Herion Mustafaraj: Kjo është detyra e artistit, njeriu të qeshë me veten, me shpresë për reflektim

Herion Mustafaraj: Kjo është detyra e artistit, njeriu të qeshë me veten, me shpresë për reflektim
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press artisti i njohur Herion Mustafaraj: “Artisti duhet të jetë zëri i popullit, nëse artisti nuk influencohet nga qeveritë që ndërrohen, ai është një zë që edhe politikanët duhet ta pranojnë e të kuptojnë se ku qëndron thelbi i humorit. Artisti është ai që duhet të ndërgjegjësojë edhe politikanët për gabimet që rëndojnë popullin. Nuk duhet ta mbyllin gojën e një artisti, madje duhet ta përkrahin dhe të mësojnë prej tyre.”

Herion Mustafaraj: Kjo është detyra e artistit, njeriu të qeshë me veten, me shpresë për reflektim

Prej disa vitesh, rikthimi me punën e tij si artist skene, ka bërë që Herion Mustafaraj të vijë tek publiku si një aset autorial por edhe në muzikë dhe parodi. Nuk është kursyer në eksperimente dhe pjesëmarrje në spektakle të ndryshme televizivë dhe pavarësisht se për plot 27 vite ka jetuar në SHBA, ndoshta më shpejt se kushdo u ndje një përshtatje e tij me shijet e publikut. Ka zbritur me këmbë në tokë, siç ai vetë thotë, në një formë arti që ka jo pak vështirësi, me një One Man Show, pjellë e mendimit dhe përgatitjes shumëvjeçare në Amerikën e madhe, por brenda tij mbetet Beni i vogël që ecën vetë, i pastër dhe kurioz, por me guxim dhe sfidues ndaj realiteteve kontradiktore. Këtë intervistë ekskluzive me të e mbajta larg kujtimeve të filmave të tij të vegjëlisë, drejt një aktori tashmë me karrierë të gjatë, i pjekur dhe me iniciativa, për mua, mjaft interesante që i mungonin publikut shqiptar.

*Herion Mustafaraj me nënën e tij dhe regjisoren Xhanfize Keko

*Herion Mustafaraj me të bijën

Prej rreth katër vitesh jeta jote është një vajtje-ardhje mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, së fundmi me një komedi muzikore....nga ku rrodhi edhe “Kabaret Show”..

Po, komedia muzikore që unë interpretoj dhe me të cilën jam në skenë në këtë kohë është “Prapaskena e fatit”, një vepër që ka në qendër një emigrant shqiptar të moshuar i cili ndodhet në prapaskenat e Broadway dhe tregon jetën e tij, teksa akordon një piano. Aty ndodh një “deux ex machina” dhe ai gjen një pije që quhet “lëngu i rinisë” dhe ai fillon kthehet në rininë e tij duke i treguar spektatorit se kush ka qenë dhe çfarë ka bërë ai për të arritur deri në atë moment kur gjen edhe fuqinë brenda shpirtit të tij që t’i vjedhë skenën artistit dhe artisti jam po unë që interpretoj rolet përmes monitorit. Të gjitha këto monologje komike tek “Prapaskena e Fatit” i dhanë spunto shfaqjes “Kanaret Show”. Vetë “Prapaskena e fatit” është në vetvete një show kabaret, ndodh në Broadway në New York. Një emocion që më lindi mua si artist që në Amerikë, këtu e tetë vite më parë. Çdo gjë nuk krijohet kot brenda ditës, është një emocion i mbledhur nga jeta ime e përditshme, nga eksperiencat e njerëzve të ndryshëm, takimet e mia. Sigurisht që artisti duhet të mbledhë shumë informacion qoftë nga librat, nga veprat që shikon, nga jeta e tij, që të dalë tek ajo çfarë është e vetja.

Pra në pështjellimin e personazheve, janë brenda kohë të jetuara ndër vite?

