DOSJA ’97/ Grabitjet monstruoze, njerëzit iu vërsulën edhe stallave të derrave duke i therur rrugëve

DOSJA ’97/ Grabitjet monstruoze, njerëzit iu vërsulën edhe stallave të derrave duke i therur rrugëve
“Albanian Free Press” vijon publikimin e kujtimeve të shkruara në letër nga njeriu që drejtoi  kompaninë rentiere VEFA, gjatë nisjes së vitit të mbrapshtë, 1997...

 POHIMI TRAGJIK: “Inventari i depove të shtetit shqiptar paska qenë pafundësisht i madh, populli ka disa ditë që po rrëmben ç’të mundet dhe nuk po i duket fundi. Inventari i depove të shtetit shqiptar paska qenë pafundësisht i madh, populli ka disa ditë që po rrëmben ç’të mundet dhe nuk po i duket fundi”

 “Masakra e shfarosjes së derrave... Makina që tërhiqnin zvarrë derrat të lidhur me kavo ose litarë. Shumica i vrisnin me automatikë, shumë pak i merrnin të gjallë. Pastaj në mes të asfaltit i çanin me sëpata duke mbuluar me gjak dhe zorrë gjithë rrugën...”. Ky është vetëm një element i masakrës dhe vjedhjeve që ndodhën në marsin e vitit 1997 në zonën e Korçës, nga ditari i ish-drejtorit të përgjithshëm i VEFA-s, Memush Habilaj, zbardhur posaçërisht për lexuesit e “Albanian Free Press”. Shoqëruar edhe me detaje të grabitjeve të tjera, por edhe planifikimin sesi VEFA donte të mbronte objektet e saj prej tyre…

 

Mars ‘97

E shtunë, 15.03.1997

Kur u ngritëm në mëngjes, vala e krismave qe qetësuar, por nuk kishte pushuar. Kërkuam ndonjë mënyrë për t’u lidhur me Tiranën, meqë celularët nuk punonin. Na çuan tek PTT-ja e qytetit, ku me shumë vështirësi u lidhëm me familjet për të marrë vesh si ishin. Gjendja në Tiranë ishte jashtë çdo kontrolli, por familjarët i kishim mirë. Miqtë tanë organizuan një grup shoqërimi, që do siguronte lëvizjen tonë për në Korçë dhe kthim. Para se të dilnim nga Maliqi, na ra në sy një grumbull i pazakontë përballë qytetit, ku diku në fushat me grurë, turma të mëdha çanin fushat me synim stallat. Na shpjegojnë që është një kompleks i mbarështimit të derrave, i ndërtuar nga një investitor grek dhe disa shqiptarë. Kompleksi ka 2.000 derra dhe është i ndërtuar sipas fjalës së fundit të kësaj shkence. Sa hap e mbyll sytë turmat e rrethuan kompleksin, kapërcyen rrethimin e jashtëm dhe u sulën drejt dyerve të stallave. Filloi masakra e shfarosjes së derrave.

Shumë shpejt, në rrugë u dukën makina që tërhiqnin zvarrë derrat të lidhur me kavo ose litarë, ku çdo derr mund të peshonte 100-200 kg. Shumica i vrisnin me automatikë, vetëm shumë pak i merrnin të gjallë. Pamë afër nesh të ndalonte një autoveturë, që tërhiqte zvarrë një derr shumë të madh, në mes të asfaltit e çanë me sëpata duke mbuluar me gjak dhe zorrë rrugën, e pastaj ndanë copat e mëdha të mishit të parrjepur. Skena të ngjashme pamë gjatë gjithë rrugës Maliq-Korçë.

Pasi u shfarosën derrat, njerëzit nuk e di sesi u ngjitën mbi çatitë e stallave. Për pak minuta çatitë u hodhën në tokë dhe duket e pabesueshme që nga ia kompleks i bukur pas ndonjë ore ngelën vetëm ca kolona betoni e grumbuj mbeturinash. Madje, kur u kthyem të nesërmen, edhe kolonat e betonit ishin zhdukur.

