DOSJA ’97/ Shifrat tronditëse të vjedhjeve në ushtri, dëmi total plot 61.4 miliardë lekë

DOSJA ’97/ Shifrat tronditëse të vjedhjeve në ushtri, dëmi total plot 61.4 miliardë lekë
HISTORI/ Nënkolonel Hekuran Rrapaj analizon të gjitha pasojat që i solli kriza e vitit 1997 ushtrisë shqiptare: Dëmet më të mëdha u kryen në shërbimin e armatim-municionit, 50 miliard lekë; transport 2.3 miliardë lekë; veshmbathje 2.2 miliardë lekë; shëndetësi 1.8 miliardë lekë; ndërlidhje 1.1 miliardë lekë; aviacion 821 milionë lekë, etj ...

Në muajin mars 1997, vala e shkatërrimeve, vjedhjeve djegieve, i dëmtoi rëndë tërë strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Në një analizë të posaçme rreth tyre për “Albanian Free Press”, nënkoloneli Hekuran Rrapaj pohon se vlerësimet totale të dëmeve në ushtri kapën një vlerë prej 61miliardë e 465.5 milionë lekësh. “Listat e armatimit, municionit dhe lëndët plasëse të grabitura llogaritet të jetë mbi 1 miliardë dollarë dëme. Ku këtu nuk janë llogaritur dëmet në teknikë, karburant dhe mjete të logjistikës. Po të krahasosh, del se vlera e dëmit financiar të llogaritur është më e madhe se humbjet e parave të të gjithë shqiptarëve në firmat  piramidale”, pohon ai...

 

Përgatiti për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Dëmet më të mëdha në ushtrinë shqiptare gjatë ngjarjeve të vitit 1997 u kryen në shërbimin  e armatim-municionit. Ato kapin  shumën prej 50 miliardë lekësh. Pastaj vjen shërbimi i transportit me shumën e 2.3 miliardë lekëve; ai i  shërbimit të veshmbathjes me 2.2 miliardë lekë; shëndetësia me 1.8 miliardë lekë; ndërlidhja me 1.1 miliard lekë; aviacioni me 821 milion lekë, etj.

Por nga kjo tragjedi kombëtare duhet thënë se u dëmtuan edhe aerodromet dhe bazat ushtarako-detare. Garnizonet  ushtarake në Gjirokastër, Fier, Vlorë, Korçë, Elbasan, Shkodër, Burrel, etj, u shkatërruan pothuajse plotësisht. Shkatërrimi përfshin fjetinat dhe klasat, mensat dhe kuzhinat, lavanderitë dhe truprojet, depot dhe ofiçinat. U vodhën rezervat materiale në përdorim dhe në rezervën e paprekshme të ushtrisë. Në shërbimin  e armatim- municionit u  morën pothuajse të gjitha armët e këmbësorisë, sasi të mëdha armësh e municionesh të kalibrave të vegjël të artilerisë kundër ajrore dhe kundër tanke, granata dore, lëndë plasëse, etj.

 

Sa armë dhe fishekë u grabitën gjithsej?

Vlerësimet e bëra nxorën të grabitura rreth 600 mijë armë këmbësorie, kryesisht pushkë dhe automatikë, mitraloza të lehtë dhe të rëndë, mitraloza kundër-ajrorë dhe granata- hedhës, mortaja 60 dhe 82 m/m, topa 75 m/m, etj. U rrëmbyen rreth 15 miliardë fishekë këmbësorie, përfshirë granatat e dorës, si edhe 3500 ton municione xheniere e lëndë plasëse. U zhdukën rreth 90% e kapsulave donatore dhe elektrike dhe 60% e fitilit zjarr-përcjellës, etj. Gjithashtu, u shkatërruan rreth 30% e sasisë së municioneve të artilerisë së kalibrave 76 dhe 152 m/m, duke u marrë dhe nxjerrë jashtë përdorimit gëzhojat dhe duke lënë në vend barutin e tyre.