Janë 27 vite në mërgim që janë aty brenda. Edhe tek “Prapaskena e fatit” por edhe tek “Kabaret Show” reflektohet në monologjet komikë dhe paroditë ,bi temat e caktuara që kapen, janë refleksion i një eksperience 27 vjeçare në emigrim dhe plus eksperienca e jetës time që fëmijë, pa përmendur Herionin si artist, por Herionin si muzikant. Protagonisti është një muzikant, pra largohet nga Herioni tek “Beni ecën vetë”, lidhet me Herionin fëmijë dhe quhet “Xha Fati” ose “Rifati” por në Amerikë e thërrasin “Feti” por edhe “Farti” këtë xhaxhanë e vjetër që tregon jetën e tij duke u rinuar (jo duke urinuar). Xha Fati pi këtë lëngun magjik dhe fillon kujton jetën e tij që kur ishte fëmijë, si dashuronte që të luante veglat muzikore me duar, si luante me karriget se nuk kishin vegla muzikore, si ndoqi liceun, si u bë huligan se dilte nëpër mbrëmje, si e çuan në ushtri, si dezertoi nga ushtria, si hynë vitet ’90 dhe hyri nëpër ambasada, doli nga ambasadat dhe emigroi.

Kjo kronologji jepet edhe në të dyja pjesët por në “Kabaret Show” është e ilustruar muzikalisht më mirë sepse aty jam bashkë me Kujtim Prodanin që më ndjek muzikalisht shumë më mirë por edhe njeh mirë epokën, është artist i epokës tonë.

Si u bëtë bashkë me Kujtim Prodanin?

Kujtimi erdhi i ftuar nga unë që të shikonte shfaqjen “Prapaskenat e fatit”. Unë ftova edhe shumë miq të tjerë por fatkeqësisht nuk denjuan të shikonin pa ftesa. Këtu është krijuar një psikozë e tmerrshme që artistët duhet t’i ftosh edhe pse ti ke një jetë të tërë që mundohet të krijosh një vepër dhe kjo vepër do të vlerësohet nga artistët e këtushëm vetëm nëse ti i fton, madje t’u japësh edhe lulet me vete, edhe veshjen e duhur, madje edhe lulet. Të bësh kujdes duhet shumë se ka qefmbetje se mos është ulur ai tjetri përpara e jo ai tjetri. Një kompleksim i tmerrshëm bën që artisti të mos shikojë artistin në punën e tij e të mos e vlerësojë qoftë edhe për kënaqësi profesionale. Një nga të rrallët që erdhi, ishte Kujtim Prodani. Sigurisht që kishte edhe miq të tjerë, kineastë e regjisorë, por ishte 5% e atyre që unë prisja në shfaqje. Nga këta që erdhën, disa thanë që kjo histori që na tregove mund të ishte film. Tjetri tha eja ta bëjmë një show më të madh, me balet, vegla orkestrale më shumë. Por më e mundshmja dhe me të cilën mund të tregonim diçka në një masë më të gjerë se sa në një skenë tetari, ishte ideja e Kujtim Prodanit që tha: “Herion, karakteri që po na tregon ti, muzika që po luan, i përshtatet diçkaje që edhe unë dua të shpreh, pra në swing, jazz. Trillime e parodi muzikore që i përshtaten brezit tonë të përbashkët. Pse mos e themi fjalën tonë në një “Kabaret Show” që mund ta luajmë edhe në lokale ose restorante?”. Pra dy figura të njohura në art që i bëjnë edhe reklamë punës së tyre të ndërsjellë e në këtë mënyrë bashkëpunojnë.

Nuk e patët frikën që është një prodhim shumë elitar?

Sigurisht që rinia është ajo që merr stafetën në dorë dhe ka rreth nesh një treg të mbytur me tallave, me diploma fallco e me imitime. Fatkeqësisht arti shqiptar është kthyer në një imitim të asaj që mbizotëron në botë, një muzikë e përzier mes shumë rrymave. Pra tregu i artit është rrëmbyer larg vlerave tona kombëtare.

