Vani Gjuzi: Nëse lind me talent, arrin shumë në jetë

Vani Gjuzi: Nëse lind me talent, arrin shumë në jetë
Flet për Albanian Free Press këngëtari i muzikës popullore, Vani Gjuzi: “Unë kam plot duete me kolegë të ndryshëm. Dueti më mbresëlënës ka qenë “Potpuri e Shqipërisë së Mesme” me këngëtarin e madh nga Kosova, Shkëlzen Jetishi. La shumë mbresa dhe mesazhe pozitive dhe besoj ndikoi dhe artistikisht në karrierën time.”

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Përpara pak kohësh këngëtari i njohur tashmë në muzikën popullore të Shqipërisë së Mesme, Vani Gjuzi, erdhi me një këngë epike në Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht se ishte e një tipologjie tjetër, nisur nga fakti se në përgjithësi ai këndon balada ose këngë lirike, kjo këngë himn për shqiptarinë u bë shumë shpejt e dashur për shumë njerëz. “Te quiero”, “Duhet të isha unë”, “Piciruke”, “Të dua, të dua”, “Si melodi”, “Myslym Peza”etj janë pak nga këngët e tironcit me zë brilant por shpesh zëri i Vani Gjuzit ka qenë “shpatull suksesi” për hit-e të njohura të këngëtarëve të muzikës shqiptare, kështu radiot, televizionet e klubet kanë transmetuar pa fund “Sonte me dhemb zemra” me Ciljetën, “Aromë Indie” me këngëtaren Amarda, “Emanuela” me këngëtarin Sergio, “Elegante” bashkëpunim me 2 Step ose “Nomin bojna” me këngëtaren Lori. Flasim këtu për miliona e miliona klikime në You Tube për hite të cilat vijnë vit pas viti. Vjen në këtë intervistë ekskluzive për Albanian Free Press, këngëtari që dashuron tabanin por nuk përjashton edhe mundësinë për ndonjë bashkëpunim me muzikën e lehtë.

Nuk ka shumë kohë që ka dalë në tregun muzikor kënga jote më e re. Një temë e fortë. Na tregon diçka më shumë se si erdhi ky bashkëpunim?

Po, pak dit ose më saktë gati dy javë kanë kaluar që unë lançova këngën më të re, e titulluar “Me flamur shqiptar”. Prej disa muajsh, së bashku me tekstshkruesin Endrit Mumajesi dhe kompozitorin Valter Beqo vendosëm ta punonim këtë këngë, të cilën më tepër e sollëm me rastin e ditës së shënuar të pavarsisë së Kosovës. Me videoklipin është marrë vetë shefi i kompanisë diskografike më të madhe në shqiptari, Maxproduction. Gjithashtu edhe me stilin tim kam zgjedhur  stilistin më në trend të momentit,  Joni Peçi. Gjej rastin ti falenderoj përzemërsisht të gjithë bashkëpunuesit të cilët morën pjesë në këtë projekt.

Si është pritur kënga deri më tani? Po kolegët si të janë shprehur për të?

Kënga është pritur jashtëzakonisht mirë, më kanë shkruar me qindra shqiptarë nga e gjithë Europa, përfshi dhe Amerikeë, Kanada, Australi etj. Gjithashtu pothuajse të gjithë kolegët më kanë uruar dhe komplimentuar për këtë projekt.

 Kanë kaluar rreth dy vite nga intervista jonë e fundit. Si ka qenë ky vit në jetën tënde?

Ky vit ka qenë akoma më i ngarkuar dhe me shumë përgjegjësi, pasi çdo këngë dhe videoklip është përgatitur me shumë kujdes. Pastaj mbrëmjet artistike, koncertet, gëzimet familjare ku si gjithmonë unë këndoj live, e bëjnë akoma më të ngarkuar situatën.

 Karriera jote bën që të kesh një jetë shumë intensive, muzika live kërkon impenjim. Si arrin t’i ekuilibrosh gjërat?

Ju thashë dhe më sipër që punët dhe përgjegjësia sa vijnë dhe shtohen më tepër. Mirëpo faleminderit Zotit dhe bashkëpunëtorëve të cilët më rrethojnë, ja kam dalë me sukses dhe ashtu shpresoj të jetë gjithmonë.

 Mendon se ke arritur një pjekuri më të madhe artistike. Je i kënaqur artistikisht nga kjo periudhë?

Pas gjithë këtyre punëve dhe projekteve të menduara dhe punuara bindshëm, besoj çdo ditë më pasuron artistikisht dhe kudo, mendoj se ka ndikuar edhe në jetën private.

 A ka ndonjë projekt të ri me të cilin je në punë e sipër?

Sigurisht që janë dy projekte ku po punojmë me shumë kujdes dhe përkushtim me ritmin në maksimum. Këtë herë po bashkëpunoj me kompozitorin e mirënjohur Gent Myftaraj dhe tekstshkrusin Endrit Mumajesi. Së shpejti sjellim një super baladë për të gjithë shqiptarët, kudo ku ata jetojnë e punojnë. Videoklipi si gjithmonë nga e njëjta shtëpi diskografike. Po ashtu bashkëpunimi do të jetë i palëkundur me stilistin Joni Peçi.

 Ti ke një edukim shkollor ekonomik. Kjo të ka ndihmuar si këngëtar, d.m.th e ke vënë në punë shkollimin për punën tënde si këngëtar?

Shkollimi të cilin unë kam mbaruar mendoj se nuk ka të bëjë shumë me jetën muzikore. Falë Zotit i cili me fali dhuntinë dhe zërin, më mundësoi talent që më lidh me muzikën. Dhe besoj, në ditët e sotme, nëse lind me talent, arrin shumë në jetë dhe kudo.

 Kanë vazhduar edhe në këtë kohë duetet e tua me artistë të tjerë, një stil i yti që e përdor shpesh sepse janë të shumta sukseset e tua në duet. Më tregon ndonjë mbresë nga këto bashkëpunime?

Është e vërtetë, unë kam plot duete me kolegë të ndryshëm. Dueti më mbresëlënës ka qenë “Potpuri e Shqipërisë së Mesme” me këngëtarin e madh nga Kosova, Shkëlzen Jetishi. La shumë mbresa dhe mesazhe pozitive ku besoj ndikoi dhe artistikisht në karrierën time.

A je i lumtur në këtë periudhë?

Jam i lumtur sepse falë Zotit çdo gjë po më vete mbarë dhe ashtu si duhet. Lodhjen, mundimet, stresin, i kam të pandashëm, gjatë gjithë kohës, por kur çdo gjë nis dhe përfundon me sukses, absolutisht që lumturia apo gëzimi ndihen thellësisht dhe plotësisht.

Pas një dite të çmendur me aktivitet, ku e gjen prehjen dhe qetësinë?

Prehjen, qetësinë dhe pushimin e duhur e gjej kur vij në shtëpi, pranë familjes sime. Sidomos nëna ime, e cila akoma sot e kësaj dite, edhe pse jam i rritur, më trajton si foshnjën e saj.

Do të këndoje muzikë të lehtë po të të bënin një propozim të tillë?

Sigurisht që do këndoja muzikë të lehtë dhe shumë zhanre të tjera. Unë personalisht i shijoj të gjitha rrymat muzikore.