Ecuria e ekonomisë së vendit, FMN-ja po “kërkon llogari"

Ecuria e ekonomisë së vendit, FMN-ja po “kërkon llogari"
Ecuria e ekonomisë së vendit dhe problematikat me të cilat po ndeshet ajo janë në bazë të takimeve që misioni i ri i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar të zhvillojë me autoritetet shqiptare. Kështu, ekipi në fjalë i kryesuar nga Jan Kees Martijn, shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë e nisi “kërkimin” e llogarisë rreth saj dje me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Në një takim të posaçëm me të, ky i fundit u raportoi ekspertëve të FMN-së mbi zhvillimet makroekonomike aktuale në vend, por edhe pritshmëritë rreth tyre për gjithë vitin 2019.

Nga ana tjetër, raportohet se shefi i bankës qendrore të Shqipërisë i ka njohur ata edhe me problematikat që po shfaq kursi i këmbimit si edhe tregjet financiare në tërësi. “Kreditë me probleme, zbatimi i planit për reduktimin e tyre dhe masat që po ndërmerren në këtë drejtim”, ka qenë një tjerr temë e diskutimit mes të dyja palëve, bën me dije Banka e Shqipërisë. Duke shtuar se edhe ecuria e paketës së deuroizimit me masat përkatëse ka shfaqur mjaft interes për ekspertët e FMN-së.