Në brendi të komedisë që unë bëj, unë godas këto dukuri, përtallem në mënyrë edukative, qesëndis me thumbim këto kultura të reja që kanë hyrë e janë bërë kaq popullore në Shqipëri, por që nuk i përkasin tabanit kombëtar. Fatkeqësisht këto kanë rrëmbyer tregun por unë bëj shaka me to, e prek në një mënyrë që unë e kam vënë re se edhe brezi që ka përqafuar tallavanë, qesh me batutat, identifikohet, pickohet nga këto shaka por shikojnë veten e tyre në sytë e gjyshit që e tregon këtë histori, një plak 74 vjeçar që ka ardhur për të akorduar pianon dhe thotë që: “Rinia e sotme nuk bën këngë por bën hit-e dhe hit-et bëhen shumë kollaj, luajnë dy nota, i fusin një ritëm dupa-dupa-dupa me kompjuter dhe del vetë kënga. I bie dhe pianos me fundshpinë se këngët e sotme me fundshpinë bëhen!”. Dhe rinia qesh me këto batuta sepse kjo është e vërteta, këngët dhe tekstet bëhen me fundshpinë e nuk të zgjojnë asnjë gjë. Unë si artist në këtë moshë që kam e kam për detyrë që këto dukuri t’i tregoj, në këtë rast me parodi. Se sa kjo pëlqehet e përkrahet, kjo s’varet nga unë. Por pashë diçka të çuditshme në Gjirokastër. Aty organizova një shfaqje falas për shkollat e teatri u mbush, rinia erdhi shumë e madhe në numër, veçanërisht me batutat mbi dukuritë rinore, me veten e tyre. Kjo është detyra e artistit, që njeriu të qeshë me vetveten, me shpresë se mbase ai do të reflektojë. Mbi të gjitha, është mirë ta sjellim rininë në teatër e të vijnë për artistët shqiptarë të mirëfilltë. Sa bukur që ata erdhën për një personazh të moshuari, që është gjyshi i tyre e që u tregon se si të respektojnë familjen, të shkuarën, tabanin muzikor.

Kjo më ka ndodhur në shumë shfaqje ku kam qenë, sigurisht që ata më njohin edhe nga rolet e mia të shkuara në film, por pikërisht nëse i takon dikujt të japë këto mesazhe, më takon mua sepse me filmin “Beni ecën vetë” janë rritur shumë breza dhe janë edukuar mijëra e mijëra të rinj e fëmijë. Me filmin “Beni ecën vetë” krenohen shumë moshatarë të kohës, që shikojnë se edhe atëherë kë pasur fëmijëri e një fshat me njerëz shpirtërorë. Shfaqja po diskutohet të jepet edhe në qytete të tjera, një nga këto edhe Korça dhe jam në bisedime me drejtoreshën e teatrit Zamira Kitën, një qytet me aq traditë në teatër, me një publik aq kërkues e të përzgjedhur, datat janë të zëna por unë jam i gatshëm edhe në ditë jave të jap shfaqje. Në New York ka qindra teatro që japin shfaqje në çdo ditë të javës, njerëzit nuk ndjekin aty teatër vetëm në fundjavë. Kur një shfaqje është e mirë, ka sukses, mund të jepet në çdo ditë të javës. Një shembull i mirë është komedia e suksesshme “Boeing Boeing” në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” që pati sukses, njerëzit u argëtuan, qeshën e kjo komedi u shfaq edhe ditëve të javës. Misioni ynë si aktorë është jo vetëm të edukojmë por edhe të argëtojmë publikun. Fjala e njerëzve e kaluar gojë më gojë është ajo që sjell njerëzit në sallë e jo reklama ose prania e personazheve VIP. Duke u rikthyer tek shfaqja në Gjirokastër, fëmijët ishin ata që e panë shfaqjen falas dhe në darkë ishin po ata fëmijë që erdhën paguan biletën dhe panë shfaqjen me gjithë prindërit e tyre. Kjo ishte reklama më e mirë që unë mund t’i bëja vetes.

Por në shfaqjet tuaja nëpër rrethe keni elementë zonalë?

