Ekspozita, 44 tablo me peizazhe nga Vermoshi në Kolonjë

Ekspozita, 44 tablo me peizazhe nga Vermoshi në Kolonjë
Piktori Çaush Vathi është paraqitur këto ditë para artdashësve durrsakë me një ekspozitë në të cilën mbizotërojnë peizazhet.

Ekspozita e hapur në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” në qytetin bregdetar përbën një urim të 70-vjeçarit Vathi për bashkëqytetarët e tij në ditët e para të pranverës.

Autori është prezantuar në ekspozitë me 44 punime në teknikën e vajit, pjesa më e madhe e të cilave peizazhe nga trevat më të bukura të vendit tonë, nga Vermoshi në Kolonjë.

I njohur edhe si organizator i disa kolonive të piktorëve më të mirë peizazhistë në vendin tonë, si dhe në Kosovë, Ulqin dhe në Italinë jugore piktori Çaush Vathi ka sjellë bashkë me hapësirat shqiptare, edhe disa tablo me natyra të qeta apo me portrete fëmijësh.

Ekspozita e tij është vizituar nga qytetarë të shumtë durrsakë, nxënës, madje edhe turistë nga Danimarka.