DOSJA ’97/ Batërdia me vjedhjet e super-marketeve dhe depove të ushtrisë, populli shkuli edhe pllakat

DOSJA ’97/ Batërdia me vjedhjet e super-marketeve dhe depove të ushtrisë, populli shkuli edhe pllakat
“Albanian Free Press” vijon publikimin e kujtimeve të shkruara në letër nga njeriu që drejtoi  kompaninë rentiere VEFA, gjatë nisjes së vitit të mbrapshtë, 1997...

 POHIMI TRAGJIK:“Mijëra njerëz shtyheshin e qëllonin për të marrë miell, oriz, makarona e rraqe të tjera. Sapo një palë dilnin me mundim, jashtë sulmoheshin nga të tjerë, që ua rrëmbenin plaçkat nga duart. Njerëzit ishin kthyer në kafshë të tërbuara që shqyenin njëri-tjetrin për ca pako makarona. Brenda gjysmë ore çdo gjë ishte asgjësuar, rrugicat e lagjes u mbushën me mbeturina të produkteve ushqimore të copëtuara e të shkelura...”

 “Të arrijë niveli i njerëzve deri në këtë gjendje ishte e paimagjinueshme. Mesa duket, ata që na kanë quajtur njerëz me bisht, nuk ia kanë futur kot”. Kështu i komenton në ditarin e tij, vjedhjet e super-marketeve të VEFA-s, ish-drejtori i përgjithshëm i kësaj kompanie rentiere, Memush Habilaj, zbardhur posaçërisht për lexuesit e “Albanian Free Press”. Shoqëruar me detajet sesi u vodhën edhe depot e ushtrisë në qytete të tjera të vendit, si Pogradec, Tiranë, Maliq, etj…

***

“Mars 1997

E mërkurë, 05.03.1997

Ngritëm një shtab drejtimi prej 6 vetash, që nën kryesinë e Vehbi Alimuçajt do të udhëhiqte veprimtarinë e kompanisë për situatën, që dukej se do të përkeqësohej. Shtabi përbëhej nga ish-oficerë me eksperiencë të gjatë pune dhe autoritet të padiskutueshëm, të cilët ishin Ali Çeno, Gani Pipero, Memush Habili, Maks Milori, Pjetër Përçuni, Spartak Bani. Por për ruajtjen nuk na mjaftonin njerëzit dhe për më tepër nuk kishim armë për të gjithë rojet. U vumë në lëvizje dhe hartuam një listë të gjatë me persona të përshtatshëm nga listat e atyre që kërkonin punë tek VEFA, u bë përzgjedhja e tyre dhe filluam lajmërimet. Deri pasdite u paraqitën shumë prej tyre, të cilët pranuan të shërbenin në shërbimet e ruajtjes. U caktuam paga shumë të mira, paga bazë 300 dollarë, përveç shtesave për orar të zgjatur dhe vështirësi pune. Shumica e këtyre personave do ta justifikonin gjatë ngjarjeve që erdhën, besimin tonë dhe shpërblimet që morën, me punën e tyre. Përforcuam sistemin e ndërlidhjes dhe shfrytëzuam mirë eksperiencën që morëm në Vlorë.

Mbaj lidhje me Vlorën, gjendja atje është ashtu siç e lamë, jashtë kontrollit, por sulme mbi objektet dhe njerëzit tanë nuk ka. Shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme dhe rizgjedhja e Sali Berishës president, e ka tërbuar popullin. Aq më tepër kur kanë dëgjuar se Gazidedja është mburrur se do ta asgjësojë revoltën dhe do ta shtypë Vlorën. Asnjë pushtetar nuk e ka idenë se ç’do të thotë të kesh të bësh me një popull të armatosur. Erdhën disa gazetarë dhe ngulën këmbë që të më takonin, se nga e kishin marrë vesh se kisha qenë në Vlorë dhe kërkonin t’u jepja të dhëna mbi situatën atje. Desha t’u shmangesha, por ata nuk ndaheshin. I takova në kafenenë e selisë, i qerasa dhe u thashë se nuk kisha asnjë mundësi bashkëbisedimi, se isha i zënë me punë të tjera dhe se mund të takoheshim në një moment tjetër. Pasi u dhashë këtë premtim, që s’kisha ndërmend ta mbaja, arrita të shkëputem nga ata. Po