Po dhe do ta ruajmë këtë aspekt, p.sh në qytetin e Kavajës bashkë me mua dhe Kujtimin pjesë e shfaqjes ishte dhe një aktor i ri i humorit, djalë nga Kavaja, i cili ka performuar edhe në spektaklin “Portokalli”, Endrin Ajdini, një aktor nga të paktit që ka çarë vetë drejt skenave të Tiranës dhe që shpreh shqetësimet dhe problematikat e qytetit të tij, sigurisht me humor dhe ironi. Këtë prani të realiteteve lokale mendojmë që do e kemi në çdo shfaqje nëpër rrethe, edhe si një promovim për artistë të rinj por edhe sepse më mirë se një artist vendali, askush nuk mund t’i njohë realitetet e zonës, kjo na nderon neve e jo artistët e rinj.

Nga ana logjistike, cilat janë vështirësitë që ke hasur, përkundrejt dëshirës për të bërë diçka të mirë?

Në zanafillë krijimtaria ime ka nisur me filmin dhe aty qëndron dashuria ime e parë, tek prodhimi i filmave. Duke u pjekur në jetën time artistike, kam kuptuar që filmi është një zhanër i bukur, por jo aq i vërtetë sa teatri. Teatri është e vërteta pasi është një emocion që fillon dhe  mbaron në skenë, natyrshëm. Njerëzit të shikojnë ty në një performancë live, është një punë e përbashkët e shumë elementëve. Siç e dimë, arti skenik është një union forcash, ky bashkëpunim është si nga ana produktive ashtu edhe nga ana e realizimit. Këtu qëndron edhe vështirësia në Shqipëri. Unë kam rreth 6 skenarë që i mbaj të bllokuar pra në sirtar. Me shumë privatësi jua kam propozuar disa njerëzve që janë shumë të besuar, që idenë as ma shesin e as ma hedhin poshtë. Një krijim që unë e krijoj ndër vite është si një fëmijë që nëna e mban në bark për 9 muaj e nuk mund t’ia besojë gjithkujt ta mbajë në duar. Është e vështirë që një mendim që unë e kam hedhur në 60 faqe skenar, të kesh vizionin e përafërt me timin e të gruposh një grup pune në vlerësimin që ta prodhosh. Të gjitha këto vështirësi më kanë bërë që unë dalëngadalë të reduktohem e të dal edhe me One Man Show siç është “Prapaskena e fatit” sepse kam kuptuar që nga idetë e mëdha duhet të zbresim me këmbë në tokë. Por të zbresësh me këmbë në tokë kur nuk ke një përkrahje është e vështirë e shpesh e pamundur. Kur vjen në Shqipëri pas 27 vitesh, je një emigrant në vendin tënd dhe pavarësisht se unë isha Herioni që kam dhënë që fëmijë për artin përmes filmit, unë duhet të provoja veten time që nga krijimtaria artistike e mirëfilltë, risitë e mia si Herioni pas 27 vitesh, çfarë kam ruajtur unë dhe kush është inteligjenca ime, cilat janë ato detaje klasike nga vetja ime që unë do t’i shpreh në skenë ose në ekran për këtë publik. Pra cila është kultura që kam fituar dhe cila është kultura që kam ruajtur? Kjo nuk bëhet brenda ditës, të ha kohë, vite madje, e unë për këtë jam i përgatitur. Në SHBA më janë dashur shumë vite që të shkruaj shfaqjet e mia, t’i prodhoj ato, kam prodhuar dy filma të shkurtër në SHBA që mbase nuk më kanë dhënë suksesin por më kanë mësuar se çdo të thotë të prodhohet një film. Kam zbritur me këmbë në tokë tashmë. Përpara 3 vitesh unë vura në skenë një shfaqje, “Seks terapi” ku interpretonin 5 aktorë dhe kjo shfaqje gjeti shumë përkrahje në Teatrin Eksperimental dhe në rrethe. Shfaqja u mirëprit, ishte një komedi muzikore edhe kjo. Por në rangun artistik unë hasa në një mur të lartë sepse u shprehën që unë angazhova aktorë amatorë, e nuk ishte kështu, përjashto një djalë që luante një rol të dytë. U gjenda përballë një barrikade dhe mendoj se i shqetësoi ideja që ekziston shumë në Shqipëri. Kur ke një projekt, këtu duhet ta prezantosh në një mekanizëm pushtetar, si p.sh në bashki ose ministri, që të marrësh fonde për ta realizuar atë. Unë me iniciativën time por edhe të aktorëve që morën pjesë thamë që ne do bëjmë prova me aq sa mundësi që kishim dhe do i bënim ne reklamë nëpër media, përmes lidhjeve dhe emrave tanë. Vendosëm që ne nuk ishim aty për të bërë para por si një prodhim i Albanians Actors Ëorkshop, pra punishtja e aktorëve shqiptarë, pa asnjë ndihmë qeveritare. Shfaqja pati shumë sukses edhe në rrethet më të mëdha të vendit edhe sepse televizioni ishte një ndihmë e madhe. Duhet ta them që shumë programe televizive janë një ndihmë e madhe për reklamimin e punës tonë si artistë. Mesazhet që unë zgjedh të përfaqësoj në shfaqjet e mia janë të prekshme, prekin politikën, anën sociale, artin. Publiku i ndjen këto tema dhe erdhi na ndoqi kudo por duke qenë se unë nuk angazhova emra sipas tyre shumë të njohur, shumë artistë nuk erdhën ta shikonin. Por ndërkohë pata shumë përkrahje nga drejtori i teatrit, Kiço Londo, kur e pa shfaqjen më përkrahu dhe mirëpriti e duke e vazhduar më pas këtë përkrahje edhe me “Prapaskena e fatit” duke më ndihmuar me regji, me produksion, me gjithë stafin e tij. Gjeta tek Kiço Londo një artist që edhe pse pjesët janë të shkruara nga unë e jo nga një shkrimtar i madh, kuptoi mesazhet mbi problematika që dhëmbin dhe më përkrahu. Kjo më dha shpresë mua, kur ka drejtues institucionesh që i përkrahin artistët.

