A DO TË DËSHTOJË SËRISH SHQIPËRIA NË HAPJEN E NEGOCIATAVE ME BE-NË? - Nga Dr. Ana L. Scheer

A DO TË DËSHTOJË SËRISH SHQIPËRIA NË HAPJEN E NEGOCIATAVE ME BE-NË? - Nga Dr. Ana L. Scheer
Nga Dr. Ana L. /Guardian

Më 11 prill, shumica e parlamentit të Mbretërisë së Holandës, me kërkesë të tre grupeve parlamentare: Partia Kristian Demokrate, Partia Socialiste dhe Partia Liberale, votuan për propozimin e rivendosjes së vizave për shtetasit shqiptarë, për shkak të kriminalitetit në rritje, si dhe rritjes së emigracionit të paligjshëm në Holandë.

Dje, më 17 prill, Parlamenti i Holandës votoi pro rivendosjes së vizave për Shqipërinë, duke vazhduar me kërkesën formale për miratimin nga BE-ja për zbatimin e këtij vendimi. Kjo ishte një goditje e madhe për qeverinë shqiptare, e cila me shumë gjasa do të përballet me një tjetër refuzim nga Brukseli, për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

Nga qeveria shqiptare nuk ka pasur asnjë reagim për këtë vendim dhe opozita e spektri politik në Shqipëri kanë fajësuar Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij për këtë veprim të rëndë të Parlamentit të Holandës.

“Ky është një dënim i rëndë për Shqipërinë!”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha. “Për shkak të Edi Ramës e qeverisë së tij të korruptuar, që është përfshirë në trafikun e drogës dhe narkotikëve, Shqipëria nuk do të marrë ftesën për të hapur negociatat me BE-në. Shqiptarët po rrezikojnë të humbasin një nga arritjet e tyre më të mëdha, lëvizjen e lirë në Evropë dhe në zonën Shengen”.

Në vitin 2010, qeveria e Mbretërisë së Holandës ishte një nga mbështetësit kryesorë për liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë. Rritja e krimit të organizuar shqiptar në Holandë dhe rritja e numrit të azilkërkuesve në vitin 2017 detyruan agjencitë e zbatimit të ligjit të Holandës të shtynin institucionet e tyre vendimmarrëse për kthimin e vizave për shqiptarët.

“Kohët e fundit numri i azilkërkuesve shqiptarë në Holandë ka tejkaluar numrin e aplikantëve sirianë,- tha zëdhënësi i ministrisë së Sigurisë dhe Drejtësisë. Të shqetësuar nga kjo prirje në rritje, Holanda duket se ka marrë masa për të ndaluar fluksin e azilkërkuesve dhe për të parandaluar përhapjen e krimit të organizuar shqiptar në Holandë.

Për më tepër, duket se disa vende të BE-së mund janë alarmuar nga një sondazh i Gallup, në të cilin Shqipëria renditet e katërta në botë për sa i përket e dëshirës së njerëzve për të migruar. Në Shqipëri, 60% e popullsisë dëshiron të largohet nga vendi i tyre. Sondazhi i fundit i Gallup i kryer në mes të 2015 dhe 2017, Shqipëria renditet në vendin e katërt nga 152 vende, pas Sierra Leone dhe Liberisë.

Po ky sondazh i Gallup e vendos Shqipërinë në krye të indeksit të “ikjes së trurit” në Europë, një indeks që mat nivelin e të rinjve, të arsimuar, të cilët duan të largohen nga vendi pa plan kthimi. Studimi tregoi se në Shqipëri, 32% e të rriturve me arsim të lartë duan të largohen përgjithmonë nga vendi i tyre. Monika Kryemadhi, kreu i Partisë Socialiste për Integrim, u shpreh se “Rinia, është dështimi më i madh i kësaj qeverie, që po i detyron të rinjtë të ikin nga vendi i tyre duke zhdukur shpresën dhe ëndrrat e tyre”.

A do të sjellë vendimi holandez një efekt domino në rivendosjen e vizave për shtetasit shqiptarë? Franca ka kohë që e mendon të bëjë të njëjtën gjë. Nëse kjo ndodh, integrimi i Shqipërisë në BE do të rrezikohet më shumë se kurrë. Presidenti Ilir Meta deklaroi se vendimi i Parlamentit të Holandës është një sinjal paralajmërues. Qeveria dhe partia në pushtet në Shqipëri e dinë mirë këtë. Mbi të gjitha, populli shqiptar e di mirë se ç’do të thotë një vendim i tillë dhe janë të tmerruar nga vuajtja e kërkesave për viza.

Por problemet për kryeministrin Edi Rama duket se nuk vijnë vetëm nga çështjet e BE-së, por edhe nga problemet e brendshme në vend. Gjatë javëve të fundit, mijëra qytetarë janë mbledhur në protesta çdo javë para Kryeministrisë dhe Parlamentit në Tiranë. Këto protesta kanë tërhequr nga mediat botërore për shkak të përdorimit të shpeshtë të gazit lotsjellës në sasi të mëdha nga ana e policisë dhe nga vendimi i papritur i partive opozitare për djegien e mandateve të deputetit, një veprim i paprecedentë në politikën shqiptare. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Shqipëria ndodhe në një krizë politike dhe sociale. Nxënësit, intelektualët dhe simpatizantët e partive politike janë mbledhur për muaj të tërë në protesta. Zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të shënojnë një krizë edhe më konfliktuale. Lulzim Basha, kreu i opozitës, ka denoncuar dosjet hetimore 339 dhe 184, në të cilat ish-ministrat dhe zyrtarët e Partisë Socialiste thuhet se janë përfshirë në krimin e organizuar dhe blerjen e votave në e zgjedhjet e kaluara. Opozita po intensifikon protestat e saj duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore, e cila do të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Për të shmangur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, shpresa e vetme e kryeministrit Rama duket se është reforma në drejtësi. Por përveç treguesve shkatërrues të emigracionit të lartë dhe numrit të madh të azilkërkuesve për një vend, si Shqipëria, që prêt të hapë negociatat për anëtarësim në BE, një tjetër studim i kohëve të fundit, i kryer nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, tregoi se 63 për qind e shqiptarëve nuk besojnë te reforma në drejtësi. Shqiptarët duken skeptikë në verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët duket se kanë lidhje të ngushta me zyrtarët e lartë të qeverisë ose nuk mund të justifikojnë pasurinë e tyre.

Kryeministri shqiptar duket se e ka pranuar faktin, se me gjasë, në qershori, Këshilli i Evropës do ta refuzojë kërkesën e Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Por, Kryeministri shqiptar duket se është më i shqetësuar në ruajtjen e pushtetit dhe të qeverisë së tij sesa për integrimin në BE. Dhe Shqipëria mbetet ende në një udhëkryq, siç ka qenë për shumë vite, i kapur në grackën e dëshirës së një kombi për t’u bashkuar me BE-në dhe të politikës së vjetër që vazhdon të mbajë këtë vend të vogël të Ballkanit Perëndimor larg portave të Brukselit.