Mbasi pamë këtë batërdi marrim rrugën për në Korçë, tani jemi dy makina, në makinën e dytë është grupi i shoqërimit i përbërë nga djemtë e miqve tanë të Maliqit. Rrugës vumë re se vala e tërbimit kishte përfshirë gjithë zonën. Grupe të mëdha të armatosura ngrinin barrikada në hyrje të çdo fshati me lloj-lloj mjetesh e materialesh. Çdo makinë shikohej me dyshim dhe mund të përfundoje nën breshërinë e plumbave, po të mos ishin shoqëruesit tanë që e njihnin zonën me pëllëmbë. Në Korçë arritëm shpejt, ramë në kontakt me njerëzit tanë të cilët u vunë në lëvizje për të na ndihmuar. Bëmë një lëvizje deri në Polenë dhe Plasë të gënjyer nga një informatë e rremë, ku mezi arritëm t’u shpëtonim barrikadave të ngritura nga fshatarët e armatosur dhe u kthyem mbasdite në Korçë. Periferia e qytetit ishte një ferr i vërtetë, sulme, grabitje, shkatërrime, zjarr i paprerë i armëve. Por në lagjet e qendrës ishte qetësi. Strehohemi në familjen e një shokut tonë nga Korça, në një lagje të qetë e të pastër. Prindërit e tij ishin dy intelektualë të moshuar pensionistë, me kulturë qytetare tipike korçare për t’u admiruar. Mësuam se shtëpia e tyre kishte qenë bazë ilegale gjatë Luftën Nacional-çlirimtare dhe në një moment i thashë zonjës së shtëpisë:

- Edhe neve na duket sikur jemi ilegalë në këto kushte të tmerrshme që po kalon vendi. Tradita e shtëpisë suaj sikur po ripërtërihet.

- Qyteti ynë nuk do ta durojë gjatë këtë terror, - tha zonja e shtëpisë, - është kalimtare, ne jemi qytet i kulturuar dhe çdo veprim rrugaçërie shuhet shpejt, nuk ngjit dot këtu.

Më pëlqen optimizmi i kësaj qytetareje korçare dhe ia vura në dukje.

- Do të më japësh të drejtë, qyteti do të qetësohet shpejt, rrëmujën e bëjnë ata që nuk janë qytetarë, - m’u përgjigj zonja e moshuar.

Dhe me të vërtetë, Korça e përballoi situatën dhe u stabilizua më shpejt se çdo qytet tjetër. Shqetësimet do t’i sillnin vetëm bandat e paguara nga agjenturat e huaja dhe forcat politike vendase.

 

