OKB: Shqiptarët, më të palumturit e Evropës!

OKB: Shqiptarët, më të palumturit e Evropës!
Je shqiptar? Je po aq i lumtur sa edhe një venezuelian, apo palestinez, vendet e të cilëve gjenden aktualisht në konflikte të ashpra politike, madje edhe të armatosura

Janë më të lirë dhe më bujarë se fqinjët e tyre. Por mesa duket këto nuk mjaftojnë që shqiptarët të jenë më të lumtur se ata. Madje, edhe se të gjithë qytetarët e Evropës. Një konstatim i trishtë ky, që vjen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë.

Shkaqet kryesore? Mesa duket, korrupsioni, mbështetja e ulët sociale që një qytetar ka në këtë vend, ajo shëndetësore, por edhe të ardhurat ende të ulëta që secili prej tyre siguron sot. Që të gjitha, arsye që sipas ekspertëve të OKB-së i rendisin shqiptarëve poshtë gjithë të tjerëve në kontinentin e vjetër sa i përket lumturisë. Dhe krah qytetarëve nga vende “të botës së tretë”, apo që janë ende mes luftrash dhe konfliktesh të armatosura, si Venezuela, Palestina, Senegali, apo Somalia.

Nga ana tjetër, ekspertët e OKB-së, e shohin lumturinë si mjaft të lidhur me qeverisjen. “Lumturia e qytetarëve në shumicën e vendeve përcakton se çfarë lloj qeverish ata mbështesin”, vlerësojnë ata. Në këtë këndvështrim, shqiptarët duket se janë krejt të palumtur, edhe për shkak të zhvillimeve të luhatshme politike në vendin e tyre.

Mjafton të kujtojmë se ata edhe në këto momente, gjenden sërish të përfshirë në një situatë të re ngërçi që ka përfshirë politikën vendase. Gjë e cila, nuk mund të kalojë pa u vënë re edhe në renditje të tilla me impakt global. “Institucionet dhe politikat qeveritare janë në mesin e faktorëve kryesorë që ndikojnë në vlerësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve të një vendi”, është një tjetër konstatim i bërë nga ekspertët e OKB-së, në këtë linjë. Dhe kjo sepse sipas tyre, janë pikërisht veprimet e institucioneve dhe qeverisë në përgjithësi ato që u mundësojnë qytetarëve që të kenë një jetë të lumtur. Gjë të cilën mesa duket shqiptarët nuk e gëzojnë ende, teksa ua kalojnë të gjithë në këtë aspekt. Mjafton të përmendim faktin se ata kanë për momentin korrupsionin më të lartë mes vendeve të tjera të rajonit (134 pikë), duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut (129 pikë). Një tregues negativ ky që buron kryesisht nga institucionet dhe që nuk po mundet të zhduket dot ende nga përditshmëria e shqiptarëve. E që mesa duket po ndikon në uljen e vazhdueshme të tyre për interesin ndaj politikës si e tillë. Kur në fakt, sipas OKB-së, duhej të ishte e kundërta.

 

KORRUPSIONI

Vlerësohet të jetë ndër arsyet kryesore që i bëjnë shqiptarët të jenë të palumtur, ndërsa ky tregues rezulton që të jetë mjaft i lartë dhe ende i pranishëm në jetën e tyre të përditshme

 

BUJARIA

Ata mbahen për njerëz bujarë dhe mikpritës në përgjithësi. Por mesa duket janë ende larg konceptit të vullnetarizmit si i tillë, por edhe të të dhuruarit. Kjo është një tjetër dukuri që konfirmohet nga ekspertët e OKB-së për shqiptarët, sipas të cilëve ata i kanë ende të ulët këta tregues. Dhe që mesa duket sipas tyre, ndikojnë në të qenit ende aq të lumtur sa duhet. Konkretisht, sipas tyre në Shqipëri vetëm 18.8% e qytetarëve pohon se ka dhënë pará për bamirësi, nga 29.2% që është ky tregues në nivel global. Dhe akoma më pak, vetëm 8.4% përqindja e atyre që kanë raportuar se kanë kryer punë vullnetare për ndonjë organizatë, etj.