Përse qeveria vë gishtin tek opozita për hedhjen në erë të linjës energjetike?

Përse qeveria vë gishtin tek opozita për hedhjen në erë të linjës energjetike?
ANALIZË/ Maturia në këtë situatë është e domosdoshme për të mos ushqyer me shkëndija të rrezikshme, kaosin në të cilin është futur arena politike shqiptare dhe ku janë përfshirë dhe përballen me të, duan apo nuk duan, qytetarët shqiptarë

Qeveria shqiptare doli dje me një mesazh ku vinte gishtin tek opozita, lidhur me zbulimin nga punonjësit e OST, të dëmtimit të një shtylle të tensioni të lartë në Krujë.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht zëdhënëse e Qeverisë, ndonëse pa përmendur emra, qartësisht vinte gishtin tek opozita në deklaratën e saj pasditen e djeshme kur tha se vënia e tritolit te linja e energjisë elektrike është e nxitur nga e njëjta dorë:

“Vesi del me shpirtin! Goditet me tritol linja e transmetimit 400 KW në Laç dhe pas 30 vjetësh kapituj sherresh e rrëmujash të nxitura nga e njëjta dorë, dihet kush u bie shtyllave nga tërbimi i dëshpërimit”, - u shpreh Spiropali, duke paralajmëruar: “E keni kot, hidhuni përpjetë sa të doni, këtë vend mbrapa dot s'e ktheni”.

OST nuk zbuloi në kohë dëmtimin

Në vite ka pasur shpërthime në linjat e tensionit të lartë. Pothuajse në të gjitha rastet, zbulimi i tyre për vetë reagimin që shpërthimet kanë, janë konstatuar në kohë reale.

Këtë radhë, askush nuk di të thotë se kur ka ndodhur ky shpërthim i dyshuar.

Kjo pohohet dhe në deklaratën për shtyp që doli sot, pak para se të fliste Spiropali:

“Sot në mesditë, punonjësit e OST, pranë fshatit Krastë, Thumanë, Fushë Krujë, konstatuan se njëra këmbë e shtyllës dyfishe të tensionit të lartë (400 KW), Nr. 65, e linjave Tiranë–Podgoricë dhe Tiranë-Prizren ishte dëmtuar me lëndë, të dyshuar eksplozive”.

Për ngjarjen ka ndërhyrë dhe policia. Grupi hetimor shkoi në vendngjarje dhe tha se po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

PD: Neveri për propagandën me tritol të Edi Ramës

Partia Demokratike e cilësoi të papranueshëm aludimin e qeverisë se incidenti është nxitur prej saj dhe në një deklaratë të posaçme tha se “hedh poshtë me neveri shpifjen e Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit se pas shpërthimit me tritol të shtyllave të tensionit të lartë qëndron PD dhe opozita”.

Për PD, “një shpifje e tillë tregon dëshpërimin e thellë të shefit të Taulantit dhe të Elisës, i cili e ka lidhur fatin me krimin dhe porositësit e tritolit”.

Ndërsa bën thirrje që të zbulohen autorët: “Nëse ai nuk ka dorë në këtë propagandë helmuese, Edi Rama, i cili ka kontroll të plotë mbi policinë, shërbimin sekret dhe prokurorinë, duhet të zbulojë pa vonesë ata që kanë urdhëruar dhe kanë vendosur tritolin në shtyllën e tensionit të lartë”.

PD, duke theksuar se i dënon me forcë këto “shpifje djallëzore të nivelit të Griseldës”, vlerëson se ato po bëhen për të nxitur urrejtjen dhe për të rritur konfliktin në vend”.

Nga ana tjetër, PD shpreh keqardhjen që “PS ka ulur përfaqësimin e saj në nivelin e inteligjencës dhe ndershmërisë së Taulantit dhe Elisës”.

“Ne e dimë se brenda PS ka personalitete që mund ta ndihmojnë partinë e tyre në këtë ditë të hallit ku ka rënë, duke kontribuar, njëkohësisht, në shkëputjen e lidhjeve të PS me krimin, e cila është bërë pengesë për të ardhmen europiane të vendit”, - përmbyllet deklarata e PD.

Menjëherë më pas, reagoi edhe një herë Spiropali. Ajo, jo vetëm nuk u tërhoq nga deklarata e parë, por vijoi të aludojë, kur u shpreh: “Më falni po unë nuk përmenda askënd, ju të dashur ish-kolegë të arratisur nga detyra pse u hodhët përpjetë?! Po s'keni faj, tërbimin e dëshpërimit kundër shtyllave të tensionit, e keni si kallëp dinamiti nën kësulë! Përpjetë hidhuni, të gjithë e dinë atë që duhet të dinë. Ky vend mbrapa s'bën”, - ishte reagimi i Spiropalit.