përveç gazetarëve, na doli edhe një problem tjetër, që na hapi shumë ngatërresa. Një person nga rrethi ynë kishte pirë kafe me një person të SHIK-ut të Tiranës dje dhe shik-asi pasi kishte pirë nja dy uiski, i qe mburrur informatorit tonë se ai dinte çdo gjë që bëhej tek VEFA, se kishte një rrjet të tërë spiunësh brenda administratës sonë, bile disa të pajisur edhe me aparate regjistrimi e filmimi. Ai nuk përmendi emra, por nga të dhënat, ne mundëm të përcaktonim disa nga spiunët. Mburrjet e shik-asit mund të ishin edhe pjesërisht llafe në erë ose dizinformim, por ne i morëm seriozisht dhe nuk kishim të drejtë të mos merrnim masat përkatëse. Pasi e diskutuam gjerë e gjatë, përgatitëm një operacion të vogël, ku informatori ynë do ta ftonte oficerin e SHIK-ut për drekë në një lokal luksoz dhe kur ai të tregonte historitë, ta regjistronte. Kështu ndodhi pas disa ditësh, e rezultoi një komedi e rrallë.

Ndërkaq, në mbrëmje, rreth orës 2000, Vehbi Alimuçaj është tek hoteli “Europark” me përfaqësuesin e firmës italiane “Cecere+Vaputo”, Emiliano Olivera ku do të jepet një konferencë shtypi në mbështetje të VEFA-s. Vehbiu ka shumë besim tek këta italianë, megjithëse ia kemi thënë disa herë se duken si mashtrues, gjë që nuk do të vononte për t’u vërtetuar.

 

E hënë, 10.03.1997

Kemi informacione të këqija nga filialet e rretheve. Rrëmujë e plotë në të gjitha, revolta e presione të shumta mbi punonjësit tanë. Në Tiranë është akoma qetësi në sipërfaqe, por në periferi janë formuar banda të armatosura, sekserë të shumtë na ofrojnë armë me çmime të larta. Blejmë disa ramë për rojet, por na duhen shumë. Turli njerëzish, përfshi e shik-as, na vijnë çdo çast dhe na ofrojnë shërbimet e tyre ndaj VEFA-s kundrejt pagesave fantastike. Mundohemi të evitojmë sa mundemi ata që s’i njohim.

 

E mërkurë, 12.03.1997

Ditët kalojnë po probleme të veçanta, rrimë me orare të zgjatura në punë, çdo ditë deri në mes të natës. Sot filluam të bëjmë shërbime me grupe nga 24 orë, rregulluam dhe një sallë për t’u çlodhur në kat të parë.  Shumica e kohës kalon duke kontrolluar punën nëpër objekte. Rreth orës 1200 na telefonojnë rojet e një objekti afër Rruga-Urës. I pyes se çfarë ka. Përgjigjet përgjegjësi i grupit dhe thotë: “Sapo është hapur Shkolla e Bashkuar e Oficerëve, po turren shumë njerëz dhe po marrin armë, çfarë të bëjmë a të shkojmë edhe ne?”. “Dërgo disa njerëz, merrni sa më shumë armë se na duhen, po të dërgoj edhe disa persona nga grupi i gatshëm, më njofto për çdo gjë të re”, i them. Nis disa nga çunat e grupit tonë të gatshëm me 2-3 makina dhe i porosis të grumbullojnë sa më shumë armë për rojet. Sapo nisen këta lidhem me shërbimet e objekteve dhe u shpjegoj se çfarë po ndodh. Së pari të çojnë njerëz për të marrë armë dhe së dyti, të kenë shumë kujdes se mund të ketë sulme tani që po hapen depot dhe po armatoset populli. Pas ndonjë ore kthehen të dërguarit tanë dhe sjellin një sasi të madhe armësh dhe arka me fishekë. Kishin marrë edhe gjëra që s’na hynin në punë, si mitraloza e granata-hedhës. Dhashë porosi të bëhej regjistrimi i tyre dhe t’u jepeshin rojeve me firmë.

