Mustafa Mehja: Fatkeqësi, këtu çfarë ndodh në politikë, reflektohet në art

Mustafa Mehja: Fatkeqësi, këtu çfarë ndodh në politikë, reflektohet në art
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press këngëtari i njohur, “Artisti i Merituar”, Mustafa Mehja: “Publiku e bën diferencën por pikësëpari dallimi i madh duhet bërë nga institucionet dhe politika. Nuk kam aspak dëshirë që të merrem me temat e politikës por në këtë vend, çfarëdo që të ndodh në politikë, reflektohet edhe në art. Në gjithë këto vite për artistët nuk ka dashur të dijë njeri në janë gjallë ose jo. Ndërkohë që kur vijnë të huajt këtu nuk pyesin se kush është kryeministër ose kryetar parlamenti se këto ata i dinë. Të huajt interesohen për artin, shkencën, historinë dhe folklorin e këtij vendi. Artistët, në veçanti, janë fytyra e kombit dhe ne e ndjejmë këtë aspekt kur shkojmë dhe interpretojmë jashtë kufijve.”

***

Mustafa Mehja e nisi karrierën e tij në moshë shumë të re dhe ishte pjesë e brezit më të ri të këngëtarëve që erdhën nga konkurrimet mes talenteve të ndërmarrjeve dhe fabrikave. Por shkëlqeu shpejt dhe zuri rrënjë në estradën e Elbasanit, qytetit të tij të zemrës. Me disi vite në skenë me këngën e lehtë, në 1994 vendosi që dashuria e tij për muzikën do të ishte e tëra për këngën e bukur popullore qytetare të Shqipërisë së Mesme. Sot që është një burrë 53 vjeçar, ka mbi supe disa dekada në skenë, në luftë të përditshme me vështirësitë që hasin artistët e mirë në këtë vend, por me shpresën se një ditë do të bëhet më mirë. Kjo intervistë ekskluzive me të na e risjell pranë lexuesit një nga këngëtarët me të mirë të Elbasanit, qytetit me aq tradita e që aq shumë i ka dhënë kulturës dhe folklorit shqiptar.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Publiku ju kujton që në interpretimet tuaja me këngën e lehtë. Por si ka nisur aktivizimi në muzikë?

Babai im ka qenë aktor në Teatrin e Elbasanit ndaj e gjithë familja ka qenë e interesuar ndaj arteve, në përgjithësi. Kujtoj që kam qenë vetëm 5 vjeçar kur isha kurioz dhe dëgjoja me dëshirë të madhe spektaklet italiane. Ishin vite kur babai na mblidhte të dëgjonim “Canzonissima” në televizionin italian. Me aq sa kuptoja unë nga muzika në atë moshë, isha shumë i pasionuar pas muzikës italiane. Por e veçanta në mes të fëmijëve të tjerë ishte që veshi im ishte i jashtëzakonshëm për t’i kapur notat dhe harmonitë. Mësoja fjalët por mësoja edhe orkestracionin. Në moshën 6-7 vjeçare filluan edhe angazhimet e para në festivalet e fëmijëve dhe shumë aktivitete që organizohesh në qytet por edhe jashtë qytetit të Elbasanit. Babai më çoi tek i ndjeri Alfons Balliçi i cili më provoi në piano dhe i tha babait që të mos e linte pas dore faktin që unë kisha vesh absolut. Pjesëmarrjet e mia në festivalet e pionierëve ishim shpesh të shoqëruara me çmime e kështu rrodhën shumë vite.

Por ju u bëtë i njohur nga artistët që vinin nga “klasa punëtore” siç quhej në ato vite?

Unë nisa punë në fabrikën e çimentos si elektricist dhe aty mora pjesë në estradat e ndërmarrjeve, që ishin të shumta në ato vite. Ndërmarrja jonë ishte e padiskutueshme që merrte çmimin e parë, ku aty është edhe kontributi im. Nga aty, me urdhër të Sekretarit të Parë të Partisë të Elbasanit, Pali Miska, siç bëheshin gjërat në atë kohë, unë u emërova në Estradën Profesioniste të Elbasanit. Aty kam punuar shumë vite, deri përpara 3 viteve.