E diel, 16.03.1997

Sipas programit që bëmë me shokët e Korçës, sot në mëngjes do të takoheshim me punonjësin që kishte tërhequr dhe ruante paratë e VEFA-s. Ai banonte në një lagje në periferi, diku në jug të qytetit, në këtë vend ligjin e bënin bandat e armatosura dhe ai nuk guxonte të dilte nga shtëpia. Shkuam në këtë lagje problematike duke dërguar më përpara vendalinjtë. Kur ata gjetën momentin e favorshëm, na morën edhe neve. Afrohemi pranë një pallati të stilit të vjetër, teksa makina e shoqërimit ndenji pak më larg. Pranë banesave qëndronin grupe të armatosura që ruanin kush hynte e kush dilte. Qëndruam në sheshin pranë pallatit. Na afrohet një roje i armatosur duke na dhënë shenjë të mos lëviznim. Vjen tek xhami dhe pyet me inat se çfarë kërkonim. I shpjegova këtij majmuni të armatosur se duam të takojmë një mikun tonë për një hall familjar dhe i dhashë emrin. Na vështroi rëndë-rëndë dhe begenisi të përgjigjej: - Prisni këtu, sa të njoftoj komandantin dhe mos lëvizni. Morët vesh? Pastaj erdhi i shoqëruar nga një kloun tjetër i armatosur, i cili na u paraqit si komandanti i zonës. I treguam edhe këtij se si e kishim punën, komandanti urdhëroi rojen të njoftonte personin që donim ne. Më në fund vjen personi i shumëpritur. Futet në makinë. Qe i terrorizuar. Na tregoi se kishte dy ditë që lagjja e tij ishte nën pushtetin e bandave të gabelëve, asnjë nuk guxonte të lëvizte pa lejen e tyre. Kishte më tepër frikë se duke qenë punonjës i bankës, lëvizjet e tij ishin të vrojtuara dhe në çdo moment mund ta merrnin peng atë, ose familjen e tij. Prandaj nuk mund të largohej për asnjë çast nga banesa e tij. Paratë e VEFA-s i ka fshehur në vend të sigurt, të cilin ai nuk mund ta tregojë. Kur të qetësohen trazirat do të shkonim t’i merrnim. Na tha edhe shifrën prej 5.5 milionë dollarë, gjysmë milioni dollarë janë tërhequr nga tre punonjës të kompanisë, që ia kanë mbathur për në Greqi, kishin marrë paratë e tyre sipas kartelës. Na tregoi dhe shifrën që kërkonte për shpërblim sipas marrëveshjes me Vehbi Alimuçajn. Këto para do tërhiqeshin për në Tiranë rreth dhjetë ditë më vonë, pasi pati një qetësim të situatës në Korçë dhe ne mund të lëviznim më lehtë duke marrë masa të forta sigurie. Paratë erdhën në Tiranë pa humbje, në sajë të personit që i fshehu e i ruajti, si dhe grupit të djemve nga Maliqi. Pasi e sqaruam situatën, e pamë se nuk kishte se ç’të bënim në Korçë dhe duhej të merrnim rrugën për në Tiranë. Pasi mundëm të lidhemi me selinë qendrore, na shpjeguan se duhej të shtyhej tërheqja e parave për shkak të situatës në Korçë dhe pasigurisë së rrugës. Për lëvizjen me helikopter, as që duhej shkuar ndërmend.

Marrim rrugën e kthimit për në Tiranë. Ecim me shpejtësi, përpara makina e çunave nga Maliqi që kontrollojnë rrugën për çdo të papritur. Çudi, rruga ishte e qetë, thua se ditët që kaluam ishin një ëndërr e keqe, që nuk donim ta kujtonim më. Kalojmë Pogradecin pa probleme, deri në Qafë-Thanë rruga qe e lirë, çetat e fshatarëve të armatosur sikur kishin avulluar. Diku afër fshatit Lin, ndahemi përzemërsisht me shoqëruesit tanë besnikë e të papërtuar, duke menduar se ishim jashtë çdo rreziku. Kur dalim në Qafë-Thanë pamë një mizëri njerëzish të armatosur që shkatërronin çdo objekt të ndërtuar, benzinata, kioska, klube e deri tabelat e sinjalistikës rrugore. Shumë ishin të veshur me rroba larushe të ushtrisë. Makinës tonë i kishim hequr targat, prandaj nuk na kushtuan vëmendje, duke na marrë edhe neve për grabitës. Por kur morëm drejtimin për Tiranë, na vunë në rreth dhe mundëm të shkëputemi pasi paguam një taksë të majme kalimi. Aty më vodhën edhe xhupin, ku kisha celularin dhe dokumentet, ma tërhoqën nga sedilja mbrapa pa e kuptuar fare. Kaluam Librazhdin në mes të një rrëmuje të paparë dhe përfunduam mes një karvani makinash me njerëz të armatosur që shtinin në ajër pa pushim. Kur vijmë në Elbasan, e gjejmë në kulmin e çmendurisë së tij, turmat e armatosura po terrorizonin qytetin, pasi kishin bastisur dhe shkatërruar çdo depo e magazinë, dyqan, punishte e fabrikë.