Të tjera statistika japin 750 mijë pistoleta, pushkë, automatikë dhe mitraloza të llojeve të ndryshme si dhe 1.5 miliardë fishekë. Në këtë sasi është përjashtuar armatimi i rëndë, predhat e artilerisë, lëndët plasëse, etj.

 

Shërbimi i transportit, sa makina u dëmtuan?

Në shërbimin e transportit u dëmtuan rreth 3.186 njësi teknike, sasi e barabartë kjo me 50% të inventarit të përgjithshëm të mjeteve. Nga këto, 2.409 njësi teknike u dëmtuan rëndë dhe 777 më lehtë. U evidentuan rreth 1.020 automjete dhe mbi 500 agregate të ndryshme të vjedhura, të shkatërruara për t’u shitur si mbeturina. Në të gjitha njësitë dhe repartet u vodhën, u shkatërruan dhe u bënë të papërdorshme pothuajse të gjitha makineritë dhe pajisjet e ofiçinave. U grabitën pjesët e ndërrimit dhe lënda e parë, gomat dhe bateritë që ndodheshin si rezervë dhe gjendje nëpër magazina. Në shërbimin e intendencës u grabitën dhe u dëmtuan pothuajse gjithë rezervat në produkte ushqimore, materialet e veshmbathjes, orenditë, makineritë e pajisjet.

Në shërbimin e karburantit u grabitën dhe u dëmtuan rezervat e karburant-lubrifikanteve dhe pajisjet e pikave të furnizimit. U rrëmbyen rreth 448.300 litra benzinë, 1.575.400 litra naftë e zakonshme, 2.870.000 naftë D.S, 1.750.000 litra vajguri TS-1, si dhe 223 ton lubrifikante. Vala e shkatërrimit përfshiu edhe depot e vlerave materiale. Nga 1.581 depo gjithsej që kishte ushtria, rezultuan të dëmtuara plotësisht 284 depo, pjesërisht 1.011 dhe mbetën të padëmtuara rreth 286 depo. Vetëm në divizionin e Tiranës dëmi i shkaktuar llogaritet mbi 8 milionë dollarë. Inventarët e përgjithshëm në këtë njësi të madhe të ushtrisë së kryeqytetit i mungonin 32.370 armë këmbësorie dhe 213 gryka zjarri, me një vlerë të përafërt prej 387.690.000 lekë, 7.463 instrumente nga më të ndryshmet me një vlerë 12.900.000 lekë, 25.360.000 fishekë të ndryshëm, me një vlerë prej 388.980.000 lekë. Të marra së bashku vlera totale në këtë sektor rezultoi 798.480.000 lekësh të reja, ose 5.4 milion dollarë.

 

Dëmet sipas divizioneve nëpër rrethe

Qyteti i Gramshit është llogaritur që ka patur numrin më të madh të armëve për frymë. Nga shpërthimi i depove mendohet se nga popullsia e këtij qyteti të jenë grabitur afro 100 mijë armë të llojeve të ndryshme dhe sigurisht edhe një sasi municioni. Edhe divizioni i Korçës ra në greminën e dëmeve ekonomike. Mbi 35 milionë dollarë, vetëm në materiale logjistike, duke përjashtuar nga kjo vlerë 70 mijë armë të lehta, municione të rrëmbyera dhe të nxjerra jashtë përdorimit, si edhe dëmtime të artilerisë, tankeve, topave, etj. Edhe shifrat e shkatërrimeve dhe rrëmbimeve në Brigadën e Komunikimit në Tiranë jep bilance ngjethës. 33.833.100 lekë grabitje e dëmtime në aparatura e materiale rezervë të shërbimit logjistik dhe të ndërlidhjes, kurse në armatim e municione dëmi arriti mbi 228.580.450 lekë. Kurse divizioni i Shkodrës ngeli njësia më e fundit e goditjes tragjike. Jo vetëm kaq. Epilogu tragjik i shkatërrimit në njësinë më veriore të vendit u shfaq me tonet më të acaruara. Bilanci tregon një faturë me dëme shumë të mëdha, 412 milionë e 419 mijë lekë shkatërrime.  Përfundimi i datës 15 mars 1997, nga shpejtësia e veprimit e shndërroi ushtrinë shqiptare në një gërmadhë. Një fenomen i paimagjinueshëm për  nga ngjashmëria e organizimit dhe e përsëritjes së shkatërrimeve dhe dëmtimeve. Përjashto njësitë dhe repartet e Jugut të Shqipërisë gjithçka ndodhi si rrufe, vetëm brenda 2-3 ditëve, menjëherë pas kthimit të reparteve të shpartalluara nga Përmeti dhe Fieri.

