Kjo dukuri konfirmohet në vrojtimin më të fundit që ka realizuar Banka e Shqipërisë, sipas të cilit, tregues i ndjesisë ekonomike ka shënuar një rritje prej +4.6% gjatë muajve të parë të këtij viti.
Një vlerë kjo që sipas ekspertëve bankarë vazhdon të mbetet mbi mesataren e tij afatgjatë.
“Përmirësimi i treguesit i atribuohet kryesisht rritjes së besimit në sektorin e ndërtimit dhe besimit konsumator”, pohojnë ekspertët. Duke shtuar se “besimi u përmirësua edhe në sektorin e tregtisë dhe paralelisht me të u rrit lehtësisht në sektorin e shërbimeve”.
Ndërsa besimi në sektorin e industrisë shënoi rënie. Dhe kjo pasi ky sektor këtë vit ka lidhur me pak kontrata se një vit më parë, deri në nivelin negativ prej -8.8%. Gjë e cila ka ndikuar që drejtuesit, por dhe punonjësit e tij të ndihen më pesimistë se më parë, edhe pse kanë prodhuar më shumë se vjet, deri në nivelin rritës prej +7.4%.
Kurse sa i përket ndërtimit, në fillim të këtij viti ai arriti të rikuperojë rënien që pësoi gjatë vitit të kaluar. Dhe kjo, u shkaktua nga shtimi i aktivitetit ndërtues deri në nivelin prej +9.3%, por edhe kontratave që ky lloj biznesi ka lidhur këtë vit, deri në nivelin prej +6.7%.
“Por edhe treguesit e tjerë si: gjendja financiare, punësimi, apo pritshmëritë për të ardhmen, shënuan rritje në tremujorin e parë”, shtojnë gjithashtu ekspertët e Bankës së Shqipërisë teksa flasin për ndërtimin. Duke treguar kështu me shifra sesi ky biznes, pas lejeve të shtuara që institucionet i kanë akorduar atij muajt e fundit, ka marrë një “frymë” të re, të cilën e ka referuar edhe në atë që biznesi ka në tërësi, por edhe qytetarët ushqejnë aktualisht këtë fillimviti ndaj ekonomisë vendase.
+4.6%
Është rritja që ka shënuar treguesi i ndjesisë ekonomike, sipas Bankës së Shqipërisë në tremujorin e parë këtij viti, falë rritjes së besimit në sektorin e ndërtimit dhe besimit konsumator
+3.2%
Është rritja që ka shënuar besimi konsumator, sipas Bankës së Shqipërisë në tremujorin e parë këtij viti, falë më shumë blerjeve të mëdha, apo më shumë të ardhurave se dikur