Ndiheni të lodhur, kush janë shkaktarët e situatës

Ndiheni të lodhur, kush janë shkaktarët e situatës
Lodhja është një gjendje që prek pothuajse të gjitha grupmoshat, ndërkohë që e neglizhuar mund të mbart probleme të shumta, si në aspektin shëndetësor duke lejuar avancimin e sëmundjeve të ndryshme, ashtu edhe në atë profesional duke ulur aftësitë dhe përqendrimin në punë, mësime, etj. Sëmundje të caktuara, lodhja fizike, pagjumësia mund të jenë disa nga shkaktarët e lodhjes dhe situatës jo të mirë shëndetësore. Por si duhet vepruar në këto raste, kush janë këshillat e rëndësishme që duhen ndjekur?

 

Çrregullimet e gjumit, kequshqyerja, mungesa e aktiviteteve fizike, stresi, apo sëmundje të caktuara, klasifikohen si përgjegjësit kryesor që ndikojnë në shtimin e lodhjes dhe vështirësive të shumta që na shfaqen në kryerjen e aktiviteteve tona të përditshme. Lodhja është një gjendje që prek pothuajse të gjitha grupmoshat, ndërkohë që e neglizhuar mund të mbart probleme të shumta, si në aspektin shëndetësor duke lejuar avancimin e sëmundjeve të ndryshme, ashtu edhe në në atë profesional duke ulur aftësitë dhe përqendrimin në punë, mësime, etj. Mjekja Jolanda Gega tregon se cilët janë faktorët më të shpeshtë që çojnë në shfaqjen e ndjesisë së lodhjes, si dhe rastet që nuk duhen neglizhuar në marrjen e ndihmës mjekësore të specializuar. Njohja dhe eliminimi i shkaktarëve të lodhjes shihen si forma më e mirë e trajtimit të saj. Në vijim të shkrimit gjeni këshillat se si duhet të veproni për të mposhtur lodhjen gjatë përditshmërisë.

Lodhja

Përgjithësisht lodhja përkufizohet si një ndjenjë e mungesës së energjisë dhe e motivimit, të cilat mund të jenë fizike, mendore ose të dyja. Lodhja është komplekse dhe ka shkaqe biologjike, psikologjike dhe të sjelljes. Lodhja nuk është e njëjtë me të qenit i përgjumur, por dëshira për gjumë mund të shoqërojë lodhjen. Gjithashtu janë të shumta rastet në të cilat lodhja mund të shoqërohet nga apatia, e cila karakterizohet nga indiferenca dhe neglizhenca. Njerëzit shpesh e përshkruajnë lodhjen duke përdorur terma të ndryshëm si për shembull i lodhur, i pafuqishëm, i rraskapitur, i topitur, me mungesë energjie dhe dëshire për të qenë aktiv, etj. Por, lodhja është mjaft e zakonshme në jetën tonë të përditshme. Rreth 20 për qind e amerikanëve ankohen se kanë mjaft lodhje intensive për të pasur një jetë normale. Shkaqet fizike përbëjnë arsyet e rreth 25-30 për qind të lodhjeve, dhe për pjesën tjetër të rasteve janë vlerësuar si përgjegjëse arsyet emocionale dhe mendore. Megjithatë, përveç rasteve kur lodhja lidhet me disa sëmundje dhe sindroma, tek individët normalë pas largimit të shkakut, lodhja kalon shpejt. Kështu ndodh për shembull kur merremi me aktivitete fizike, kur kemi punë me përqendrim dhe ngarkesë mendore. Në këto raste pas pushimeve prej 2-3 orësh e marrim shpejt veten. Në shumë raste, njerëzit përjetojnë lodhje edhe kur hanë, sidomos pas drekave dhe darkave të rënda. Kjo ndodh për faktin se gjatë ngrënies organizmi ynë kryen punë dhe ashtu si gjatë çdo pune shpenzohet energji, rrjedhimisht kemi ndjenjën e lodhjes. Kjo lodhje, në varësi të llojit dhe sasisë së ngrënies zgjat 30 minuta deri në disa orë.

