DOSJA ’97/ Si u ndez Vlora dhe si bandat nisën sulmet ndaj VEFA-s kur studentët hynë në grevë urie

DOSJA ’97/ Si u ndez Vlora dhe si bandat nisën sulmet ndaj VEFA-s kur studentët hynë në grevë urie
“Albanian Free Press” publikon kujtimet e shkruara në letër nga njeriu që drejtoi  kompaninë rentiere VEFA, gjatë nisjes së vitit të mbrapshtë, 1997...

Pohimi i Vehbi Alimuçajt:“Do marrim masa të tërheqim 130 milionë dollarë (Shifër identike me të “Gjallicës”). “Cerece + Caputo” ka premtuar 50 milionë dollarë në prill-maj. Kështu që nuk shqetësohem, do të kemi plot pará. Qeveria ka interes të më mbështesë. Shumë ambasada më mbështesin dhe qeveria e di këtë”

 

20 shkurt 1997, studentët e Universitetit të Vlorës hynë në grevë urie. Kjo duket se ishte edhe pika kulmore që shënoi kthesën e gjithë ngjarjeve në qytetin bregdetar. Kështu tregon në këtë rrëfim të radhës, ditari i ish-drejtorit të përgjithshëm i VEFA-s, Memush Habilaj, zbardhur posaçërisht për lexuesit e “Albanian Free Press”. Shoqëruar edhe me sulmet e para ndaj objekteve dhe personelit të kësaj kompanie rentiere, nga turmat e njerëzve që kishin nisur të humbnin kontrollin pas lajmit të falimentit të Gjallicës…

***

“Shkurt 1997

E martë, 11.02.1997

Sot varroset Artur Rustemi, gjendja është e tensionuar. Asnjë në punë, asnjë në shkollë, asnjë veprimtari, pritet që mijëra vetë të marrin pjesë në funeral. Çështja po merr tjetër drejtim, nga revolta për paratë e humbura, në kundërvënie të hapur popull-shtet, por shteti ynë nuk do të kuptojë. Rreth orës 900 fillon grumbullimi i turmës në qendër, në orën 1030 një grumbull personash mësyn selinë e PD-së në Vlorë dhe i vë zjarrin. Hapet fjala se një grup skafistësh dhe mbështetës të tyre janë nisur për në molin e Radhimës për të marrë rreth 130 skafe, të cilët rrinë aty të bllokuar nga policia prej kohësh. Protestat po zhvillohen edhe në Tiranë dhe qytete të tjera. Në Vlorë, po vijnë njerëz edhe nga qytete të tjera. Janë duke ardhur një numër i madh emigrantësh që kërkojnë paratë e tyre e flitet se midis të ardhurve ka shumë elementë kriminelë. Duket që çdo gjë po shkon jashtë çdo parashikimi. Ndjek lajmet në TV dhe kontrolloj shtypin. Ngjarjet në Vlorë përshkruhen me termat më alarmantë, pothuajse një prag kryengritje. Nga shteti ynë asnjë prononcim, asnjë qëndrim, sikur ai të mos ekzistonte.  Komisariati është evakuuar për në Tiranë, ka mbetur një grusht policësh vlonjatë, sa për të thënë se ka polici.

 

E mërkurë, 12.02.1997

Gjendje e rënduar në Vlorë. Megjithatë vazhdojmë të punojmë. Ngrejmë një komision kreditorësh prej 5-6 vetash të zgjedhur nga kreditorët për të bashkëpunuar me ne për menaxhimin e situatës në ndarjen e atyre lekëve që na vijnë. Banka në Vlorë nuk na jep gjë, lekët vijnë çdo ditë me helikopter dhe kjo po na krijon një tension të veçantë, populli po irritohet për të marrë vesh se ç’është ky helikopter, që ulet në oborrin e fabrikës së tullave. Turma para arkës së kreditit rritet çdo ditë. Rojet rraskapiten për të mbajtur gjendjen nën kontroll. Në darkë, incidenti i parë ndaj nesh. Rreth orës 1800 rojet e fabrikës së Qumështit në Xhyherinë njoftojnë se një grup prej 10-15 vetash nga fshatrat përreth tenton të sulmojë fabrikën e futen brenda. Shkon grupi i gatshëm, si edhe një furgon policie. Policia arreston 3-4 veta që mbanin pistoleta, ishin nga Kishëbardha dhe pas disa orësh në polici lirohen.