Cili ishte evenimenti që ju dhe famën ose ju bëri të njohur për një publik më kombëtar?

Ishte Festivali Kombëtar i Zërave të Rinj, në vitin 1985. Aty u vlerësova me çmim të parë dhe bëhet fjalë për një aktivitet që në atë kohë ndiqej me shumë kërshëri nga publiku. Nuk vonoi shumë dhe përsëri u nderova me çmim të parë në Anketën Muzikore në Radio Tirana me një këngë që ishte dhe kënga ime e parë në Radio Tirana, “Shiu mbi xham troket” me kompozim të Shpëtim Pezës. Në vitin 1989 mora pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH me një këngë nga kompozitori Spartak Tili, “U ndez një mall” dhe në vitin 1990 isha pjesëmarrës po në Festivalin e këngës në RTSH me një këngë nga i ndjeri Alfons Balliçi, në duet me Irena Cicerin, një këngëtare e re. Fillimi i demokracisë më gjeti me këngën “Një javë dashuri” nga Edmond Rrapi në vitin 1993 dhe erdhën më pas edhe pjesëmarrjet në festivalin “Këngët e stinës”. E kujtoj këtë pjesëmarrje sepse fitoi këngëtari i njohur Sherif Merdani me një këngë shumë të ndjerë “Po ku ishe ti o Zot”. Kënga ime është nga më të bukurat e repertorit tim të muzikës së lehtë, “Zëri i shpirtit tim”. Në vitin 1994 interpretova këngën “Lërmë të të ndjej” dhe ishte edhe një vit ky kur unë bëra kalimin tek muzika popullore. Kujtoj që paralel, madje në një ditë, isha interpretues me këngë të muzikës së lehtë në “Këngët e Stinës” por edhe tek spektakli “12 në Hollivud”  me këngën popullore. Më vjen në mendje i ndjeri Alqi Boshnjaku që më thoshte se përse isha i vendosur që të shkoja tek “12 në Hollivud” e të këndoja këngën popullore. Ai më donte shumë që të rrija tek muzika e lehtë. Por pasi më pa dhe pa edhe suksesin tim atje, më dha të drejtë sepse më përgëzoi dhe komplimenti që unë kisha interpretuar shumë mirë. Para fatin që mes shumë këngëtarëve më të mirë të këngës popullore qytetare të Shqipërisë, të dilja në natën finale, mes 10 më të mirëve. Një sukses për mua, që isha i ri dhe sapo kisha filluar me këngën popullore. Pavarësisht se edhe për disa vite, rrallëherë unë shkoja edhe tek muzika e lehtë siç ishte me pjesëmarrjen ne spektaklin “Koha në pentagramin tim” për të ndjerin Ferdinand Deda ose edhe në programet festive të Vitit të Ri që organizonte TVSH, unë pothuajse ju dedikova me mish e me shpirt këngës popullore.

Pse ndodhi kjo?

Edhe gjatë angazhimit tim me këngën e lehtë, unë nëpër dasma dhe gëzime familjare sigurisht që kisha kënduar muzikë popullore të trevës time, nga Elbasani dhe Shqipëria e Mesme. Nëna ime, ndjesë pastë, kur mblidheshim të gjithë me familjen, më ftonte që të këndoja këngë popullore se ajo mendonte se e këndoja bukur. Por pati një shkak tjetër kryesor që u përqendrova aty. Është shumë e thjeshtë, unë pashë nga afër, ndjeva dashurinë e publikut pas pjesëmarrjes sime tek “12 në Hollivud”. Në të gjitha festivalet e këngës popullore që ka organizuar Televizioni Shqiptar, unë ose kam marrë çmim të parë, ose të dytë.

Duket se paske qenë në garë me dikë ku herë fitonit ju e herë ai ose ajo....