*Herion Mustafaraj në filmin "Rikonstruksioni"

Por unë mendoj që artistë të kalibrit tuaj duhet ta kenë ndihmën e institucioneve, pse jo me fonde...

Duke ndenjur më shumë në Shqipëri unë e kuptoj më mirë si funksionojnë gjërat. Në shfaqjen time, “Prapaskena e fatit” unë bëj shaka edhe me presidencën, p.sh them aty që “shyqyr që kujtohen ata të presidencën tre ditë përpara atakut kardiak dhe na japin çmimin “Nderi i Kombit” dhe ikën njeriu si njeri, me dekoratë në qafë”. Unë e di që nëse ky projekt shkon e lexohet në ministri, mund të thonë që ta largoj këtë lloj humori që kam, pra unë as që mundohem ta çoj.

Ose në një pjesë të shfaqjes, kur dal të kërkoj rrugën ose rrugicën me emrin tim, se në Shqipëri vdes e të bëjnë emër për një rrugë ose rrugicë, kur je me fat bëhesh edhe me bust. Por ky artisti nuk do as emër rruge e as emër rrugice. “Unë dua të bëhem pemë”, thotë artisti. Nëna plakë e qorton se përse nuk ka pak egoizëm e djali i përgjigjet se pemë do të bëhet, se po i ra planimetria, Erioni (Veliaj) do e heqë nga aty e do e mbjellë diku tjetër. Këto janë disa shaka që unë si artist asnjanës në politikë, i shfaq si një zë i popullit, sepse artisti duhet të jetë zëri i popullit, nëse artisti nuk influencohet nga qeveritë që ndërrohen, artisti është një zë që edhe politikanët duhet ta pranojnë e të kuptojnë se ku qëndron thelbi i këtij humori. Populli nuk është naiv, jep votën sepse normale që dikush do të drejtojë, por populli e di shumë mirë se kush përtallet me të. Artisti është ai që duhet të ndërgjegjësojë edhe politikanët për gabimet që rëndojnë popullin. Nuk duhet ta mbyllim gojën e një artisti madje duhet ta përkrahim dhe të mësojmë prej tyre. Këtu në Shqipëri kjo është e kufizuar sepse të marrësh një projekt duhet të jesh ose majtas ose djathtas. Kur je asnjanës do mërziten të dyja palët. Unë do të qëndroj asnjanës dhe shpresoj shumë që jeta të mos më detyrojë deri në atë pikë sa për ca para që do të marr nga e majta ose e djathta, të dal në skenë pa e bërë humorin tim ashtu siç duhet e si e ndjej. Qëllimi im është të shpreh zërin e brendshëm të një artisti që është i dalë nga populli që fëmijë e që gjatë gjithë këtyre shndërrimeve politike, ka jetuar në një kontinent tjetër, aty ku artisti vërtetë vlerësohet dhe nuk paguhet me thekër e grurë, domate e patate, por paguhet me dinjitet. Sipas vlerës reale që kanë, artistët e huaj e kanë të siguruar jetën, ndërkohë këtu artisti bën luftë për ekzistencë.