Por edhe nëse Spiropali do të pretendonte se nuk ka akuza ndaj opozitës, atë e përmbys Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar socialist, i cili foli me emra në akuzën e tij: “Aktet e dhunës të komanduara nga Basha dhe Berisha, sikurse rikthimi i sotëm tek tritoli ndaj shtyllave të tensionit të lartë, synojnë të nxijnë fytyrën e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve”, - u shpreh z.Balla.

Ai i mëshoi akuzave kur tha se PD dhe LSI po nxisin gjithandej dhunë: “Sot jemi dëshmitarë që prej ditësh PD dhe LSI kanë ndërmarrë një sulm kundër të ardhmes së Shqipërisë. Sulmit më të furishëm kundër reformës në drejtësi dhe ëndrrës tonë Europiane. Nëse do të fitonte rruga e dhunës e zgjedhur nga Basha, e sigurt është se Shqipëria do të humbte”, - tha z.Balla duke shtuar: “Të gjitha maskat kanë rënë. Ata që vranë protestuesit para 8 vitesh, ata që shfarosën Gërdecin, tani duan të vijnë përsëri në pushtet përmes forcës, dhunës dhe sot edhe me tritol”.

Për Ballën, “politikanët e vjetër, të frikësuar nga drejtësia e re që po vjen, janë bërë të gjithë bashkë për të mbrojtur interesat e tyre personale, si gjithmonë në kurriz të shqiptarëve”.

Konflikti po mbahet i ndezur

Deklaratat e sotme nga qeveria, pa folur ende asnjë ekspert hetimor, as nga policia dhe as nga prokuroria, ishte dukshëm i nxituar. Politizimi i ngjarjes, është edhe më i papranueshëm, përveçse nëse qeveria ka informacione që nuk i tregon, se në shpërthimin te linja e transmetimit ka dorë opozita. Nëse është kështu, deklaratat politike nuk mjaftojnë, por duhet që drejtësia të merret me autorët.

Por, sa kohë nuk ka autorë dhe as të dhëna të besueshme që të çojnë në një vepër opozitare, deklarata të tilla si ato të Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit, i pari në emër të PS, forca mazhoritare në vend dhe e dyta në emër të qeverisë që drejton vendin, janë më së paku mbajtje në nivelin aktual të tensionit politik i cili mund të prodhojë përshkallëzim të urrejtjes mes kampesh politike dhe njerëzve që i mbështesin ato.

Ndaj, maturia në këtë situatë është e domosdoshme për të mos ushqyer me shkëndija të rrezikshme, kaosin në të cilin është futur arena politike shqiptare dhe ku janë përfshirë dhe përballen me të, duan apo nuk duan, qytetarët shqiptarë.

 

Kryetari i grupit Parlamentar të PS

Taulant Balla tërheq paralele mes “Gërdecit”, “21 Janarit” dhe tritolit te shtylla e korrentit

 

Kryetari i grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, e ka lëshuar dorën në akuzat ndaj opozitës, duke tërhequr dje paralele mes “Gërdecit”, “21 Janarit” dhe tritolit të dyshuar ndaj një shtylle tensioni të lartë në Thumanë.

Balla përmendi tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën 26 qytetarë të pafajshëm dhe u plagosën qindra të tjerë, sikurse vlerësoi ai, nga një krim shtetëror. Nuk ka asnjë dyshim sot, që ai ishte një krim shtetëror i organizuar nga kryeministri i asaj kohe dhe nga falangat e tij, qofshin familjare apo në qeverisje, - tha dje Balla në një dalje për mediat.

Ai kërkoi rihapje të hetimit për këtë çështje, duke paralajmëruar se “kush kujton se drejtësia harron e ka shumë gabim”.

Po dje, duke komentuar incidentin e Thumanës, ai tha se “aktet e dhunës të komanduara nga Basha dhe Berisha, sikurse rikthimi i sotëm tek tritoli ndaj shtyllave të tensionit të lartë, synojnë të nxijnë fytyrën e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve”, - u shpreh z.Balla.

Sipas tij, autorë të ngjarjes janë po ata që “vranë protestues në 21 janar” dhe qytetarë të tjerë në Gërdec: “Të gjitha maskat kanë rënë. Ata që vranë protestuesit para 8 vitesh, ata që shfarosën Gërdecin, tani duan të vijnë përsëri në pushtet përmes forcës, dhunës dhe sot edhe me tritol”. Për Ballën, “politikanët e vjetër, të frikësuar nga drejtësia e re që po vjen, janë bërë të gjithë bashkë për të mbrojtur interesat e tyre personale, si gjithmonë në kurriz të shqiptarëve”.