Ndërkaq, në gazetën “Albania”, Vehbi Alimuça boton një thirrje drejtuar qytetarëve të Vlorës duke kërkuar qetësi, maturi, kulturë e tolerancë dhe të shmanget çdo veprim e akt dhune.

 

E enjte, 13.02.1997

Vazhdon protesta e përditshme, arka punon nën tension.

Mbasdite shkoj në Tiranë me helikopterin që solli lekët. Në darkë shkoj me Vehbiun në shtëpinë e tij tek “Selvia”. Pasi hamë darkë në kuzhinë, ulemi veç të tjerëve dhe bisedojmë. I tregoj ç’ndodhi në Vlorë, protestat, shpartallimin e policisë, incidentin në Xhyherinë, daljen e grupeve kriminale në Vlorë të ardhur nga emigracioni etj, që policia s’ka forcë, se duhet të mbrohemi vetë.

Pasi më dëgjoi, më tha shkurt: “Gjendja do të vazhdojë të jetë e vështirë, qeveria është e korruptuar dhe do të mbështetet te VEFA, po bisedoj me kompaninë “Cecere+Caputo” dhe së shpejti do të kemi pará nga këta, përveçse shpresoj që të kem pará të madhe edhe nga një drejtim tjetër”. Më pas, më bën një pyetje të çuditshme: “A mund të merrni nga deti një ngarkesë me pará? Mendoje”. I thashë që mund ta realizojmë pa problem. “Mirë, - më tha, - në momentin e duhur do të të njoftoj”.

 

E premte, 14.02.1997

Në mëngjes, në selinë qendrore në Tiranë. Pres që të tërhiqen lekët nga banka dhe të fluturojmë në Vlorë. Takoj shumë nga shokët, bisedoj për problemet e punës, shumica nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë ç’ndodh në Vlorë. Jam i rezervuar me ta, e di se midis tyre kemi spiunë, disa i dinë, disa jo. Në një zyrë takoj prof. Marko Menahem, u çudita që e gjeta këtu. E përshëndeta me shumë respekt, e pyeta ç’bënte këtu, kur ishte kthyer nga Izraeli, etj. Më tha se kam filluar si konsulent për industrinë këtu, kam disa ditë dhe kam kënaqësinë se do të punojmë bashkë. Bisedova një copë herë me të, gjithmonë i çuditur se si një person gati 80 vjeç, në këtë situatë, angazhohet tek ne, ia dija kapacitetin dhe aftësitë e tij. Më foli për shumë projekte dhe ide duke pasur besim tek unë. Në drekë vijnë lekët, nisemi me helikopter dhe për 35 minuta zbresim tek fabrika e tullave. Punojmë pa probleme. Marr raportin e ditës, situata njëlloj. Këshilli Bashkiak i Vlorës bën një deklaratë në Teleblu. Krijohet Komiteti i Shpëtimit Publik (KSHB).

 

E diel, 16.02.1997

Dje kemi pasur qetësi relative, nuk pati shqetësime, protesta në Vlorë vazhdon e qetë paradite dhe mbasdite. Politikanët e opozitës nuk po mbështeten plotësisht. Në media bie në sy një shkrim i marrë nga gazeta “The indipendent” ku një analist -Andreë Grumbel pozicionohet hapur kundër “Unionit Financiar - 4 dragonjtë e Shqipërisë”, duke e quajtur të paligjshëm dhe që ka gëlltitur rreth 1.5 miliardë dollarë të shqiptarëve.

 

E mërkurë, 19.02.1997

Sot na ndodhi një incident tek arka e kreditit. Në momentin e uljes së helikopterit që solli lekët, një nga bodigardët vjen i shqetësuar me vrap nga arka dhe bërtet: -Largohuni, do sulmojnë helikopterin.

Piloti ishte ulur në tokë, unë po aty me shoqëruesit e parave. Menjëherë hipim në helikopter dhe duke qenë me motor të ndezur, ngrihemi me shpejtësi, marrim lartësi dhe largohemi. Diku në një lëndinë afër Nartës ulemi unë zbres dhe helikopteri niset për në Tiranë. Telefonoj dhe më dërgojnë makinën, pas disa minutave kthehem tek arka dhe sqaroj problemin: Gjatë hyrjes për në arkë ne kontrollonim burrat, por jo gratë. Duke përfituar nga kjo, disa gra kishin marrë me vete automatikë skorpion e kur kaluan rojet pa u kontrolluar, ua dhanë armët disa burrave, rojet diktuan katër vetë që morën armët dhe u pozicionuan për veprim, për sulm për grabitje të lekëve që do të vinin nga helikopteri. Vigjilenca e rojeve na shpëtoi nga një sulm që s’i dihet si do të përfundonte. Kur e panë që tentativa dështoi, personat e armatosur u fshehën në mes të turmës, rojet u munduan t’i fiksonin si fytyra. Edhe një herë rishikojmë masat e ruajtjes. Arka u mbyll për sot, se lekët ikën në Tiranë. Do punojmë nesër duke i bërë sytë katër.