Ishte një garë mes miqsh. Me Bujar Qamilin ishim konkurrentë, konkurrentë miq. Me humor më thoshte se duhet ta bënim me letër me vrimë se kush do të merrte pjesë se o unë o ai ishim në vend të parë. Por sigurisht ka pasur edhe konkurrentë të tjerë. Pas këtyre aktiviteteve mjaft cilësore dhe ku muzika popullore kishte një vend të artë, pati një ndërprerje të tyre, fatkeqësisht. Duke lënë vetë, festivalin e Gjirokastrës ku sigurisht kam qenë pjesëmarrës ose disa herë në “Sofra Tironëse” që është një aktivitet mjaft i mirë. Një mënyrë e sinqertë dhe e pastër ndërveprimi mes artistëve dhe publikut që mua më pëlqen shumë. Në këto vite erdhën dhe disa albume dhe videoklipe që u pritën mjaft mirë dhe kështu unë krijova një publik timin që më ka ndjekur me shumë besnikëri.

Këngët tuaja të repertorit janë këngë të reja apo këngë nga repertori i vjetër i Shqipërisë së Mesme?

Fillimisht unë kam kënduar këngë të të madhit Isuf Myzyri, të Mustafa Budinit ose nga Aleks Vinit. Tre gjigantët e muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme, që të tre nga Elbasani. Më pas sigurisht që filluan këngët e reja, pra krijime të reja.

Por që të gjitha këngët tuaja janë të mbështetura në taban..

Po, me rrënjë të thella në taban, pa asnjë ndërhyrje ose huazim, orientalizma. Janë këngë popullore qytetare. Unë as nuk mundem të këndoj dot këngë me detaje të huazuara ose orientalizma. Në këto ditë që po flasim bashkë, ka dalë kënga ime e re dhe pavarësisht temës dhe detajet bektashiane, ajo është një këngë qytetare.

E keni fjalën mbi këngën “për ty Martanesh”?

Po. Disa miqtë e mi me origjinë nga Martaneshi, të cilët janë të besimit Bektashi, më hodhën idenë për të bërë një këngë për zonën e tyre, mbi të cilën ekziston vetëm një këngë e kënduar nga e madhja Fitnete Rexha, dëshira e tyre ishte për një këngë popullore ritmike dhe tekstin unë e bëra gati shumë shpejt, më rrodhi frymëzimi menjëherë. Deri tani është pritur shumë mirë dhe koha do të tregojë nëse do të rezistojë dhe publiku do e dojë atë.

Ju jeni një nga këngëtarët më të njohur të muzikës popullore por jeni kaq modest kur flisni për veten dhe karrierën tuaj...

Në përgjithësi në jetën time unë jam shumë modest dhe i thjeshtë. Kjo ka të bëjë edhe me natyrën e njerëzve të zonës nga vij, të qetë, të paqtë, që duan jetën me anët e saja më të bukura. E kam me shumë vështirësi që të flas për veten time. Rëndësi për mua ka që të flasë puna ime.

Megjithatë publiku di ta bëjë vetë diferencën, apo jo?

Sigurisht që publiku e bën diferencën por pikësëpari dallimi i madh duhet bërë nga institucionet dhe politika. Nuk kam aspak dëshirë që të merrem me temat e politikës por në këtë vend, çfarëdo që të ndodh në politikë, reflektohet edhe në art. Në gjithë këto vite për artistët nuk ka dashur të dijë njeri në janë gjallë ose jo. Ndërkohë që kur vijnë të huajt këtu nuk pyesin se kush është kryeministër ose kryetar parlamenti se këto ata i dinë. Të huajt interesohen për artin, shkencën, historinë dhe folklorin e këtij vendi. Artistët, në veçanti, janë fytyra e kombit dhe ne e ndjejmë këtë aspekt kur shkojmë dhe interpretojmë jashtë kufijve. Kur kemi kënduar përpara një publiku të huaj, kemi interpretuar me kostume popullore këngë të Shqipërisë së mesme, Jug e Veri e ata vërtetë nuk kuptojnë asnjë fjalë nga këngët por vlerësojnë shumë zërin, veshjen, interpretimin dhe duartrokasin pa fund. Gjendja ekonomike gjithashtu ndikon shumë dhe publiku shqiptar nuk është i përqendruar sepse e ka shumë mendjen tek mbijetesa, tek paratë dhe interesa si këto. E kanë shumë të vështirë të thellohen tek cilësia e interpretimit. Ekranet e televizioneve, të radiove, që të gjitha pa asnjë përjashtim, transmetojnë thuajse muzikë të huaj. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. në radiot italiane, greke, në Ballkan, kudo, dëgjon më së shumti muzikën kombëtare e shumë pak muzikë të huaj. Kjo është jetike për të rritur vlerësimin për muzikën dhe artin e vendit tënd. Ndërsa në Shqipëri ne kemi ende një nënvlerësim për artin tonë dhe veçanërisht folklorin. Habitem shumë me këtë gjë dhe kur të më vijë dita e Zoti ta ketë vendosur, do të iki nga kjo botë me pishman që s’i ka mundësi që këtu dëgjohet vetëm muzikë e huaj.