Përgjegjësi i grupit më tregoi se si kishin rrjedhur punët:

“Para disa orësh, tek hyrja e Shkollës së Bashkuar zbresin deputeti Shaban Memia dhe disa persona të PD-së së Tiranës, pas tyre u shkonin disa militantë. Hapën dyert e shkollës dhe militantët u futën brenda dhe u drejtuan tek depot e armëve. Duke parë këtë veprim, njerëz të tjerë dha kalimtarë të rastit u turrën në territorin e Shkollës. Lajmi u përhap me shpejtësi në të gjithë Tiranën dhe brenda 2-3 orëve depot dhe klasat e shkollës së oficerëve u bastisën, u grabitën dhe u shkatërruan. Qëllimi i PD-së ishte të armatoste militantët e saj duke u thënë se duhet të mbrohemi nga jugorët që mund të vijnë në Tiranë, por nga kjo aventurë u armatos e gjithë Tirana. Djajtë dolën nga shishja”.

Pasdite nëpër rrugët e Tiranës filloi tregtia e armëve haptazi, çmimi i një automatiku zbriti deri në 20-30 dollarë. Rreth orës 1800 na njoftojnë se po hapen edhe depot e ushtrisë në të gjithë periferinë e Tiranës. I gjithë populli, i madh e i vogël, është turrur drejt depove. Sulmi mbi depot vazhdon gjatë gjithë natës. Breshëritë e armëve mbulojnë qytetin, populli po u gëzohet armëve si fëmija lodrave.

Natën e kalojmë në seli në pritje të ngjarjeve, por e kalojmë relativisht në qetësi. Njerëzit nuk e kishin mendjen tek ne, por tek depot e shtetit.

 

E enjte, 13.03.1997

Populli i Tiranës vazhdon të sulmojë depo, magazina e reparte në të gjithë periferinë e qytetit. Tani e kanë radhën depot larg Tiranës, në Pezë, Zall-Herr, Qafë Mollë e Qafë Kërrabë etj. Mesa duket, nuk do të ngelet depo pa u shkatërruar.  Na tregojnë se shefat dhe magazinierët i udhëheqin grabitësit drejt depove të mallrave, u hapin dyer e kasaforta e deri skutat më të fshehta. Me këtë që ndodhi, ata fshehin gjurmët e vjedhjeve që kanë bërë ata dhe eprorët e tyre me vite të tëra.

Në mëngjes, para selisë tonë vijnë shitësit e armëve duke na ofruar lloj-lloj armësh me çmime minimale, ku në mesditë një automatik shitej për 10 dollarë. Marrim lajme të këqija nga disa qytete, ku kemi filialet tona. Nga Durrësi na thanë se janë gati për t’u goditur, madje se ka mundësi të sulmohet edhe Banka e Shtetit.

Bëjmë një takim me Vehbiun për të konkluduar mbi situatën. Kanë ardhur të dhëna se do sulmohen bankat në Korçë, Durrës e gjetkë. Kjo organizohet nga pushtetarët e punonjësit e Bankave për të zhdukur çdo gjurmë të vjedhjeve e abuzimeve. Ne kishim depozita të mëdha në Durrës dhe Korçë, afërsisht nga 6 milionë dollarë në secilin filial. Filiali i Durrësit kishte mundësi të tërhiqte sot ose nesër paratë nga banka dhe t’i dërgonte në Tiranë. Diskutuam dhe organizuam një grup veprimi për lëvizjen dhe shoqërimin e parave nga Durrësi në Tiranë. Grupi për Durrës u udhëzua për gjithçka, lëvizjen, mbështetjen, ndërlidhjen etj. Do të niset nesër dhe ta mbyllë aksionin brenda ditës. Na u duk e lehtë, por nuk doli ashtu.