 

E enjte, 20.02.1997

Në orën 1100 marrim vesh se studentët e Universitetit të Vlorës hynë në grevë urie. Në shtyp publikohet bashkëpunimi i pritshëm i Vehbi Alimuçarjt me Nikolo Kaputon, vlerësimi i kapitaleve të VEFA-s dhe mundësia e një zgjidhje financiare, duket si një zgjidhje e rënë nga qielli. Të shohim nëse do të funksionojë kjo marrëveshje.

 

E premte, 21.02.1997

Sot në mbrëmje ndodh një incident tjetër. Rreth orës 2000, disa familjarë që banonin pranë selisë së filialit u konfrontuan fizikisht me rojet e godinës. Banorët tentuan të provokonin rojet duke cënuar selinë, por pësuan një përgjigje të dhunshme nga rojet. Në mes të zhurmës dhe rrëmujës së krijuar nuk mund të përcaktohej fajtori.

 

E diel, 23.02.1997

Takohem me Vehbiun në Tiranë dhe diskutojmë gjendjen. Esenca e takimit qe: - Gjendja në Vlorë këto ditë e qetë, por mund të rëndohet nga greva e urisë e studentëve. - Ka presion nga çdo anë, por mundohemi të ruajmë pozicionin e kompanisë, sepse me të lidhen fatet e mijëra njerëzve, deri tani janë kartelizuar 35.000 kreditorë. - Po hidhen shumë parulla kundër VEFA-s, deri tani nuk kanë qenë kaq agresive, na përcaktojnë si mbështetës të qeverisë dhe kundra interesave të popullit. Edhe incidentet e ndodhura ndaj nesh janë bërë nën këtë prizëm. - Shtypi po e acaron dhe tensionon gjendjen, ndez opinionet kundër nesh. Ai po mashtron publikun: p.sh. gazetat thonë se para sporteleve të VEFA-s janë grumbulluar 10.000 vetë, kur në fakt atë datë kanë qenë 200-300 kreditorë si në çdo ditë tjetër. Flasin edhe për lidhjen e firmave rentiere të Vlorës me mafien italiane, Camorran etj., duke ua ngritur mendjen njerëzve. - Në Vlorë po vijnë figura të inkriminuara nga jashtë vendit dhe nga zona të tjera. Këto ditë ka dalë në skenë një farë Myrteza Çaushi, që po ngre një tip bande personale, ka një vëlla që punon tek ne te fabrika e tullave, i cili na tregoi se Zani sapo ka ardhur nga Greqia. Kanë dalë hapur dy banda, njëra në Pus të Mezines, banda e Makajve; tjetra në Qafë të Koçiut, banda e Kakamit (Alfred Nebiu). Këta njihen me gisht në Vlorë si kontingjente të SHIK-ut. Kanë dhënë sinjale edhe grupe të tjerë të vegjël.

Ngrita edhe problemin e të afërmve të VehbiAlimuçajt në Vlorë, ka mundësi që të bëhen objekt presioni e provokimesh dhe të na hapin telashe të tjera, prandaj më e mira është të largohen përkohësisht nga Vlora. Ra dakord menjëherë për këtë. Kurse për problemin e aksionit nga deti, që më tha para një jave, i thashë se mund të angazhoja një peshkarexhë të mirë me njerëz të sigurt, ose dy skafe me pronarë - kreditorë tanë, që janë të sigurt. Më tha se sa të qetësohet gjendja, do marrim masa të tërheqim 130 milionë dollarë. Më habiti kjo shifër identike me atë të “Gjallicës”. “Cerece + Caputo” ka premtuar 50 milionë dollarë në prill-maj. Kështu që nuk shqetësohem, do të kemi plot pará. Qeveria ka interes të më mbështesë. Shumë ambasada më mbështesin dhe qeveria e di këtë.  Nesër do të dërgoj 1 milion dollarë në Vlorë të qetësohen disi kreditorët. Ki kujdes helikopterin”, shtoi ai.

I thashë që ia ndërrojmë vendin çdo herë për zbritje dhe asnjë nuk e di se ku do të ulet.