Nuk e kaluam dot tranzicionin thua?

Jemi shumë prapa dhe këtu flitet vetëm për politikë, që në të vërtetë është plotësisht vetëm faji i saj që niveli është ky. Mirë që politika në këtë vend nuk bën asgjë, nuk vlerëson por edhe duke u përpjekur ne artistët me vullnetin dhe sakrificat tona, pengohemi dhe luftohemi.

Si e shikon aspektin e jetesës së një artisti në Shqipëri?

Një artist i mirëfilltë në Shqipëri punon për mbijetesë jo për të qenë i pasur. Secili nga ne mund  të ketë thënë me qindra herë se do e lëmë këtë zanat, lodhja dhe stresi janë shumë të mëdha. Por ja që nuk na lë pasioni dhe dashuria që kemi nga talenti ynë por edhe që na e kanë lënë testament të parët tanë. Nuk është e thjeshtë të jesh artist, artist lind e nuk të bën shkolla. Zëri i bukur dhe veshi i intonuar lind me njeriun, një formulë që nuk zgjidhet me fjalë, atë pigment t’a jep nëna. Unë personalisht nuk kam mbaruar shkollën e lartë sepse nuk ka një degë për muzikën popullore e duhet të bëja muzikë klasike që unë nuk e kam pasion. Profilizohet artisti popullor tek Teatri i Operës e pasi të mbarosh shkollën duhet të kesh miq që të punësohesh. Talenti nuk të jep vendin që meriton, këtu. Kam një shembull të freskët. Unë kam kohë që aktivizohem me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. U vendos që të bëheshin audicione për të hyrë aty. Një absurd i madh. Ndërkohë kisha 8 premiera në të cilat unë mora pjesë me ansamblin, të cilat patën shumë sukses. Absurdi të çonte që duhet të bëja audicion për të hyrë aty, pas një karriere kaq të gjatë, e përveç kësaj, i bindur isha që unë nuk fitoja dhe nëse fitoja, përsëri nuk do të hyja dot. Fillohet punë me urdhër nga lart e kjo është fatkeqësi. Prandaj ka shkuar arti në këtë derexhe. Në Shqipëri nuk vlerësohet i afti, të aftin mos e ngacmo, e meriton të jetë në një pozicion pune, lëre të punojë. Si dikur që bëhej xheloz Enver Hoxha pse bërtiste salla emrin e Vaçe Zelës së madhe, sot jemi po njësoj, po ata. A e dini ju që unë jam hequr nga Estrada e Elbasanit përmes një shkrese “shkurtohet vendi i punës”? Kaq! A thua se Elbasani kishte nja 30 këngëtarë si puna ime. E po të më pyesësh a u ankova, do të përgjigjem që nuk u ankova fare sepse nuk do të zgjidhja asgjë.

Kur keni ndjerë më shumë emocione, kur këndoni jashtë kufijve me një publik të diasporës apo përballë publikut në Shqipëri?

