Vafti!

Vafti!
Nga Juela Meçani

“Do t’u themi mirëmbrëma e mirëmëngjesi, si të jetë vafti”. Me një humor brilant, i ndjeri Roland Trebicka në rol, tek kryevepra “Pallati 176” ironizonte hipokrizinë e të sjellit me njerëz të cilëve tjetër u ke thënë e tjetër ke bërë. Kur lexova për nismën e ripërsëritur opozitare, për të disatën herë, për organizim primaresh, në stil republikan, m’u kujtua kjo frazë gjigante. Erdhi vafti që të sillemi si në demokraci e të zgjedhim me demokraci. Erdhi vafti, se në fakt deri më tani ja paskemi futur kot. Erdhi vafti që të kujtohemi se deri më tani, opozita na paskësh qenë fasadë e se thirrja popullore paska “përmendur” lidershipin e përgjumur, duke i kujtuar se nuk duhet t’i mbante më ison qeverisë së kalbur në pisllëk. Se edhe për këtë deri më tani ja paska futur kot.

Një mike demokrate, e shquar për qytetari ndër ne, më pëshpëriti diçka kur u shpreha e habitur me tërë mllefin, sharjet, epitetet, shpesh të rënda e personale, ndaj deputetit të lashtë të Myzeqesë, zotit Murrizi. Pavarësisht nëse jam ose jo dakord me vendimin e tij për të mos lënë mandatin e deputetit, në kundrarrymë me partinë e tij, tërë ajo urrejtje kolektive ndaj tij m’u duk jo koherente. Po ju them se përse. Në ato ditë vere kur një grup antarësh të PD-së shprehën hapur pakënaqësitë e tyre ndaj mënyrës së drejtimit të partisë si dhe bënë akuza konkrete për rënien drastike të rezultateve dhe votave, po kjo turmë kolektive, me të njëjtën gjuhë, fjalë, epitete, u turr ndaj mendimit ndryshe. Një nga më aktivët në përqeshjen dhe fyerjen e atyre të cilët, në linjë me demokracinë e predikuar, shprehën mendimin e tyre, ishte pikërisht deputeti Murrizi. Me një mënyrë shumë folklorike por ta pranojmë, të sinqertë, reagimi i tij ishte nga më të egrit. E çfarë ndodhi asokohe, do thoni ju? Ata që sot e shajnë nga mëngjesi në darkë, e anatemojnë për profilin e tij e deri tek pamja e veshja, po ata, e shpërndanin plot zell në adresat e tyre propagandistike në rrjetet sociale, e përgëzonin, deri në adhurim.

Mikesha ime zonjë qytetare në PD prej mbi dy dekadash, më pëshpëriti se këtu dallon shumë reagimi i drejtë e qytetar nga mungesa e qytetarisë. Grupet me mllef ndaj njërës palë, me fjalor injorant, që me rrënjë e me degë shajnë, ofendojnë, tallen, nën petkun e dashurisë për liderin dhe servilizmin militantesk, një ditë të bukur tërë këtë mllef e kthejnë ndaj edhe vetë atij, nëse koha ose rrymat ja diktojnë. Pak kohë më parë kritikëve u erdhi vafti që të përgojoheshin e tani ja që koha ndryshoi e dufi dhe inati ndërruan kah.

Por ja që erdhi edhe vafti që ato pika për të cilat një pjesë e demokratëve shprehën rezerva, ditën për diell, befas, u pranuan se paskëshin qenë gabim. Ajo opozitë që dikur u kritikua prej disave si patericë e fasadë, sot, erdhi vafti, që u quajt prej vetë liderëve patericë e fasadë. Çfarë paska ndryshuar në gjithë këtë kohë? Kush i mban përgjegjësitë për atë opozitën fasadë që sot e pranove e dje jo? Pse u desh që demokratët të mbushnin sheshin kundra Ramës që të dëgjonte edhe veshi i shurdhër i PD-së? Sa garanci ka që, një herë në pushtet, do luhet pastër e do bëhet politikë për njerëzit e thjeshtë kur për pak muaj ndërron qëndrim? E sigurt është që vafti ka ardhur që turma e madhe e të palumturve, të pakënaqurve, të varfërve, të pashpresëve tashmë është lëshuar në rrugë. Ajo po flet shqeto jo vetëm me Ramën që e solli vendin në këtë derexhe por në të njëjtën kohë edhe me këdo që e mbajti në pushtet me mosveprim deri më tani. Inati popullor ndërron kah shumë shpejt e prej tij duhet të druhen të gjitha palët politike.