 

E hënë, 24.02.1997

Revoltat vazhdojnë, ndërpriten vetëm nga shiu. Policia nuk ndihet e gjallë. I bëj një vizitë kortezhe shefit të ri të komisariatit, Etem Kurtit. Jam i shqetësuar për hungarezët, kam përforcuar ruajtjen e tyre. Po ashtu, edhe sigurimin e punonjësve të arkës së kreditit, i marrim dhe i çojmë me makina dhe të shoqëruar me roje. Në drekë, një turmë e madhe mblidhet para arkës së kreditit, thirrje, zhurmë e rrëmujë, krijohet tension i madh. Rojet u tejlodhën, kërkoj mbështetje nga policia, na vijnë në ndihmë një grup oficerësh të forcave speciale me emër dhe reputacion në Vlorë si Gjergj Mehmeti, Genti Kamberi etj. Turma qetësohet disi, personat e armatosur ia mbathin, për t’u rikthyer më vonë. Helikopteri ulet në Babicë të vogël, një karvan makinash sjellin lekët në arkë, fillon shpërndarja. Pasi ka filluar puna, rreth orës 1500 një grup i armatosur hap zjarr në ajër me automatikë dhe tentojnë të sulmojnë arkën, përleshen me rojet që iu përgjigjen po me breshëri armësh. Panik midis turmës dhe punonjësve tanë. Ndërhyrja e oficerëve të policisë shpëton situatën. Bandat e armatosura tërhiqen dhe fshihen midis turmës. Urdhëroj mbylljen e arkës, turma shpërndahet pjesë-pjesë.

Rreth orës 1600 mbyllim arkën dhe shkojmë në hotel. Jemi dy makina. Në mes të rrugës marrim një mesazh: “Tek restoranti i hotelit është një grup kriminal i armatosur, mos hajdeni”. Ne vendosim të shkojmë, kontrollojmë rojet dhe rreth e rrotull asgjë e dyshimtë. Pasi ulemi dhe fillojmë të hamë, befas nga dritaret shohim se në oborr u turrën disa njerëz me automatikë Skorpion në duar. Çajnë rojet dhe hyjnë në restorant. Ne kishim zënë dy tavolina, ishim rreth 10 vetë, armët i kishim pas murit. Dy persona kriminelë, të njohur në Vlorë si kontigjentë të SHIK-ut me nofkat Dadi dhe Kuqo hapin zjarr mbi kokat tona duke thyer abazhurët. Komandanti i policisë private ndërhyn për të shpëtuar situatën dhe kriminelët që ia kishin frikën tërhiqen duke qëlluar me breshëri. Në restorant mblodhëm 37 gëzhoja automatiku dhe pistolete TT. Shumë objekte qelqi u copëtuan. Pasi qetësohet gjendja, mblidhemi në zyrë për të diskutuar masat që do të marrim. Dikush na kishte tradhtuar tek kriminelët, që dinin lëvizjet tona. Vendosëm që nesër të mbyllim veprimtarinë e arkës për një periudhë të pacaktuar. Vëmendjen do ta kemi tek hungarezët. Rishikojmë edhe një herë masat mbrojtëse. Mbyllja e arkës ka të mirat e të këqijat e veta, por nuk shohim rrugë tjetër. Përveç të tjerave, arka na bllokon gjysmat e rojeve. Fola me Vehbiun dhe ai qe plotësisht dakord.

 

E martë, 25.02.1997

Duhet të punojmë edhe sot tek arka, sepse nga Selia Qendrore Tiranë ishte përgatitur një kontingjent parash për në Vlorë. Kështu që do të punojmë edhe sot. Helikopteri ulet tek liqeni në Babicë të Vogël, paratë i sjellim me një varg makinash. Pasi mbarojmë shpërndarjen lajmërojmë që nesër arka do të mbyllet deri në një vendim të dytë, për arsye të situatës. Në mbrëmje fillojnë kërcënimet dhe gjuajtjet me armë si ritual i natës. Mbasdite bëj mbledhje me përgjegjësit e ruajtjes. Të gjithë janë të shqetësuar tej mase, të gjithë kanë marrë kërcënime nga rrugeçër, banda të armatosura etj. Ka dyshime se ka nga këta edhe kontingjente të SHIK-ut. Tani që mbyllet arka kemi më tepër roje të armatosura në dispozicion dhe mund të përballojmë situatën. Në fund, shefi i informacionit më jep në veçanti një të dhënë shumë të çuditshme: janë krijuar grupe të armatosura për të sulmuar objektet e VEFA-s dhe institucionet, menaxhohen nga SHIK-u me qëllim që veprimet e tyre të duken si të organizuara nga protestuesit dhe opozita, e kështu do të merren masa të forta ndaj saj. Çudia më e madh është se flitet që Vehbi Alimuçaj bashkëpunon me SHIK-un dhe se u ka premtuar shumë pará për këto aventura. Mendoj se është dizinformim i radhës.