Por ende njihesh si Beni që ecën vetë...është diskutuar shumë për filmat e atyre viteve...

E di, është thënë edhe që t’i heqin fare. Është njësoj sikur të kesh një fotografi bardhë e zi, të vogla, ku jemi me pantallona të shkurtra ose me ato fustanet me lule, ose me jelek leshi, me ato flokët e pakrehura, e tani ta grisim se na vjen turp që ishim ashtu, pra na vjen turp nga e shkuara jonë. Është nonsens. Fatmirësisht ato filma janë në You Tube sot dhe kush do, ka ku i sheh. Problemi i vërtetë është që televizionet të vlerësojnë punën e atyre viteve e të paguajnë të drejtën e autorit. Kemi mjaft artistë të mëdhenj sot, që kanë luajtur mbi 40 filma e po vdesin nëpër shtëpitë e kohës së Enverit e ndaj, të mërzitur, të ofenduar, të pavlerësuar, nuk duan as t’ia shohin sytë teatrit, sepse janë të revoltuar. Janë kolosë të artit shqiptar që po shuhen dita ditës që brenda shpirtit të tyre qajnë.

*Gjatë xhirimeve të filmit "Beni ecën vetë"

Por edhe ti kë zgjedhur të bësh një lloj arti që nuk të bën të pasur.....

Kam jetuar 27 vite në SHBA dhe vitet e pensionit fatmirësisht i kam mbushur atje sepse këtu do më dilte 200 mijë lekë pensioni. Nuk do mundesha të kisha para për një kafe. Unë kam edhe 15 vite për të dalë në pension, duke qenë unë afër të 50-ave. Këtu qëndron dilema ime e madhe. Këto 15 vite që kam përpara dua t’i harxhoj këtu duke bërë krijimtari apo të shkoj në SHBA ku një rol i dorës së dytë paguhet 1000 dollarë dita. Një figurat i thjeshtë paguhet 250 dollarë dita. Po të them disa shifra për të kuptuar se ku jemi ne e ku janë ata. Pra si aktor me pasionin që kam unë bëj një përzgjedhje se kush ka prioritet, dashuria ime për këtë vend apo dashuria ime për paranë? Kam arritur në një bindje se edhe nëse këto 15 vite i investoj këtu, edhe nëse jam një humbës i këtyre viteve, se këtu të quajnë humbës nëse ke kaluar shumë vite jashtë dhe kthehesh sërish, unë mbetem në thelb ai Beni që ecën vetë. Mendoj se është sublime dhe e shenjtë që ne kthehemi këtu. Unë e kam paguar haraçin tim duke kaluar rininë time në një vend të huaj por që e vlerëson atë që t’i bën për të. Ndaj e ndjej të them që është një turp për institucionet që artistët i paguajnë për një copë buke, sepse janë vlera kombëtare. Ndaj në respekt të atyre që i dhanë aq shumë artit shqiptar ndër vite por edhe në respekt të vetes dhe publikut, dua ta mbyll pikërisht me një shprehje të Xha Fatit, personazhit tim tek “Prapaskenat e fatit” ku ai thotë se ‘nuk ekziston një dështak që provon’.