Nuk mund të lihet pa përmendur edhe fakti se vala e shkatërrimeve, ndonëse tepër e veçantë, nuk mundi të prekë disa reparte, ku kuadrot qëndruan përkrah efektivave duke përballuar presionin e turmave. Të tilla reparte si Batalioni i Transportit të Ushtrisë, Regjimenti i MCR, Batalioni Komando në Zall-Herr, Baza e Riparim-Evakuimit të Ushtrisë, Baza e Furnizimit në Durrës, Laboratori i municioneve, rajoni i depove të Stërmasit, rajoni i depove të Bazës së Furnizimit të ushtrisë Dhëmblan dhe Sinanaj (Tepelenë), etj, mundën të sfidojnë shkatërrimin.

 

Pasojat e shkatërrimit të ushtrisë

Rënia ushtrisë e çoi vendin në një kaos të jashtëzakonshëm. Situatën e bëri më kërcënuese shpërndarja e armatimit në popull. Armatimi në duart e popullsisë, sidomos në duart e njerëzve të papërgjegjshëm krijoi premisa për një klimë ku dominoi krimi. Shpërthimi i burgjeve nxori 1.093 persona, një pjesë e mirë e tyre qenë të lidhur pazgjidhshmërisht me krimin. Humbja më e madhe që nuk besohet të fiksohet ndonjëherë në statistikat e vlerave monetare është ajo e mbi 500 të vrarëve dhe e mbi 5.000 të plagosurve të shkaktuar nga përdorimi i armatimit, vetëm për 3-mujorin e parë të vitit 1997. Publikimet e shumta nga ministria e Rendit  dhe burimet spitalore tregojnë për mbi 1.200 persona të vrarë nga plumbat e armëve dhe lëndët djegëse. Teksa statistika të tjera zyrtare për periudhën janar-qershor 1997 flasin se kanë ndodhur 3.962 krime dhe 1.259 vrasje. “I madh ka qenë brenda këtyre tre muajve numri i të plagosurve rëndë, i cili ka kapur shifrën e mbi 6.000 personave, që pa përjashtim u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale. Nuk futen këtu të plagosurit lehtë. Ky është minimumi i plagosjeve , pasi sigurimi i statistikave nga spitalet e shumë rretheve të vendit ka qenë krejtësisht i pamundur. Nga të vrarët, vetëm 490 persona janë regjistruar në regjistrat spitalorë të rreth 30 rretheve të Republikës, pasi personat e tjerë kanë vdekur ende pa mbërritur në sallat e operacionit”,

ka pohuar Andrea Gudha, zv/drejtor i Drejtorisë Spitalore në Ministrinë e Shëndetësisë.

 

Rekordin e vdekjeve e mbajti Vlora

Rekordin e vdekjeve nga plumbat dhe eksplozivet sipas regjistrave spitalorë gjatë tre muajve të trazirave nw vitin 1997 e mbajti qyteti i Vlorës me 650 të plagosur rëndë dhe 74 të vdekur. Pastaj qyteti i Beratit me 553 të plagosur dhe 32 të vdekur. Por shkatërrimeve dhe përgjakjes nuk u shpëtoi dot as qyteti verior i Shqipërisë, Bajram Curri. Ku gjatë muajve të trazirave në këtë qytet u vranë 28 persona, të plagosur me armë zjarri 120 persona dhe të mbetur përjetësisht invalidë rreth 125 të tjerë. Gjatë muajit mars 1997, në spitalin e Tiranës silleshin në urgjencë 140 të plagosur në ditë. Kurse në spitalet e qyteteve të tjera silleshin rreth 60-70 të kësaj shifre në ditë. Në javën e parë të muajit prill 1997 shifrat flasin për 206 jetë të humbura dhe 700 të plagosur. Vetëm në qytetin e Vlorës pati në këtë periudhë 160 të vdekur, kurse nga 10 shkurti deri më 10 gusht 1997 u shuan edhe 362 jetë.