U përzjemë me makinat e mbushura plot e përplot me turli njerëzish të armatosur, që qarkullonin sa në një qoshe të qytetit në tjetrin. Pa u shqetësuar, lëvizim drejt Qafë Krrabës, ndeshnim rrugës vargje automjetesh, që vinin nga Tirana të ngarkuar sa s’mbanin më me materiale nga më të ndryshmet. Inventari i depove të shtetit shqiptar paska qenë pafundësisht i madh, populli ka disa ditë që po rrëmben ç’të mundet dhe nuk po i duket fundi. Në një vend ngelëm dhe nuk po ecim më, një grumbull kaminash, zetorësh e furgonash të mbingarkuara kishin bllokuar rrugën. Gjetëm një qoshe anës rrugës, mbyllëm makinën dhe vendosëm të pimë një kafe deri sa të rrallohej trafiku.  U futëm në një klub të vogël duke kërkuar ndonjë vend të lirë. Një burrë i moshuar na bëri vend në tavolinën e tij. Pas mureve e nën këmbët e njerëzve mund të numëroje me dhjetëra kallashnikovë, por njerëzit ishin miqësorë e jo agresivë. Duke pirë kafenë në pritje të hapjes së rrugës, filluam muhabetin me personin që kishim në tavolinë. Duke folur për ngjarjet e ditës i them:

- Meqë jeni i moshuar, a ju ka rastisur të shikoni ndonjëherë si kjo e tanishmja?

-Jo, -u përgjigj, -ka ndodhur diçka e tillë kur u rrëzua Italia më 1943, por jo kështu, pati njëfarë rrumpalle, por që nuk zgjati shumë, sepse erdhën gjermanët dhe menjëherë vendosën rregullin. Por sot kush do na vijë të na rregullojë? Ndoshta amerikanët.

Fjalët e këtij fshatari të moshuar përmbanin një të vërtetë domethënëse dhe therëse. Kështu u katandis Shqipëria.

Marrim rrugën për në Tiranë. Pasi kaluam Stërmasin, trafiku qe i rrallë dhe nuk vonuam shumë për të hyrë në Tiranë. Nuk pamë gjëkundi ndonjë patrullë policie, shteti nuk ekzistonte fare. Shumë pak kalimtarë nëpër rrugë. Tek Fakulteti i Filologjisë ndeshëm një postbllok, një transportues i blinduar kishte zënë rrugën, një grup të rinjsh me jelek antiplumb dhe të armatosur me kallashnikovë po kontrollonin trafikun. M\u bë qejfi që pas kaq ditë rrëmuje dhe anarkie po dukej një shkëndijë rregulli dhe shprese. Siç duket, postblloku qe ngritur për të ndihmuar në sigurinë e ambasadës amerikane.

Zbresim në bulevardin e madh pranë Kryeministrisë, rrugët bosh, pak këmbësorë. Dy-tre transportues të blinduar patrullonin bulevardin, mbi ta dukeshin të rinj të armatosur, të gjithë vullnetarë në mbështetje të policisë, për të siguruar një farë rendi në kryeqytet. Kthehemi tek rruga “Myslym Shyri” dhe drejtohem për në shtëpi. U ndava me shokun e kësaj aventure, ai e kishte shtëpinë diku tek rruga Bardhyl, e lamë të takohemi nesër në selinë e kompanisë.

 

E hënë, 17.03.1997

Qetësia është në kontrast të plotë me natën e ngarkuar me krisma dhe tmerre, a thua se nuk është e njëjta situatë, i njëjti vend, i njëjti qytet. Nisem më këmbë për në selinë qendrore tek sheshi “Avni Rustemi”. Para derës së selisë shoh një transportues të blinduar dhe disa persona gjysmë civilë e gjysmë ushtarë me xhaketa larushe, të armatosur me turli armësh, që rrinin mbi të. Marr vesh se autoblindi qe prenotuar për të ndihmuar VEFA-n dhe ekuipazhi i armatosur i tij vinte në seli herë pas here për të mbajtur lidhje me rojet si e për të marrë ndonjë shpërblim për këtë punë. Qe një zgjidhje e imponuar. Shkoj në zyrë, takoj bashkëpunëtorët e kompanisë dhe shkëmbejmë informacionet përkatëse. Mësoj se si po zhvilloheshin ngjarjet në qytetet e tjera të vendit. E njëjta situatë, e njëjta shthurje, e njëjta anarki. Njerëzit kishin dalë nga vetvetja dhe po bënin veprime, që në një kohë normale as që do t’i imagjinonin dhe jo më t’i bënin. Psikologjia e turmës kishte shpërthyer dhe po arrinte kulmin, populli i ekzaltuar ishte i sunduar plotësisht nga ethet e anarkisë dhe papërgjegjshmërisë. Vetëm një dorë e hekurt mund të vendoste rregullin dhe të shpëtonte vendin, por kjo dorë i mungonte Shqipërisë dhe do të duheshin shumë muaj e vite të tëra për të krijuar njëfarë stabiliteti të cunguar e të pasigurt.