Për në Korçë u mendua ndryshe. Disa punonjës të Bankës së Korçës na njoftuan se do t’i tërheqin paratë dhe do t’i fshehin në vende të sigurta kundrejt një shpërblimi të madh, ndërsa lëvizjen për në Tiranë do ta bënim kur të ishin kushtet e përshtatshme. Kuptohej që luhej një hile e madhe në këtë mes, askush nuk regjistronte shumat e tërhequra nga Banka e Shtetit dhe asnjëri nuk mbante përgjegjësi për fatin e tyre. Secili vidhte sa të mundte e si të mundte.

Për të koordinuar veprimet me Bankën e Korçës ramë dakord të niseshim nesër për atje dy veta, unë dhe ish-drejtori i filialit të Korçës, Shefki Velaj, pastaj me të parë e me të bërë. Por në mbrëmje, rreth orës 2000, na sinjalizojnë se ka grumbullime njerëzish pranë të katër super-marketeve tanë.

Ndajmë grupin e gatshëm në dy pjesë. Marr një pjesë të grupit dhe nisem për tek super-marketi tek “21 Dhjetori”. Kur vajtëm ne, turma sulmoi me tërbim duke shkulur dyer e dritare dhe populli vërshoi brenda, duke rrëmbyer e shkatërruar çfarë gjente përpara. Mijëra njerëz shtyheshin e qëllonin për të marrë miell, oriz, makarona e rraqe të tjera. Sapo një palë dilnin me mundim, jashtë sulmoheshin nga të tjerë, që ua rrëmbenin plaçkat nga duart. Njerëzit ishin kthyer në kafshë të tërbuara që shqyenin njëri-tjetrin për ca pako makarona. Brenda gjysmë ore çdo gjë ishte asgjësuar, rrugicat e lagjes u mbushën me mbeturina të produkteve ushqimore të copëtuara e të shkelura.

Super-marketi u kthye në një karakatinë të shëmtuar. Pasi boshatisën ushqimet, erdhi vala tjetër e njerëzve me çekiç e kazma për të nxjerrë pllakat e tullat. Barbaria njerëzore ishte në kulmin e vet. Afër mesit të natës turmat i sulen edhe super-marketit në Kombinat. E njëjta skenë, njerëzit qëllonin me armë njëri-tjetrin për një thes miell. Afër të gdhirit u mblodhëm në seli të lodhur e të mërzitur dhe tej mase të habitur me këto veprime të popullit të kryeqytetit. Të arrijë niveli i njerëzve deri në këtë gjendje ishte e paimagjinueshme, po të mos i kishim parë me sy ndodhitë do të dukeshin të pabesueshme. Mesa duket, ata që na kanë quajtur njerëz me bisht, nuk ia kanë futur kot.

Duke u gdhirë 14 marsi, u sulmuan edhe të gjitha objektet tona tek zona industriale tek Bregu i Lumit, linja e therjes së shpendëve, fabrika e sallamit, frigoriferi dhe magazinat. E njëjta skenë, të njëjtat veprime. Njerëzit rrëmbyen kompjuterët dhe i çuan nëpër shtëpia se i pandehnin për televizorë, u futën në dhomat e ngrirjes së frigoriferit në -350C dhe pasi rrëmbyen blloqet e mishit të ngrirë i tërhiqnin zvarrë nëpër rrugë dhe i ndanin me sharra e sëpata në mes të plehrave, më pas iu përveshën konstruksioneve duke shkulur nga vendi çdo copë hekuri e kablli elektrik. Në fund u erdhi radha shkuljes së pllakave majolike, lavamanëve e bideve të banjave, shumica e të cilave thyheshin në vend. Për çdo gjë plasnin sherre që përfundonin me breshëri armësh e kacafytje midis grupeve rivale, për një thes miell apo një lavaman të thyer. Pasi kaloi vala e tërbimit, nga objektet moderne që kishin kushtuar miliona dollarë, mbetën vetëm ca kolona betoni të zhveshura e mure të copëtuara. Ne nuk na ngelte gjë tjetër veçse të fotografonim këtë batërdi të paparë, për ta pasur si dëshmi për të ardhmen.

