë më parë tha: “Nxit këdo që mendon të kandidojë që të regjistrohet në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Mirëpres konkurrimin demokratik të hapur dhe energjik në kutinë e votimit. Votuesit shqiptarë duhet të kenë mundësinë të zgjedhin mes një game të gjerë kandidatësh që do t’i përfaqësojnë vërtet ata. Nxisim këdo që mendon të kandidojë që të regjistrohet”.

Dhe e dyta është deklarata e Mathew Palmer, zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit që gjatë vizitës në Tiranë më 9 prill, i cili tha: “U bëj thirrje atyre partive që kanë braktisur institucionet e Shqipërisë që të riangazhohen në procesin politik. Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore të qershorit është mundësia më e mirë për ta, që ta bëjnë këtë”.

Dhe në këtë unison, kryeministri Edi Rama duket se ka gjetur mbështetjen për të vijuar angazhimin politik të mazhorancës me kokëfortësi dhe të mos impenjohet në zgjidhjen e krizës politike. Por a është kjo një sjellje normale e opozitës dhe e mazhorancës?

Si ka mundësi që Shqipëria e vitit 2019, të përsërisë vitin më të turpshëm në historinë e shtetit shqiptar, atë të vitit 1997?

Si ka mundësi që politikanët shqiptare janë gati të djegin Shqipërinë për hir të karriges dhe pushtetit të tyre?

Si ka mundësi që këtë e deklaron Partia Demokratike, partia që lindi në opozitë pas më shumë se 50 vjetësh në këtë vend, ajo parti që me të drejtë krenohet për një sërë procesesh në dobi të vendit të kërcënojë për përplasje civile, pra për luftë mes shqiptarësh?

Si ka mundësi që lideri Berisha që ka një bilanc aq pozitiv në karrierën e tij politike të kërcënojë me përsëritje të vitin 1997?

Si ka mundësi që një lider i arsimuar në perëndim, i etiketuar si modern, një lider që i përket brezi të dytë të politikanëve të tranzicionit, të arrijë ta çojë vendin në përplasje civile?

Unë kurrë nuk do ta besoj që Berisha dhe Basha e kanë seriozisht atë që thonë. Nuk dua ta besoj që Berisha dhe Basha vërtetë duan ta çojnë vendin në replay 1997.

Nuk dua ta besoj që Berisha dëshiron ta mbyllë karrierën politike me një përplasje civile dhe Basha pas 6 viteve si pasardhës i Berishës, të bëjë bashkë me Berishën atë që Shqipëria e ka si gungë në kurriz.

Nuk besoj që betimi i tyre është thjesht një kërcënim ndaj kryeministrit Rama dhe ndërkombëtarëve dhe se vetëm me këtë taktikë ata mund të ofrojnë një zgjidhje politike. Unë besoj se Berisha dhe Basha kanë thjeshtë një artikulim të gjetjes së një formule për të eliminuar krizën dhe jo që krizën politike ta kthejë në përplasje civile.

Nuk kundërshtoj asnjë nga pretendimet e opozitës ndaj qeverisë. Zullumet e qeverisë janë ato që janë dhe për këtë mjaftojnë të mbështetemi në raportet ndërkombëtare.

Mjafton të themi se pas gjashtë vitesh në pushtet socialistët janë shumë larg premtimeve të tyre që Shqipëria do të rilindte dhe bilancin qeverisës e kanë negativ. Mjafton të themi se 300 mijë shqiptarë janë larguar në këto 6 vjet nga vendi, se u mbollën 229 mijë hektarë tokë me kanabis, se në Shqipëri u futën 21 tonë farë kanabis dhe sipas Departamentit të Shtetit jemi vend furnizues i kësaj droge në Evropë dhe tranzit për drogat e forta.

Mjafton të themi se jemi në vend të fundit në Evropë për kujdesin shëndetësor, ndërkohë që u premtua shëndetësi falas, se kemi bërë shumë prapa në luftën ndaj korrupsionit, se jemi në vend të parë në Evropë me rininë të papunë. Pa shtuar këtu që ekonomia nuk ka hop cilësor, oligarkët janë shtresa e vetme e qëndrueshme e ekonomisë së Shqipërisë, se ka gjithnjë e më shumë klientelizëm se skandalet janë të një pas njëshme dhe arroganca e kësaj mazhorance është bërë kapilare.

Një mazhorancë që tregohet e tillë edhe me opozitën dhe nuk ka pjekurinë që të zgjidh një situatë konfliktuale por e shton atë më shumë. Një sindromë që socialistët jo vetëm nuk e hoqën, por e çimentuan, sepse sindromi i mandatit të dytë është sëmundja më e rëndë që kaplon një qeveri në Shqipëri. Këtë nuk e hoqi dot as kjo qeveri që mburrjen e saj të parë sapo u formua kishte se shumica e anëtarëve të kabinetit kishin lindur në Tiranë dhe premtim mbi premtimet ishte se kjo do të ishte qeveria më e mirë që nga qeveria e parë e Ismail Qemalit.

Por pavarësisht kësaj situate, a e justifikon e gjithë kjo që vendi të shkojë në përplasje civile? A justifikohen gabimet e qeverisjes që Shqipëria që të përsëritet viti i turpshëm 1997?

Unë nuk e besoj, nuk dua të besoj që do ndodhë. Unë nuk e uroj kurrë që Lulzim Basha të bëhet kryeministër duke ardhur më përplasje civile. Nuk dua ta besoj se ai dhe Berisha e kanë seriozisht.

Ashtu siç nuk dua të besoj që Rama nuk ka mençurinë që të nisë e të zgjidhë këtë krizë dhe se do vijojë me kokëfortësi deri sa ta çojë vendin në humnerë.

Ndryshe do të ishte një turp që do mbante emrin e Lulzim Bashës dhe të Edi Ramës. I pari që do të realizonte përplasjen civile dhe i dyti që nuk e shmangu atë.

Do të ishte një situatë që do të kishte të denjë, vetëm një fjalë: TURP!

Ky artikull u shkrua ekskluzivisht për “Albanian Free Press” dhe afp.al. ndalohet rreptësisht ripublikimi nga çdo media tjetër. Në rast kundravajtjeje, do të publikohen shkelësit

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press