Shefi vjen në seli, vonë, nga dreka. I përshkruajmë odisenë tonë në Korçë dhe planin e veprimeve të mëvonshme. Diskutojmë të gjitha hollësitë dhe masat për të vepruar aspo të qetësohet situata. Pastaj u kthyem tek problemet e ditës në Tiranë, kryesorja ishte të ruanim bërthamën e kompanisë, selinë qendrore, arkën, arkivat dhe më kryesoren: emrin dhe prestigjin, duke shpëtuar këto do mund ta ringrinim atë sapo turmat e tërbuara të lodheshin e të riktheheshin në normalitet. Humbjet që kishte pësuar kompania do mund të rigjenerohen shpejt, për këtë kemi njerëz të aftë, të përkushtuar, vullnet dhe besim.

Fiksojmë strategjinë mbrojtëse: “Të ruajmë gjithçka që ka shpëtuar”. Pasdite përfundojmë planin për riorganizimin dhe funksionimin e kompanisë për situatën konkrete.

Përpunojmë organikën e selisë sendrore, të filialeve dhe objekteve, vendosim për shkurtime drastike në personel dhe shpenzime, duke bërë përjashtime për sistemin e ruajtjes së kompanisë. Organikat e reja do t’i vëmë në veprim menjëherë, që nesër. Bëmë gati edhe urdhrat përkatëse që do t’u komunikohen të gjithëve nesër”.

 

EPILOG

100 milionë dollarë amerikanë, dëmet nga sulmet ndaj objekteve të VEFA-s

“Fundin e muajit mars 1997 e kalova me veprimtarinë pranë selisë së kompanisë VEFA, në përpjekjet e përbashkëta me ekipin e mbetur për të mbrojtur atë që kishte mbetur nga sulmet e tërbuara të turmës dhe bandave të armatosura.  U munduam të bënim një bilanc sa më objektiv e të saktë të dëmeve dhe humbjeve. Filmuam dhe fotografuam çdo objekt të dëmtuar, ballafaquam çdo faturë e investim,  dokumentuam plotësisht dëmet për çdo objekt, filial dhe në tërësi për gjithë kompaninë. Mora pjesë në shumë ekipe pune duke shkuar nëpër filialet në çdo qytet, duke përballuar rreziqe të panumërta. Gjatë kësaj kohe sulmet e grupeve të armatosura vazhdonin kundër objekteve tona, por me një intensitet më të dobët. Kjo për dy arsye: -Së pari: Vlerat kryesore qenë goditur dhe asgjësuar në sulmet e para, tani kishte ngelur pak për t’u grabitur. -Së dyti: Bandat e armatosura po viheshin hapur në shërbim të partive politike për fushatën elektorale, që po përgatitej dhe filluan një luftë vrasjesh të përgjakshme mes njëra-tjetrës. Rivaliteti i përgjakshëm midis bandave çoi në asgjësimin e anëtarëve të tyre, por përplasjet e armatosura midis bandave shoqëroheshin edhe me shumë viktima të pafajshme. Duke u postuar epiqendra e goditjeve si dhe vëmendja e turmës, ne patëm një periudhë frymëmarrjeje dhe përfituam në punën tonë për bilancin dhe ringritjen e veprimtarisë së subjektit. Në fillim të muajit prill 1997, ne kishim gati dosjen e plotë dhe të saktë të dëmeve të pësuara deri atëherë. Shifra ishte marramendëse, rreth 100 milionë dollarë amerikanë, shifër e cila do të ishte problematike për një shtet, e jo më për një subjekt privat. Për arsye të tjera, kjo shifër u manipulua disa herë deri sa u publikua me vlerën 300 milionë dollarë, vlerë e cila bënte “mu” që ishte e falsifikuar dhe që askush nuk e mori seriozisht. Mbasi mbyllëm çështjen e bilanceve diku nga mesi i prillit 1997, me ca bashkëpunëtorë bëmë disa përpjekje për të siguruar mbështetje materiale e financiare për kompaninë nga partnerë të ndryshëm jashtë vendit. Për këtë u desh të kryenim një sërë udhëtimesh jashtë Shqipërisë dhe t’i mbyllja këto veprime aty nga fundi i majit 1997. Kompania vazhdoi të punonte me veprimtari të reduktuar herë me fitim e herë me humbje, derisa shteti ia dorëzoi Komisionit të Transparencës në bazë të ligjit të miratuar nga parlamenti për subjektet rentiere e piramidale.

