Eurostat: Rriten çmimet për produktet e shërbimet bazë të të jetuarit në Shqipëri

Eurostat: Rriten çmimet për produktet e shërbimet bazë të të jetuarit në Shqipëri
Kostoja e jetesës në Shqipëri sa vjen dhe shtrenjtohet. Dhe kjo, pasi produktet dhe shërbimet bazë po pësojnë veç rritje të çmimeve. Në një përfundim të tillë të çojnë shifrat më të fundit të dhëna nga Instituti Evropian i Statistikave për vendin tonë. Konkretisht, sipas Eurostat, qytetarët shqiptarë sivjet janë përballur me çmime më të larta për t’u ushqyer, veshur, por edhe qira dhe kushtet e banimit të tyre. Të gjitha këto, aspektet kyçe të jetesës si të tillë dhe që çojnë detyrimisht në një kosto më të lartë të saj nga viti në vit.

Në tërësi, për të gjitha çmimet e konsumit, ekspertët evropianë pohojnë se gjatë marsit të këtij viti janë rritur me nivelin prej 1.4%, kundrejt një viti më parë.

“Rritja më e madhe e çmimeve prej 3.6% vërehet në grupin “Hotele, kafene dhe restorante”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2.6% dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 0.6%”, saktësojnë ata. Duke dhënë kështu një panoramë të detajuar të gjithçkaje që sivjet shqiptarët e kanë blerë më shtrenjtë se një vit më parë. Pasuar edhe nga zëra të tjerë, po kaq të rëndësishëm për jetesën, që gjithashtu kanë pësuar rritje të çmimeve të tyre, të tilla si grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.4%, apo “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje”, si edhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.2 % dhe “Veshje dhe këpucë” e “Shërbim arsimor” me nivelin prej 0.1%.

Zëra këto të cilat në fakt sivjet nga muaji në muaj duket se kanë rënë, por që gjithsesi flasin për një kosto të shtuar të shpenzimeve të jetesës për një qytetar të këtij vendi, i cili nuk është se kompensohet nga qeveria për këto rritje të njëpasnjëshme të çmimeve të konsumit apo shërbimeve bazë të të jetuarit. E kjo, edhe pse ajo realizon një herë në vit një rritje modeste të pagave apo pensioneve. Ndërsa siç e shohim, rritja e çmimeve për mallrat apo shërbimet bazë të të jetuarit është një proces i cili nuk ndalet, por vazhdon çdo muaj.

 

1.4%

Është niveli i rritjes së çmimeve bazë të konsumit në Shqipëri, sipas Institutit Evropian të Statistikave në muajin mars të këtij viti, krahasuar me një vit më parë

 

3.6%

Është niveli më i lartë i rritjes së çmimeve sivjet në Shqipëri, në grupin “Hotele, kafene dhe restorante”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2.6%