 

E premte, 14.03.1997

Në mesditë bëmë një bilanc të objekteve të goditura, nuk ka shpëtuar asgjë me vlerë. Ua lamë financierëve të bëjnë llogaritë e dëmeve që kapin shifra të mëdha. Në zyrën e Vehbiut takohemi unë, Sh. Velaj dhe Shefi. Vendosim të nisemi për në Korçë siç e caktuam dje, sa më shpejt se nuk i dihet si venë punët më vonë. Lidhemi me telefona dhe na thonë se në Elbasan dhe Korçë gjendja është e qetë, mesa duket të gjithë janë sulur në Tiranë. Kjo na dha siguri dhe nisemi. Kemi një makinë të blinduar tip “Lancia”, morëm dy automatikë dhe disa granata për çdo eventualitet. Marrim rrugën për Qafë Kërrabë, kur i afrohemi Mulletit ishte e pamundur të çaje rrugën, ishin sulmuar depot e Lundrës, nga më të mëdhatë në Shqipëri. Mijëra njerëz, burra e gra e deri fëmijë rrëmbenin çdo gjë. Qindra automjete, karroca e kafshë, varganë me njerëz të ngarkuar me lloj-lloj sendesh mbushnin rrugën dhe arat e ledhet mbi rrugë e nën rrugë. Targat e automjeteve ishin të çdo qyteti, deri të Ersekës dhe Tropojës. Pirgje me armë dhe materiale të çdo lloji ngriheshin në të dy anët e rrugës, një sasi e madhe gruri ishte derdhur në rrugë dha makinat rrëshqisnin mbi të. Lugina gjëmonte nga breshëri të pandara armësh, dukej si në filmat meksikanë të kohës së Zapatës. Një traktor që tërhiqte një karroceri të ngarkuar plot dhe mbi të cilën kacavirreshin një lukuni njerëzish hapi rrugën dhe shfrytëzuam rastin për të çarë përpara drejt Elbasanit.