Shkaku

Ka shkaqe të shumta potenciale të lodhjes si një ankesë e rëndësishme. Ndër to mund të përmendim ato sëmundje që shkaktojnë furnizim të dobët me gjak në indet e trupit dhe që ndikojnë në metabolizmin e organizmit. Kështu përmendim sëmundje të ndryshme të zemrës, mushkërive dhe enëve të gjakut (zmadhimi i zemrës, infarktet, astma bronkiale), anemitë, çrregullimet endokrine (tiroidet, diabeti), sëmundjet infektive (mononukleoza, tuberkulozi, Sida, gripi), disa medikamente që japin gjumë (mjekimet kundër alergjisë, kundër depresionit, mjekimet e presionit të gjakut), kushtet e shëndetit mendor (depresioni, ankthi, hidhërimi, çrregullimet e ngrënies si anoreksia dhe bulimia), problemet me gjumin (pagjumësia) dhe një shumëllojshmëri kushtesh të tjera (mjekimet me kimioterapi dhe radioterapi kundër kancerit, obeziteti, artriti, sindromi i lodhjes kronike, etj.

Kujdesi mjekësor

Në përgjithësi njerëzit kanë nevojë për kujdes të shpejtë mjekësor në rastet kur lodhja vjen papritur (jo për shkak të streseve dhe lodhjeve afatshkurtra fizike dhe mendore), kur lodhja nuk largohet nga largimi i faktorëve që e kanë shkaktuar atë (pagjumësia, lodhje fizike apo mendore), lodhje që bëhet kronike apo ekstreme, lodhje që lidhen me dobësi, dobësi që lidhet me humbje të shpejta në peshë, lodhje që shoqërohen me dhimbje të ndryshme në trup (dhimbje gjoksi, dhimbje barku, dhimbje koke, etj).

Diagnoza

Për vlerësimin e saktë të lodhjes, në radhë të parë mjeku kërkon nga pacienti historinë e plotë të sëmundjes.  Së pari ai kërkon një informacion të plotë për mënyrën e jetesës, për aktivitete fizike, për llojin e punës që kryen, a ka ndonjë kohë specifike të lodhjes ( kohë të ditës apo stinë të vitit), gjendjen emocionale të pacientit (a ka zhgënjime apo pakënaqësi në jetë), për rregullsinë e gjumit, a përdor shumë kafe dhe alkool gjatë ditës, cili është regjimi ushqimor i pacientit. Gjithashtu e pyet për simptoma më specifike, temperaturë, të vjella, diarre, dhimbje të ndryshme, tensionin e gjakut. Mjeku kryen ekzaminimin fizik dhe laboratorik të pacientit. Në varësi dhe të simptomave specifike, mjeku kërkon ekzaminime të ndryshme (laboratorike, imazherike, mikrobiologjike, etj)

Terapia

Trajtimi i shkakut themelor përbën edhe çelësin e trajtimit të simptomës së lodhjes. Për fat të mirë shumë shkaqe të lodhjes mund të trajtohen me medikamente, për shembull shtesat e hekurit në rastin e anemive, mjekimet e pagjumësisë, mjekimet që rregullojnë funksionin e tiroides, mjekimet që kontrollojnë nivelin e sheqerit në gjak, antibiotikët për trajtimin e infeksioneve, vitaminoterapitë, dietat e ndryshme ushqyese etj.

Trajtimi

Në përgjithësi prognoza e trajtimit të lodhjes është e mirë, sepse shumë prej shkaqeve të lodhjes trajtohen mjaft mirë. Vështirësi paraqesin personat që vuajnë nga sëmundje kronike (sëmundjet e zemrës, diabeti), si edhe ata që abuzojnë me alkoolin, duhanin, kafen. Megjithatë në bashkëpunim me mjekun rezultatet janë të kënaqshme edhe në këto raste.

Tabela

Këshilla se si mund të parandalohet lodhja

Parandalimi i lodhjes (fizike dhe mendore) është i mundur në shumë njerëz. Parandalimi i shkakut kryesor pothuajse në çdo situatë, çon në parandalimin e lodhjes.

Marrja me aktivitete sportive dhe ushtrimore (pa sforco dhe në konsultë me mjekun), përbën një relaks mjaft të mirë për lodhjet nervore.

Kontrolli i medikamenteve që marrim (te mjeku ose farmacisti) për të parë nëse ndonjëri prej tyre është shkaktar i lodhjes.

Rekomandohet përmirësimi i dietës sidomos një mëngjes i pasur me drithëra, qumësht e fruta, si edhe konsumimi gjatë ditës i frutave dhe perimeve të freskëta. Duhet të ndalohet duhani dhe konsumimi i tepërt i kafeinës (kafet, coca-cola, etj, sidomos pas orës 6 të mbrëmjes).

Rëndësi ka edhe higjiena e gjumit (shkuarja në shtrat në të njëjtën orë rregullisht), ulja e konsumimit të alkoolit, sidomos pas darke (alkooli ndikon në modelet e gjumit).