Në qytet ka shumë të ardhur nga fshatrat, priten edhe nga rrethet, Shkodra etj. Pse duhet të vijnë në Vlorë? Kush i drejton dhe i udhëheq?

Para se të ndaheshim një nga bodigardët, Edmond Tahiri, ish- oficer policie, më kërkon 3-4 ditë leje, do të shkonte në Greqi se do çonte nënën për mjekim. I dhashë leje dhe i thashë se nesër një makinë e jona shkon në Kakavijë për të marrë disa materiale dhe të shkonte me të. Por më tha se i kishte marrë masat për makinë. Pas 2-3 ditësh do të mësoja të vërtetën... Rreth e rrotull Vlorës vazhdojnë breshëritë e armëve, u mësuam me to. Lexoj disa gazeta, botohet relacioni i Blerim Çelës për “Gjallicën”, njëlloj si t’i hedhësh benzinë zjarrit.

Parlamenti italian projektligj (nga Lamberto Dini) për trajtat të miqësisë Itali-Shqipëri (si në kohën e Duçes).

 

E mërkurë, 26.02.1997

Sot arka nuk punon, kemi një lehtësim të madh dhe njerëz të lirë. Bisedoj me hungarezët dhe mundohem t’u shpjegoj situatën, më kuptuan pjesërisht, ata donin të vazhdonin punën, por u thashë se do ta ndërprisnim përkohësisht dhe sa të qetësohej situata, të rifillonim. Ramë dakord të punonin edhe dy ditë dhe të shtunën të niseshin për në Budapest. Lajmëroj selinë në Tiranë që të konfirmonin biletat për ditën e shtunë, 1 mars. Shkoj nëpër disa nga objektet për të parë punët dhe për t’u dhënë zemër. Kohë e keqe me shi. Kthehem në zyrë e bëjmë takimin e pasdites me drejtorët. Duke parë edhe lajmet dhe gazetat na bije në sy vija e demarkacionit: “BE mbështet Shqipërinë, jo zgjedhje parlamentare, jo dorëheqje qeverie”, “SHBA, zgjedhje të reja, ambasadorja Mariza Lino nuk do të shkojë në Parlament kur të zgjidhet Presidenti”. Pra, Shqipëria midis dy zjarresh nga jashtë dhe i treti nga brenda. Zen Çaushi dërgon emisar tek ne, indirekt nëpërmjet të vëllait. Kur shkuam në hotel rreth orës 22.00 më njoftojnë se në rrugët e Vlorës ka lëvizje të madhe, turma njerëzish shpejtojnë drejt universitetit tek studentët në grevë urie. Ishte hapur fjala se forca speciale të ardhura nga Tirana do të nxjerrin studentët nga greva. Turma arrin në mijëra vetë dhe në duar mbajnë hunj, dërrasa, etj. Rreth orës 23.00 del para turmës shefi i Komisariatit Et’hem Kurti dhe u flet se nuk ka asnjë veprim kundër studentëve, ai arrin ta qetësojë disi turmën. Çoj disa nga bodigardët për të parë, kthehen pas ndonjë ore dhe më thonë se turma është shpërndarë, por grupe të veçanta rrinë rreth e rrotull në mbrojtje të grevistëve, disa kanë ndezur zjarre për t’u ngrohur. Është caktuar një kod lajmërimi: në rast se do të shfaqen forcat speciale do t’u bien shtyllave të elektrikut me gurë, a dru që të kumbojnë në gjithë Vlorën dhe me këtë sinjal do të ngrihet i gjithë qyteti dhe t’u vijë në ndihmë studentëve të ngujuar në grevë urie. Frika e vlonjatëve nuk është fare e kotë. Kryeministri Meksi ka deklaruar disa herë se do ta shtypë revoltën në Vlorë dhe se do ta shpërndajë grevën e urisë të studentëve. Këto fjalë vijnë në popull të shumëfishuara e të zmadhuara sipas dëshirës dhe ngjallin tension, urrejtje, frikë dhe pështjellim. Qeveria pret vendimin e gjykatës, që do ta shpallë grevën e jashtëligjshme, për të ndërhyrë dhe shpërndarë me dhunë...