Janë të dyja emocione të forta. Publiku i diasporës të pret në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe veçanërisht trajtimi dhe respekti i mikpritësve ndaj artistit si dhe reagimi i tyre ndaj këngëve të caktuara. Ndërsa emocionet më të forta, duhet ta pranoj, i kam përballë publikut në Shqipëri. Të të them diçka, këtu ka një specifikë. Publiku, e thashë pak edhe më lart, është shumë i ngarkuar me streset e jetës së përditshme. Të duhet një kohë e gjatë, teksa këndon, që ai të përqendrohet tek ti, pra duhet ti si artist ta ngrohësh publikun e kjo do shumë impenjim. Ndërsa jashtë spektatorët vijnë vetëm për ty, nuk kanë shumë nga streset e këtushme, vijnë të çliruar nga hallet ose i lënë në shtëpi dhe janë që në nisje të përfshirë. Kjo e bën punën tonë më të vështirë këtu, por edhe më me emocion.

Ju keni një vajzë që ju ka dhënë një nip...ka marrë nga pasioni juaj për muzikën?

Bija ime jeton në Itali dhe ka krijuar familjen e saj. Në fillim kishte talent dhe madje edhe kemi kënduar bashkë në disa raste. Ka marrë pjesë edhe në kompeticione të rinjsh por të them të vërtetën, ajo pëlqen shumë të këndojë në gjuhë të huaj dhe muzikë moderne. Ajo ka studiuar për farmaciste dhe tashmë është në një jetë tjetër. Por herë pas here e shikoj që e rikthen vëmendjen nga muzika.

*Mustafa Mehja me vajzën e tij

Ju vini nga gjurmë të rëndë, Isuf Myzyri e të tjerë. Si e shikoni muzikën popullore tani?

Çdo këngë popullore është e bukur dhe nuk ka rëndësi se nga është por si ajo sillet, pra ka shumë rëndësi interpretimi i saj, si sillet ajo në treg nga lënda e parë, pra nga këngëtari që e sjell atë. Nuk ka këngë të keqe ose të mirë, ka të kënduar të keqe ose të mirë. Interpretimi është kryesor. Çdo interpretues duhet të japë nga vetja, të japë gjurmën e tij.

Ju kemi parë shpesh me kostum popullor, janë tuajat personale?

Po, kam disa, unë kam zgjedhur të vesh kostumin e burrave të Shpatit, një zonë e Elbasanit. I kam kostume origjinale në larminë e gjerë të kostumeve të Elbasanit. E kam ndryshuar veshjen vetëm gjatë pjesëmarrjeve me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve ku kam veshur kostumin e trevave të Tironës.

Keni kënduar më së shumti këngë lirike, për dashurinë dhe bukurinë e femrës, ka një arsye?

Përpara demokracisë sigurisht që kam qenë i detyruar të këndoja edhe këngë për sistemin se ashtu ishte koha. Por mua këngët tematike nuk më shkojnë aspak, nuk më shkonin aspak këngët me ara, fabrika e kantiere ha ha ha. Lirikat e qarkut të Elbasanit janë një mrekulli dhe aty jam ndjerë shumë mirë. Zëri im i përshtatet më mirë këngëve romantike. Këngët e Shqipërisë së Mesme janë kryesisht për dashurinë dhe prandaj Isuf Myzyri ka qenë i madh, i paarritshëm. Ai ka thurur vargje që sot nuk besoj se do të lindë dikush t’i bëjë. Ai shkruante aq thjeshtë por aq bukur dhe me inteligjencë. Komunizmi nuk e vlerësonte dhe ai pas vdekjes u bë “Artist i Popullit”. Vargjet e fundit të tija, që nuk u bënë dot këngë ishin: “Hallet e mia janë më mijëra/porsi unë askush s’punon/ edhe nepka po të pi gjak/me gjakun tim helmohet”ose “një lulishte me trëndafila, është parajsa e vërtetë”...janë vargje të thjeshta por të përsosura që zor se vijnë më.

*Mustafa Mehja në spektaklin TV "Koha në pentagramin tim" (arkiv)