Krismat e armëve në çdo orë të ditës ishin qindra jetë më pak e mijëra të plagosur për Shqipërinë. Apokalipsi shqiptar i 1997-ës tmerroi edhe qytetin e urtë të Korçës, ku u regjistruan 85 persona të vdekur, 250 të plagosur dhe 67 invalidë të përjetshëm. Vetëm gjatë muajve të fundit të kësaj pranvere (maj 1997) humbën jetën 131 persona dhe u plagosën 562 të tjerë.

 

Nga tmerri i luftës, u larguan mijëra emigrantw

Nga tmerri i luftës, në tre muajt e parë të vitit 1997 u larguan nga Shqipëria 32 mijë emigrantë, kryesisht për në vendet fqinje. Vetëm nga qyteti i Beratit, i cili mendohet të jetë në vendet e para, u shpërngulën mbi 2.000 qytetarë. I madh ka qenë edhe numri i fëmijëve të plagosur dhe të vdekur nga armët e zjarrit dhe lëndëve djegëse. Statistikat e tre muajve të përgjakshëm treguan për më se 1.200 fëmijë të plagosur rëndë, nga të cilët rreth 250 prej tyre kanë pësuar gjymtime të përjetshme trupore dhe rreth 80 fëmijë të vdekur. Shifrat e publikuara që me të vërtetë janë katastrofike janë vetëm një pjesë e realitetit shqiptar pasi shumë prej të plagosurve kanë humbur gjymtyrë, ose do të mbeten përjetë në shtretër për shkak të goditjeve të rënda në pjesët më delikate të trupit, sidomos në kokë dhe shtyllë kurrizore. Marsi i vitit 1997 shkaktoi ndërkaq edhe mjaft pasoja psikike. Mjaft të rinj tregojnë për streset e kaluara nga stuhia e plumbave dhe pasiguria për jetën. Rreth 50 mijë nxënës dhe gjimnastë të kryeqytetit u testuan nga mjekë psikologë nëpërmjet pyetjeve masive. Testimi zbuloi se periudha e tmerrit 1997 ishte përjetuar nga moshat e reja. Rreth 50 mijë fëmijë në Shqipëri janë klasifikuar nga psikologët se mund të vuajnë pasojat e pjesshme ose të plota psiqike për jetën e ardhme të tyre.

 

Mbetën viktima edhe mjaft ushtarakë

Nga kjo stuhi barbare do të mbeteshin viktima edhe ushtarakët. Një shifër tragjike: 12 ushtarakë të vrarë dhe 29 të plagosur në ruajtje të reparteve apo objekteve ushtarake. Divizioni verior i Shkodrës përjetoi humbjen e tre ushtarakëve të rënë në krye të detyrës: Kapiten i parë Muhamet Hasmuja, toger Arben Hoxha dhe Kapter Ismet Ishulli dhe plagosjen e tre ushtarakëve të tjerë.

