A ia vlen që të investojmë në Bitcoin? BSH: Do cenohej stabiliteti financiar

A ia vlen që të investojmë në Bitcoin? BSH: Do cenohej stabiliteti financiar
Anonimiteti i palëve që kryejnë transferta me volum të madh, kostoja e ulët e transaksioneve dhe koha e shkurtër e mbylljes së tyre, po e motivojnë përhapjen e Bitcoin si mjet pagese”

Të kryesh veprime me monedhat virtuale, mund të jetë deri diku komode për individin, por duket se jo dhe aq për ekonominë. Kjo pasi tërheqja e depozitave në pará nga bankat, për t’i investuar në to do të cënonte stabilitetin financiar të vendit.

Por si konkretisht? E thjeshtë, bankat nuk do të kishin më likuiditet në pará, ndërsa monedhat virtuale me luhatjet që pësojnë nga dita në ditë do t’i zhvlerësonin depozitat e tërhequra prej tyre. Në një përfundim të tillë arrin një studim i fundit i Bankës së Shqipërisë mbi efektet e monedhave virtuale në ekonomi. Duke marrë si rast konkret Bitcoin, ekspertët e saj sqarojnë se “përmasat e këtij efekti do ishin të  ngjashme me impaktin e daljes së parasë  jashtë bankave në vitin 2002, ose në vitin 2009”. “Në rastin e një tërheqje të menjëhershme të depozitave nga sistemi  bankar për t’i investuar ato në Bitcoin, ai do të haste në probleme likuiditeti”, pohojnë ata. Duke shtuar se kjo do të sillte si efekt zinxhir mosdhënien e kredive nga bankat për të financuar ekonominë. “Në  tërësi, treguesit e stabilitetit  financiar do të pësonin një përkeqësim nga efekti indirekt i  përkeqësimit të kushteve makroekonomike”, thonë më tej ata.

Për t’i paralajmëruar gjithashtu individët se ata do të ishin edhe më të prekurit nga një skemë e tillë, pasi luhatja e vazhdueshme që pëson Bitcoin do të shkaktonte zhvlerësim të pasurisë, apo të depozitave të tyre. “Dhe këto ngjarje do të kishin një impakt indirekt në stabilitetin financiar”, apelon Banka e Shqipërisë. Duke dhënë kështu mesazhin se ekonomia jonë nuk ka leverdi nga aplikimi i monedhave virtuale, edhe pse kjo mund t’u leverdisë në fakt individëve, që u pëlqen të jenë anonimë teksa kryejnë veprime financiare dhe të mos zbulohen nga shteti, apo nga bankat.

 

Argumentimi: Një Bitcoin në ekonomi do të thellonte  luhatjet makroekonomike

“Adoptimi i një regjimi hipotetik monetar të Bitcoin, ose e një monedhe virtuale me cilësi të ngjashme, gjykohet se do  të vështirësonte implementimin e politikës  monetare dhe do  të  thellonte, apo përkeqësonte luhatjet makroekonomike”. Ky është një tjetër paralajmërim që japin ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Duke argumentuar më tej se kjo do të ndodhë pasi “zhvendosja e balancave monetare drejt Bitcoin do të pakësonte sasinë e depozitave në sistemin bankar  dhe  ofertën monetare në proporcion me: sasinë e investuar në Bitcoin dhe shpejtësinë e qarkullimit të parasë në Shqipëri”.