Në këtë moment, i shkëputa marrëdhëniet me kompaninë.

Komisioni i Transparencës vazhdoi punën për një periudhë të gjatë, populli dhe kreditorët prisnin rezultate konkrete ashtu siç iu premtuan, prisnin të merrnin ndonjë lek nga ato që kishin hedhur në firmat piramidale, por më kot. Shumë shpejt do ta kuptonin se kishin rënë nga shiu në breshër, se ishin gënjyer sërish dhe mashtruar keqazi, këtë herë jo nga bosët e piramidave mashtruese, por nga vetë shteti. Ajo që u shpall me bujë si Transparencë e kompanive piramidale, rezultoi një Antitransparencë. Askush nuk e mori vesh kurrë se ç’u bënë shumat e mëdha të parave në llogaritë e firmave piramidale në bankat brenda e jashtë vendit. Asnjëherë nuk do të publikohen (ashtu siç e parashikonte ligji dhe premtimet e politikanëve) emrat e mëse 2.000 personave publikë, politikanë, qeveritarë, deputetë, gjykatës, ambasadorë, punonjës të ambasadave të huaja etj., që kanë përvetësuar shuma të paimagjinueshme nga depozitat e firmave piramidale.  Antitransparenca i fshiu emrat e këtyre personave nga dokumentet që zotëronin kompanitë piramidale, në mënyrë që të mos njolloseshin fytyrat e politikanëve dhe biznesmenëve të rinj që do të popullonin me shumicë jetën politike dhe ekonomike të vendit. Për këtë qëllim, u ngrit i famshmi Komision i Transparencës, të mbulonte e të varroste njëherë e përgjith-monë të vërtetën mbi kompanitë piramidale, si dhe kush i krijoi këto subjekte, trafiqet dhe pastrimet e parave, zhvatjet e kursimeve të popullit dhe krimet e tjera në të cilat u përfshi shteti dhe shërbëtorët e tij. Çdo gjë u krye sipas thënies së famshme të Çurçillit: “Nëse duhet të mbulohet një e vërtetë, mjafton të ngrihet një komision”. Më pas, do të vinte faza tjetër e zhgënjimit dhe mashtrimit të kreditorëve, shitja e pasurive të firmave piramidale me çmime qesharake deri 2%-3% të vlerës së vërtetë dhe të asaj në treg. Pas disa transak-sioneve të shitje-rishitje objektet dhe pasuritë humbitnin gjurmët dhe përfundonin në duart e personave, që drejtonin gjithë këtë tragji-komedi. Pas një odiseje disa-vjeçare, kur ishte fshirë e mbuluar çdo gjurmë, kreditorët e mjerë do të merrnin vetëm 2%-3% të parave të tyre, ndërsa mbi 90% e vlerave do të përfundonin në xhepat e atyre personave, emrat e të cilëve nuk do të mësohen kurrë. Populli sakrifikoi, u grabit, u mashtrua dhe u masakrua, u tall dhe u përbuz nga mafia politike dhe kështu do të vazhdojë të hiqet për hunde deri sa të kuptojë esencën e shprehjes amerikane që: “Politikanët janë si pelenat, që të ruash higjienën e trupit, duhet t’i ndërrosh sa më shpesh”. Dhe ndoshta, kur të mësojë të ndërrojë pelenat, populli ynë do të jetë më mirë...”.