Me kalimin e kohës, ndërsa numri i vdekjeve dhe plagosjeve nga përdorimi i armëve të zjarrit ose i lëndëve plasëse erdhi gradualisht në rënie, shpërthimi i tuneleve dhe i granatave u bë një fenomen tepër i rrezikshëm. Ai u shoqërua me të vdekur e të plagosur të shumtë. Burim tjetër rrezikshmërie për jetën e qytetarëve, përveç armëve të rrëmbyera mbetën edhe lëndët plasëse, kryesisht tritoli dhe lëndët helmuese luftarake. Tragjedia e shpërthimit të dy tuneleve me eksploziv në Qafë-Shtamë në rrethin e Matit solli vdekjen e 27 personave. Shpërthimi i tuneleve me tritol njëri pas tjetrit ka ngelur ende një mister. Fshati Luç në këtë rreth “pothuajse hidhet në erë” duke mos u marrë vesh fati “i dhjetëra njerëzve” që ishin futur brenda. Në një nga grup depot e bazës ushtarake të Burrelit shpërthimi i dy     tuneleve atje solli 22 veta të vrarë dhe dhjetera shtëpi të zonës të shkatërruara dhe të dëmtuara.

Në qytetet Laç dhe Lezhë nga shpërthimi i tuneleve humbasin jetën dy fëmijë dhe u plagosën 20 të tjerë. Jo vetëm kaq. Rrotull vendit të shpërthimit, në fshatrat e Lezhës filluan të shfaqen shenjat e para të dëmeve ekologjike, biologjike dhe fiziologjike. Specialistët shpjegojnë "mundësinë e shfaqjes së këtyre pasojave në të ardhmen në formë epidemish". Pasiguri nga tërmetet e eksplozivit pati edhe në qytetin e Beratit. Atje shpërtheu depoja ushtarake në ish repartin e Palikështit. Sasia e madhe e municioneve (200-400 ton) krijoi pasiguri të madhe në Gjeroven dhe Mbreshtan. Tragjedia e Qafë- Shtamës u  përsërit në depot e Picarit të Gjirokastrës. Atje fatkeqësisht u dogjën të gjallë nga flakët 5 oficerë dhe plagosen 11 vetë të tjerë. Tuneli që shpërtheu pranë repartit në fshatin Plovisht në Korçë mori jetën e një njeriu dhe plagosi mjaft të tjerë. Shpërthimi gjakatar tronditi edhe Selitën e Madhe. Tuneli me municione të ndryshme gjatë shpërthimit mori jetën e 21 personave duke mos u gjetur dhe 6 të tjerë. Plagosja e mjaft njerëzve nga plumbat dhe shpërthimi i lëndëve plasëse shtoi numrin e kërkesave për gjak, sidomos në Tiranë. Kështu gjatë periudhës së fundit të trazirave, transfuzioni i gjakut në Tiranë u rrit trefish. Spitalet merrnin “rreth 450 litra gjak dhe nën produkt të tij, për të cilat kishte nevojë urgjente”.

Një pjesë e mirë e armëve të grabitura rrodhi në formën e tregtisë ilegale me vendet fqinj, Maqedoni dhe Mali Zi. Por nuk mund të jetë i papërfillshëm edhe tregu u brendshëm me armët e zjarrit. Në qytetin e Gramshit armët janë shitur si bananet në kryqëzimet e rrugëve dhe mbi trotuaret  brenda qytetit. “Në intervistën e parë me Fatos Nanon,  kur unë i thashë se kilja e kumbullës kishte shkuar 1.000 lekë të reja m’u përgjigj: ‘Kur ne fituam zgjedhjet, kilja e fishekëve ishte më e lirë se kilja e kumbullave. Tani edhe pse kumbullat janë shtrenjtuar, nuk afrohen dot me fishekët”, kujton gazetari Blendi Fevziu. Ndërsa gati në të gjitha qytetet e Shqipërisë lista e “çmimeve” të pistoletave arriti deri në 15 mijë lekë. Kurse çmimi i automatikëve “Kallashnikov” arriti deri 20 mijë lekë. Në Greqi “Kallashnikovët” shqiptarë arritën shifrën e çmimit në 200 mijë dhrahmi për copë. Tregu i zi i armatimit e evidentoi Shqipërinë si një faktor pasigurie në rajon. Ishte ky imazh që mori ato ditë vendi ynë i cili do ta mundojë edhe  për shumë kohë Shqipërinë nëpër kancelaritë perëndimore.