Rreth orës 1400 jemi në Elbasan, këtu është qetësi. Shkojmë në polici për ndonjë informacion, na presin mirë dhe na thonë që nuk ka shqetësime deri në Qafë-Thanë. Bile u lidhën me postat e policisë në rrugë dhe i porositën të na jepnin çdo ndihmë në rast nevoje. I falënderojmë dhe marrim drejtimin për në Korçë. Rruga qe pothuajse bosh dhe ecim me shpejtësi e pa pengesa. Rrugës takonim patrullat e policisë që kishin marrë dijeni për ne, përshëndeteshim dhe na thoshin se nuk ka probleme. Kështu deri në Qafë-Thanë. Kur fillojmë zbritjen drejt liqenit, nga ana e Pogradecit dukej në horizont një tym i madh, mos vallë digjeshin objekte në qytet? tTentuam të lidheshim me telefon, por celularët nuk futeshin në linjë. U shqetësuam, por vazhduam zbritjen. Kur afrohemi tek kthesat pranë fshatit Piskupat shohim një pamje të frikshme: në rrugë shumë makina, furgona e autobusë të bllokuar, pasagjerët të zbritur në tokë, të rrethuar nga fshatarë të armatosur po trajtoheshin në mënyrë çnjerëzore, u merreshin me dhunë bagazhet, xhupat, xhaketat, këpucët, sahatet, grave u hiqeshin vathët, byzylykët e çdo gjë me vlerë, kush kundërshtonte goditej me qytë kallashnikovi. Kur panë makinën tonë, na rrethon një grup i armatosur duke na drejtuar automatikët. Afrohet një person që mesa dukej ishte “Kapua” i kësaj hordhie, një burrë i gjatë, mbante një xhaketë larushësh, një kallash në dorë, një si punë maske i mbulonte gjysmën e fytyrës. Na bën shenjë të hapnim krahun dhe të dilnim nga makina. Sh. Velaj në timon bëri sikur po i bindej urdhrit të kapos, ndërsa unë kisha gati dy bomba defensive me rreze veprimi të madhe. Sapo i afrohemi kapos së banditëve, shoferi i jep gaz në maksimum makinës, kapua u hodh në kanal, automatiku i ra nga dora, çajmë turmën duke i rënë sirenës (makina ishte e pajisur me sirenë dhe autoporlant) me furi dhe dalim nga kurthi. Të paktën nja dhjetë automatikë hapën zjarr kundër makinës, i dëgjonim plumbat që godisnin xhamat dhe karkatën dhe vazhdonim përpara. Shoh mbrapa ata që gjuanin dhe vraponin pas nesh. Ul xhamin dhe hedh në rrugë njërën nga granatat, gjëmimi dhe flaka e bombës ua hoqi banditëve vrullin për të na ndjekur pas. Pasi bëjmë disa kilometra rrugë ndjejmë që njëra gomë e pasme po binte. Ndalojmë për ta kontrolluar duke mbajtur gati armët. Vumë re se goma po copëtohej, kishte marrë shumë plumba dhe që rezistoi deri këtu vetëm se gomë e blinduar. Edhe goma tjetër qe copëtuar nga plumbat, por mund të mbante deri në Pogradec, ku mund të gjenim ndonjë servis. Goma rezervë në bagazh kishte ngrënë të paktën nja dhjetë plumba dhe i qe thyer disku. Në bagazh gjetëm shumë plumba të shtypur që qenë përplasur në blindazhin e makinës. Nuk na ngelte gjë tjetër veç të shkonim deri në qytet me goma të copëtuara, me shpresën se atje mund të gjenim çfarëdo gome për t’i ndërruar. Ecim ngadalë, në rrugë vetëm ne. Kur hymë në Pogradec, vëmë re se ishte një ferr i vërtetë. Mijëra njerëz të armatosur po shkatërronin gjithçka që mund të shkatërrojë njeriu. Kur hymë në qytet, po digjej Hotel-Turizmi, pasi ishte grabitur më parë. Ndaluam në një cep rruge dhe pyetëm disa që po shikonin me nge si po digjej hoteli:

- Pse u dogj hoteli, ç’të keqe u bënte?

- Nuk e dogjëm ne, por ata që punonin atje, -na u përgjigjën.

Përgjegjësit e hotelit janë të ardhur, nuk janë nga Pogradeci, e vodhën dje e pardje, i morën të gjitha sendet dhe i vunë flakën. Ne vetëm bëjmë sehir.

Pyetëm për ndonjë servis makinash, të gjithë të mbyllur.

Gjetëm një kioskë, marrim diçka për të ngrënë dhe diskutojmë ç’të bëjmë. Mendojmë se mund të zvarritemi deri në Maliq me goma të copëtuara, janë rreth 30 km rrugë, a mund t’i përballojë dot makina me këto goma, makina është e blinduar dhe peshon 4 ton. S’kemi ç’bëjmë, nisemi për në Maliq, atje kemi njerëz të sigurt, që do të na presin në çdo orë. Kur dalim nga Pogradeci filloi të errësohej, ngjitemi në Qafë të Plloçës dhe shikojmë qytetin të ndriçohej nga flakët, reja e tymit të përskuqur shtrihej tutje mbi liqen. Në Çarshovë, goma e djathtë u konsumua, ecim në disk duke gërvishtur rrugën e duke bërë zhurmë të madhe. Nuk kemi asnjë informacion, telefonat nuk kanë lidhje, jemi si në shkretëtirë. Rrugës nuk takojmë asnjë makinë, vetëm dritat e makinës sonë çajnë errësirën pa fund. Kur më në fund i afrohemi Maliqit morëm frymë lirisht, por kur pamë qiellin e ndriçuar nga mijëra plumba gjurmëlënës dhe flakë shpërthimesh na u pre gëzimi.

E njëjta pamje si ato që lamë pas. Edhe pse natë, mijëra njerëz vinin vërdallë dhe gjuanin pa pushim, një çmenduri totale kishte mbërthyer këtë popull.

Sapo hymë në qytet, na rrethoi një lukuni duke na drejtuar automatikët. Pasi u themi se kush jemi dhe tek cili person do të shkojmë, u qetësuan dhe na trajtuan me shumë respekt. Na shoqëruan disa deri tek pallati ku do shkonim ne. Tek njëri qoshk i pallatit të mikut tonë një person kishte montuar një mitraloz të rëndë kundërajror pranë kishte një stivë me municion, disa njerëz e ndihmonin, herë pas here hapte zjarr me breshëri të gjata duke tmerruar qytetin. Dalim nga hyrja prapa pallatit, shohim të njëjtën skenë, në një oborr shtëpie një mitraloz hapte zjarr në përgjigje të mitralozit tjetër, siç duket bënin garë. Hymë tek miku ynë, i cili u çudit jashtë mase që na pa në këtë situatë e në këtë orë. Ulemi, na shtron rakinë dhe i tregojmë odisenë tonë nga Tirana deri këtu. Edhe ai na vë në dijeni se ç’kishte ndodhur në Maliq. Paradite disa persona kishin hapur fjalë se depot e brigadës ushtarake të Maliqit ishin të hapura, se oficerët e ushtarët kishin ikur. Depot janë afër fare me qytetin dhe për pak minuta populli u sul dhe rrëmbeu gjithçka. Depot ishin plot dhe Maliqi kishte pak popullsi, më vonë u sulën nga fshatrat dhe në këtë kohë vazhdojnë grabitjet, sepse nuk po arrijnë t’u gjejnë fundin armëve dhe materialeve të ushtrisë. I zoti i shtëpisë na shtroi darkën, që e përfunduam pas mesit të natës. Kur ramë për të fjetur, gjëmimi i dy mitralozave pranë pallatit nuk na linte të flinim. E pyes mikun tonë se ç’janë këta dy mitraloza që nuk kanë ndërmend të pushojnë dhe që po terrorizojnë banorët. Ai duke qeshur na tregoi se ç’ishin këta: “Ai i mitralozit në hyrje të pallatit është një hajdut i dënuar shumë herë në kohën e monizmit, ka marrë statusin e të përndjekurit politik dhe ka vendosur të bëjë ligjin në lagje, por ngaqë nuk ia var asnjeri, e nxjerr inatin duke qëlluar në ajër pa pushim. Tjetri, këtu mbrapa, ka qenë sekretar partie në monizëm dhe ka vendosur t’i bëjë karshillëk atij tjetrit me të njëjtën metodë”. Histori për të qeshur e për të qarë. U munduam të flemë duke bërë një gjumë copa-copa nën krismat e pandërprera të armëve.

Në mëngjes miku ynë vuri në lëvizje të gjithë njerëzit e tij, çunat e tij brenda një kohe rekord rregulluan makinën tonë, i vunë goma të reja, paçka se nuk ishin origjinale, riparuan si mundën karkasën e shpuar nga plumbat dhe e furnizuan me karburant. Në fund, na treguan një grusht me plumba të shtypur të nxjerrë nga karkasa dhe gomat e makinës, numëruam 32 copë plumba...